Për një histori që duhet pajisur me emrat e protagonistëve
Mënyra si nderojmë të huajt, sidomos mënyra zyrtare, flet më mirë se çdo gjë tjetër për mikpritjen dhe mirënjohjen tonë. Virtyte të cilat shpesh ia poshtëshënojmë lavdisë sonë të imagjinuar, por që në fakt nuk duket se u përmbahemi edhe aq shumë.
Shkas për të sjellë në vëmendje këtë temë ishte një intervistë e inxhinierit të njohur, Emin Musliu në emisionin “Dosja E” në Tv Scan, i cili flet për historikun e hidrocentraleve në Shqipëri.
Pasi flet për HEC-in e parë që është ai i Selitës, Musliu ndër të tjera thotë:
Hidrocentrali i parë që filloi në Shqipëri ishte hidrocentrali i Selitës. Filloi që në 1949 dhe u vu në shfrytëzim në nëntor 1951. Është një hidrocentral me tunele duke filluar që nga Mali me Gropa kalon në Malin e Dajtit ku ka një tunel 1600 metra të gjatë dhe zbret në Lanabregas ku është ndërtesa e centralit. Është një central i vogël po i vështirë në ndërtim. Ai ka thuajse 66 vite që funksionon dhe nuk i ka ndodhur asgjë. Ç’ është e vërteta, në atë kohë, në 1949 ne ishim analfabetë totalisht, që s’merrnim vesh ç’është hidrocentrali, diga etj. Në 1949 erdhi një këshilltar sovjetik Grigori Petrenko i cili kishte aftësi të jashtëzakonshme. Ishte shumë njerëzor dhe na dha një ndihmë kolosale, që bëmë edhe organizimin e punës për ndërtimin e veprave të hidrocentralit
Këshilltarët sovjetikë zakonisht asociohen me përpjekjet e Hrushovit për të kapur Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe për të bërë ndryshime pushteti, por në dritën e dëshmive si kjo e Musliut, narrativa si këto, të tjerrura në formë propagandistike edhe nga shkrimtarë të kohës apo prodhime kinematografike, duhen riparë. Këto dëshmi diskreditojnë deri diku një mbulim të trashë të historisë së disa sektorëve publikë në Shqipëri, por edhe e nxjerrin në një tjetër kontekst faturën e rëndë të teorisë me “forcat tona” që u adoptua pas ndarjes me Kinën.
Shqipëria e sotme ka ende shenja fizike të dorës së huaj; në infrastrukturë, në urbanistikë, por për to mungon njohja publike e autorësisë. Ato janë vepra që kanë një histori të mbyllur, të flakur, apo të ripunuar me frymë përvetësimi. Ura, rrugë nacionale, sheshe, projekte, godina, zbulime arkeologjike etj., të gjitha kanë nga pas një inxhinier, një arkitekt, një projektues, apo edhe ndonjë donator. Ato kanë patjetër edhe qëllimin, por qytetarit shqiptar i mbetet vetëm të sodisë nga jashtë dhe të bëhet përdorues i tyre duke u privuar nga historia.
Tirana me kompleksin e ministrive dhe të bulevardit kryesor është më e mirëtrajtuara në këtë drejtim, janë përmendur disa herë emrat e Barzinit dhe di Faustos, por asgjë më shumë se kaq.
Musliu e shton këtë galeri me HEC-et, vepra strategjike dhe që kanë transformuar jetën e këtij vendi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për investime të tjera, apo edhe për modelet dhe organizimin në ngritjen e institucioneve.
Nga kjo perspektivë është e dobishme që një histori e kësaj natyre të zbardhet, të popullarizohet dhe pse jo të shenjohet për publikun me mënyrat e njohura si memoriale, pllakata, apo edhe ndonjë shënim.
Në diçka më shumë se 100 vjet shtet, Shqipëria mundet të shërbejë veten shumë mirë duke bërë një krahasim mes cilësisë së kobntributeve të ndryshme, në shtetformim, në legjislacion, organizim, projektim dhe infrastrukturë etj.. Do të ishte një mënyrë e mirë për të kuptuar se ku qëndron vlera reale mes asaj që të huajt kanë bërë për vendin tonë, apo në vendin tonë, qoftë edhe në rolin e ekspertit dhe gjurmëve të asaj që bëjmë vetë. Nëse shihet me kujdes janë shumë pak gjëra që vërtet i mbijetojnë kohë, që nuk kanë nevojë për korrigjim, te të cilat shikohet një vision, mendje apo dorë profesionisti dhe ku dominon pasioni apo koniunktura e momentit, spontaniteti dhe defiçenca e ndjeshme me modelet e huaja.
Në fund historia është ajo që është dhe atë nuk e zhbën dot një vend si yni, letrat themeluese të të cilit i administrojnë po të huajt. Është mirë që kjo histori të prezantohet siç është edhe në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, por edhe për ta kthyer atë dorëzimin pa kushte për aftësinë tonë, në një moment reflektimi.
Add new comment