Eksperimenti austriak me emigrantët
Qeveria e re austriake do të jetë në vëmendjen e vendeve europiane pasi ka në përbërje të saj Partinë e Lirisë, falë prezencës së të cilës, Austria bëhet vendi i parë i Europës Perëndimore që implementon politikat e emigracionit të promovuara nga partitë e ekstremit të djathtë. Marrëveshja me 180 faqe e koalicionit mund të përcaktojë tonin e politikave të ngjashme në vende të tjera të BE-së apo më gjerë në Perëndim.Lidhja mes Partisë Popullore, e drejtuar nga 31-vjeçari Sebastian Kurz, dhe kundështares së fortë të emigracionit, Partia e Lirisë, erdhi pas vendimit të Sebastian Kurz, sipas të cilit austriakët janë lodhur nga politikat e partive të qendrës me koalicione si ai i partisë së tij me socialdemokratët. Vetë Kurz, i cili e filloi karrierën e tij me portofolin e integrimit, vendosi të niste negociatat paszgjedhore më parë me liderin e Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache, sesa me partitë partnere dhe rivale të së majtës së qendrës. Strache ka pas krahëve një histori lidhjesh me nazistët dhe qëndrimet anti-BE. Por ai pranoi të deklarojë pa mëdyshje se Austria nuk do të tentojë shkëputjen nga BE-ja apo zona euro dhe të bëhet pjesë e politikave tradicionale të qendrës së djathtë, si p.sh. mbajtja në nivele të ulëta e borxhit kombëtar.Në këmbim të të qenit në krah të kancelarit Kurz për çështje si ekonomia dhe Europa, ai mori Ministrinë e Jashtme si dhe kontrollin e sigurisë brenda qeverisë, praktikisht Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes. Por mbi të gjitha, ajo që mori është impakti i politikave të saj migratore.
“Politika jonë për emigracionin”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të partive qeveritare, “duhet të jetë e tillë që populli të ketë kapacitetin për ta mbështetur”. Sipas koalicionit të ri, kjo do të thotë rihartimi i ligjit për emigracionin dhe përcaktimi i dallimit mes emigrantëve dhe azilkërkuesve. Praktikisht, të parët duhet të përzgjidhen mbi bazë merite në përputhje me kërkesat e tregut të punës në Austri, ndërsa në lidhje me azilkërkuesit zbatohen ligjet ndërkombëtare, por Partia e Lirisë kërkon që politikat e shtetit të parandalojnë abuzimet.
Në SHBA, propozime të tilla do të përshkruheshin si “veting ekstrem”.
Azilkërkuesit duhet të bëhen gati të heqin dorë nga celularët për analiza nga të cilat do të nxirret se si kanë mbërritur atje, madje edhe kush janë. Nëse nuk arrihet një identifikim i plotë, siç ka ndodhur me azilkërkuesit e mbërritur në vitet 2015-2016, qeveria e re do t’ua refuzojë azilin. Po ashtu, autoritetet do të konfiskojnë çdo sasi parash që azilkërkuesit mund të kenë me vete dhe ta llogarisin si kosto për shërbimet ndaj tyre.
Do të përjashtohen strehimet individuale dhe duhet të hiqet dorë nga konfidencialiteti mjekësor për sëmundjet që konsiderohen të rëndësishme për procesin. Çdo azilkërkues i dënuar për krime do të dëbohet. Procedurat e ankesave për deportim përgjithësisht duhet të kufizohen. Nuk dihet ende nëse këto propozime do të bëhen objekt i ankesave në gjykatat europiane. Ligji ndërkombëtar përcakton trajtim që nuk fyen dinjitetin e emigrantëve dhe parashikon rekurs të plotë juridik. Avokatët e emigracionit me siguri do të kërkojnë një qasje tjetër nga qeveria austriake.
Por edhe pse disa nga pikat më të ashpra, si konfiskimi i parave të azilkërkuesve, janë kundërshtuar, do të jetë e vështirë për të ndaluar koalicionin qeverisës që të krijojë një regjim të ashpër azili, i cili do të pajtohet me rregullat. Austria nuk ka ndërmend të anashkalojë marrëveshjen e riintegrimit të refugjatëve të BE-së siç bëjnë Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke. Ajo thjesht duket se ka ndërmend të krijojë një reputacion të keq në lidhje me azilkërkues të mundshëm. Ideja është që të mbahen "emigrantë ekonomikë" - ata që kërkojnë një jetë më të mirë dhe jo ata që duan t’i ikin persekutimit apo luftës. Austria, nga ana e saj, do të nxisë BE-në për investime të tjera për të shmangur emigrantë të tjerë potencialë, përfshirë edhe fonde për financimin e objekteve të refugjatëve në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Një grup tjetër masash të ashpra ka të bëjë me integrimin në shoqërinë austriake. Ideja e qeverisë është të zhvendoset përgjegjësia për t'u përshtatur me ata që vijnë, pra emigratët duhet të jenë atë që duhet të përshtaten me mënyrën si funksionon shoqëria ku duan të bëjnë pjesë. "Austria vazhdon të ofrojë çdo mundësi për integrim", thuhet në programin e qeverisë. "Ata që i kapin këto mundësi dhe refuzojnë integrimin duhet të presin sanksione". Motoja është "integrimi përmes arritjeve" duke përdorur kurset e gjuhës dhe ato të njohjes me kulturën, të mbështetura nga qeveria. Ata që nuk marrin provimet, mund të gjobiten ose detyrohen të paguajnë kostot. Fëmijët nuk do të lejohen të fillojnë shkollën derisa të kenë njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes. Shtetësia duhet të konsiderohet si shpërblimi i fundit për arritjet si emigrant në Austri.
Programi i qeverisë ka një kapitull të veçantë për luftën kundër “islamit politik”, i përcaktuar shprehimisht si “refuzim i vlerave dhe normave të shoqërisë austriake në favor të islamizimit të shoqërisë”. Në program përfshihet edhe ndalimi i fondeve të huaja për organizatat fetare dhe kontroll i rreptë mbi planprogramin e shkollave dhe kopshteve islame, por edhe i predikimeve në xhami.
Është e vështirë të mendohet se çfarë do t’i shtonin këtij program parti të tjera të ekstremit të djathtë në Europë apo vetë presidenti Trump në SHBA. Nëse Fronti Nacional do të vinte në pushtet në Francë, apo Geert Wilders i Partisë së Lirisë në Holandë, por edhe AfD-ja në Gjermani, ata do të propozonin të njëjtat masa. Por, partitë e djathta skandinave, të cilat janë bërë pjesë e qeverive, nuk kanë qenë kaq të ashpra përsa i përket emigracionit. Kjo e bën Austrinë një eksperiment social.
Ndryshe nga viti 2000, kur Partia e Lirisë, atëherë pak më tolerante, iu bashkua qeverisë, Austria nuk dëshiron largimin nga aleatët e BE-së. Ministrja e Jashtme, Karin Kneissl, nuk është anëtare e parties. Ajo është eksperte e njohur e çështjeve të Lindjes së Mesme, por edhe për qëndrimet e saj kritike ndaj Izraelit dhe botës islamike. Ndërsa Kurz është thjesht djaloshi i posterave për disa prej partive të së djathtës në Europë. Udhëheqësi i liberalëve gjermanë, Christian Lindner, thuhet se është admirues i tij. Pra, qeveria e re austriake mund të perceptohet si diçka e pazakontë, por në të vërtetë nuk është aspak e tillë.
Nëse ia del dhe politikat e saj e çojnë në rezultate pozitive, si reduktim i emigracionit të paligjshëm apo ulje e papunësisë mes emigrantëve, partitë e djathta do ta mbajnë këtë gjë shënim. Ato do të mbrojnë qasje të ngjashme ndaj emigracionit për të kundërshtuar kështu kërcënimin që paraqesin partitë populiste. Por edhe vetë populistët do ta ndjekin me kujdes eksperimentin austriak: ai mund t’i ndihmojë të dalin nga opozicioni i pashpresë dhe të kërkojnë rrugë të reja për të bashkuar forcat me partitë e mëdha, duke përshtatur për vete një imazh më të përgjegjshëm dhe të respektueshëm.
Megjithatë, suksesi mund të jetë i pakapshëm për koalicionin austriak. Përpjekja për të izoluar një vend europian që mbetet i dëshirueshëm nga dallga e madhe e emigracionit të viteve të fundit, i ngjan përpjekjes për të lidhur një digë që shpërthen me një të prekur të gishtit. Integrimi nuk mund të arrihet me masa ndëshkuese dhe kurse të detyrueshme. Përgjegjësia duhet të jetë edhe e shoqërisë pritëse dhe jo vetëm e emigrantëve. Austria mund të përpiqet ta injorojë këtë fakt për një cikël zgjedhjesh ose dy, por votuesit do të përdorin votën për t’i ndaluar këto masa nëse ato krijojnë armiqësi në komunitetet e emigrantëve dhe e bëjnë vendin më të pasigurt.
/Bloomberg /TemaTv
Add new comment