Autogoli i Armand Dukës

Postuar në 16 Janar, 2018 12:40

Sot është bërë publik lajmi se shoqatat rajonale që janë deklaruar si anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe që sipas presidentit të saj, Armand Duka, do të votojnë edhe në zgjedhjet e 7 shkurtit, po tentojnë të regjistrohen në gjykatën e Tiranës. Lajmi në vetvete konfirmon atë që është shkruajtur më parë e që përmblidhet në një fjalë: Skandal.

http://www.tematv.al/2018/01/16/skandali-i-fshf-p-rpiqet-t-regjistroj-n-...

Jo vetëm pse procedura po ndiqet aktualisht për të synuar zgjidhjen e një problem ligjor shumë të rëndë, por sepse z. Duka po kërkon me çdo mjet që të përfshijë në zgjedhje edhe 12 vota anëtarësh që nuk janë të legjitimuar si të tillë.

Por pse ky hap është në thelb një autogol i z. Duka si kandidat për president të FSHF-së?

Po të shohim reagimet zyrtare të FSHF-së dhe deklarimet e z.Duka pas publikimit të faktit se shoqatat jkanë të paregjsitruara në Gjykatë, ato I mëshojnë një ideje: Sa kohë që shoqatat kanë votuar përherë dhe vendimet e Asamblesë janë regjistruar në gjykatë, edhe statusi i tyre si subjekte të njohura ligjërisht është i njohur automatikisht.

Nëse do të kthehemi në asamblenë e vitit 2002, FSHF ishte edhe vetë e paregjistuar në gjykatë. Të gjitha klubet e futbollit pothuajse, me ndonjë përjashtim të vogël, vetëm 10% e tyre ishin të regjistruar në gjykatë, dhe ky ka qenë një process zhvillimi. Por asnëjherë nuk e ka cenuar të drejtën e anëtarësisë, sepse këtë drejtë ja jep vetë asambleja. 8 shoqatat kanë  ekzistuar përpara se Duka të vinte në Federatë, kanë qenë anëtare të FSHF, ushtrojnë aktivitet gjatë gjithë kësaj periudhe dhe përfaqësojnë më shumë sesa 80% të komunitetit futbollistik në Shqipëri.

Të gjitha vendimet e FSHF bvashkë me listën e këtyre anëtarëve janë të depozituara në gjykatë kështu që nuk besoj se ka ndonjë cenim apo deformim të vullnetit anëtarëve të FSHF-së. Shoqatat do të votojnë dhe janë legjitime. Vendimi i Asamblesë që lista e anëtarëve të saj janë të regjistruara në gjykatë

tha ndër të tjera z. Duka në intervistën e para dy ditëve.

Që këtu mund të pyetet: për cilën arsye po procedohet atëherë që këto shoqata të regjistrohen?

Është e qartë se z. Duka dhe enturazhi i tij në Komitetin Ekzekutiv dhe FSHF po përpiqen të eliminojnë një problem që mund t’u dalë përpara si shumë serioz ditën e votimit. Shoqatata janë jolegjitime. Mirëpo me aktin e sotshëm, pra të regjistrimit në Gjykatë, po konfirmohet edhe ligjërisht se shoqatat në fjalë, që bëhen 12 në total, humbasin të drejtën e të qenit anëtar të Asamblesë së Përgjithshme. Dhe kjo mund të kuptohet kur lexon dispozitat juridike që rregullojnë punën e FSHF-së, pra Statutin e saj.

Neni 1 i Statutit thotë shprehimisht se:

Federata Shqiptare e Futbollit është person juridik, shoqatë, e cila përfaqëson bashkimin vullnetar të shoqatave dhe klubeve sportive të futbollit në Republikën e Shqipërisë, të cilat veprojnë në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, Ligjit Nr.8789, datë 27.05.2001 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, Ligjit Nr.9376, date 21.04.2005 “Për Sportin”, dhe akte të tjera ligjore e nënligjore që drejtojnë këtë aktivitet…

Në nenin 4 thuhet po ashtu se:

…anëtarë mund të jenë vetëm subjekte që janë njohur dhe regjistruar si të tillë nga organet kompetente shtetërore që përcakton legjislacioni në fuqi

Apo neni 5 ku saktësohet:

Anëtarët e FSHF-së krijohen në një nga format ligjore të parashikuara në ligjin për sportin

Çka do të thotë se të qenit anëtar i Asamblesë së FSHF-së kalon nga subjektivizimi juridik, i cili rregullohet me ligjin tjetër që përbën bazën e Statutit, atë për OJF-së. 

 Ja se çfarë thotë neni 14 i ligjit Nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”.

Organizata jofitimprurëse njihet si person juridik ditën që vendimi i gjykatës për regjistrimine saj ka marrë formë të prerë.  Organizata jofitimprurëse, pasi të ketë fituar personalitetin juridik, është përgjegjëse ndaj të tretëve për detyrimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë veprimtarisë së saj. Personaliteti juridik i organizatës jofitimprurëse mbaron në ditën kur vendimi i gjykatës për çregjistrimin e saj merr formë të prerë.

Nëse e përmbledhim, mund të kuptojmë se përpjekja për regjistrimin e shoqatave, në dritën e këtyre dispozitave dhe është një prapësim procesi për të futur në kushte ligjore atë situatë joligjore në Asamble e cila ka dalë së fundmi në sipërfaqe.

Mirëpo me hapjen e procesit të regjistrimit, FSHF-ja do të duhet të nisë nga e para procesin e anëtarësimit të shoqatave, pasi këto të kenë akt regjistrimin në Gjykatë dhe pasi të kenë bërë kërkesë për këtë gjë. Z. Duka mund t’i përmbahej argumentimit ambig që ndoqi deri më tani, sipas të cilit praktika e ndjekur stabilizon edhe statusin e anëtarit dhe subjektivizimin e shoqatave. Dhe do të ecej kështu në një diskutim juridik që patjetër do të cenonte pozitat e presidentit aktual sepse shkelja është evidente. Po kështu, FSHF-ja ka konfirmuar para disa ditësh, përmes në shkrese dërguar një klubi sportive se lista e anëtarëve të Asamblesë është e njëjta, e përbërë nga 66 anëtarë, ndërkohë që në mënyrë absurde ka refuzuar të zbardhë rregulloren e Asamblesë.

Nga ky lëmsh që është krijuar nga papërgjegjshmëria brenda FSHF-së, mund të shikohet se nga njëra anë kemi anëtarësinë, nga ana tjetër kemi procedurë regjistrimi në gjykatë të disa shoqatave që e fitojnë statusin e anëtarit vetëm pasi të jenë regjistruar në Gjykatë.

Ky është një ngërç që zbardh vetëm skandalin e Federatës që ka neglizhuar qëllimisht një akt formal regjistrimi, të cilin po synon ta kryejë sot por duke anulluar me nismën e vet legjitimitetin dhe legalitetin e procedurave që janë zhvilluar nga Asambleja aktuale. FSHF ka këtu një përgjegjësi jo të vogël edhe ndaj klubeve sportive, të cilat vështirë se mund të kenë qenë të informuar për këto manovra që e ekspozojnë federatën njësoj si partitë politike. Që nga sot, FSHF po vihet para faktit që u mundua ta mohonte për disa ditë: Asambleja e saj ka 12 anëtarë më pak. Pra nga 66 mbeten vetëm 54. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.