Gabim dhe jo dështim situata e kanabisit
Mohimi për 4 vite i situatës me kanabisin mund të ishte një refren që do ta dëgjonim edhe sot nëse përgjimet e Prokurorisë së Katanias nuk do nxirrnin në skenë emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Që pas këtij momenti, mazhoranca u detyrua të moderojë qëndrimin duke pranuar shtrirjen e fenomenit në të gjithë vendin, madje duke nisur të flasë për drunj të shtrembër brenda radhëve të saj. I fundit që ka komentuar çështjen e drogës është kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi me një optikë që ngre shumë pikëpyetje.
Ai e quajti gabim dhe jo dështim trajtimin që iu bë situatës me kanabisin dhe mohoi se janë përdorur paratë e drogës për zgjedhjet e 2015. Mes dy termave ka një diferencë të madhe.Të thuash se kanabisi ishte një gabim, do të thotë se qeveria nuk e quan dështim luftën kundër kanabisit, por thjesht rënie në gabime. Me dashje apo pa dashje këtë nuk mund ta themi.
Megjithatë ky intepretim në fakt implikon gjithë zinxhirin nga kryeministri deri te zyrtari i fundit që u emërua për të ndalur të keqen që u trashëgua nga qeveria e kaluar. Gabime në emërime, gabime në strategji, gabime në prioritete, të gjitha janë përgjegjësi e kabinetit politik dhe administrativ që drejtoi vendin. Kjo nuk e përjashton edhe dështimin apo paaftësinë për të mbuluar një paaftësi më të madhe. Atë të rënies në mëkatin e joshjes nga paratë e drogës, ose më saktë gabimi që u trash deri në zullum.
Përgjigjia që jep zoti Ruçi në këtë drejtim është kjo: “Para të krimit ka pasur edhe në fushatat e tjera, ka pasur edhe në këtë fushatë dhe në këtë kendvështrim duhet të reflektojmë në kodin e ri që ta ndalojmë”. Ndërsa për zotin Tahiri receta që na serviret është se për fajësinë e tij duhet të flasë drejtësia.
Add new comment