E shiti edhe çështjen “Tahiri”?
Gazeta zyrtare e Partisë Demokratike i ka lënë vend dje një shkrimi të publikuar në gazetën britanike “The Times” që flet për kanabizimin e Shqipërisë.
Mund të supozojmë se “RD”, si organ që qëndron për fjalën e lirë dhe ka qenë 27 vjet në opozitë siç edhe tha kryeredaktori i saj në përvjetorin e para disa ditëve, e rimerr dhe e përkthen për të vazhduar në këtë rrugë. Pra për të bërë opozitë me tezën e kanabisit. Shkrimi që është përkthim i tekstit origjinal ka një ndryshim, titullin: Rama habit gazetën “The Times”. Fajin për drogën e ka Italia.
Ky titull në të vërtetë jo vetëm që ndërtohet mbi spekullime, por habit me të ëvrtetë shqiptarët. Ose disa shqiptarë.
Së pari, RD merr përsipër të përkthejë veç shkrimit edhe përshtypjet e gazetarit dhe redaksisë të “The Times”, të cilët sipas burimeve të RD-së qenkan habitur.
Por kjo nuk është e vetmja dobësi e një editimi të sforcuar për të gjetur diçka kundër kryeministrit në shkrimin e gazetës britanike. Dobësia tjetër është se vetë shkrimi në fjalë i gazetës britanike, mirë ishte të injorohej ose të goditej, pasi është fund e krye një avokati për kryeministrin.
Gazetari britanik që raporton nga Tirana, ka përcjellë opinionin e zyrtarëve të qeverisë për këtë çështje, ai përmend Habilajt, palën italiane, rritjen e krimit shqiptar, por në asnjë çast nuk përmendet ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri.
Për çdo standard raportimi shmangia e Tahirit nga problemi i kanabizimit mund të shpjegohet vetëm me padijen, që është faj në këtë rast, ose me synime të caktuara. Është e pamundur që implikimi i një ish-ministri, ndaj të cilit ka një proces penal dhe politik, të mos përfshihet në një shkrim për kanabisin. Titulli i gazetës britanike është çorientues dhe keqinformues për lexuesin anglez: “Si e kythyen gangsterët Shqipërinë në një shtet prodhues të drogës”.
Kjo është tezë që ushqen ato stereotipe të ngulitura për shqiptarët jashë, ndërkohë që në Shqipëri flitet për një politikë shtetërore për kanabisin. Për një mbrojtje politike të nivelit më lartë që çoi në kanabizimin e një vendit të tërë. Dhe këtë nuk mund ta bëjnë dot disa gangsterë që jetojnë në Britaninë e Madhe. Kjo aq sa e dëmton imazhin e vendit, aq edhe e mbron kryeministrin dhe qeverinë aktuale që kanë këtu një argument për të folur për aspektin ndërkombëtar të krimit, ndërkohë që propaganda brenda vendit bëhet se kanabisi do të jetë histori e mbyllur shumë shpejt.
Si vallë zbythen kaq shpejt këta gangsterët që kanabizuan një vend të tërë e për të cilët RD-ja shkruan dhe përkthen, ose se aq dinë ata që janë aty, ose sepse kështu e do politika?
E sigurtë është se ciladoqoftë arsyeja, kjo opozitë nuk e ka seriozisht dëmtimin e këtij kryeministri me të cilin është komod. Edhe sepse ndaj tij ka ligjëruar disa akuza që e mbajnë gjallë si opozitë formale, por edhe sepse me të duket se gjen gjuhën dhe pazarin. Përndryshe nuk shpjegohet kjo shëllirë editoriale që lexohet në një organ që presupozohet se do jetë në ballë të protestave masivë që do çojnë Shqipërisë në revolucion. Një opozitë e vërtetë do të kishte reaguar ndaj shkrimit, qoftë pranë redaksisë, qoftë duke përmbytur me komente informuese dhe sqaruese në faqen online në mënyrë që gazetarët të bëjnë punën më mirë.
Jo. RD, njësoj si PD i bie shkurt. Përkthim, një titull me Ramë brenda dhe ja u bë. Fundja kjo është detyra e një opozite private e cila e tillë do konisderuar: çështje private e Lulzim Bashës dhe rrethit të tij.
Add new comment