Kryeministri merr nën kontroll direkt Agjencinë e Zhvillimit të Territorit - lejet në dorë të Ramës
Kryeministri Edi Rama duket se ka vendosur të marrë nën kontroll të drejtëpërdrejtë administrativ dhe juridik çdo vendimmarrje të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave të marrë në datën 13 dhjetor 2017, normohen varësi të reja të Agjenicisë e cila sipas përcaktimit të VKM-së nr. 795 të vitit 2015 “kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit”. Konkretisht Agjencia pranon dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim në KKT, organizon mbledhjet dhe çka ka më shumë rëndësi,
kryen monitorimin e zhvillimeve në territor, nëpërmjet regjistrit të integruar të territorit, për të përgatitur raportin përkatës dhe për të informuar Këshillin Kombëtar të Territorit e autoritetet e tjera që kanë përgjegjësi në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit
Pikërisht këtë VKM, qeveria e ka amenduar në dy drejtime: një në kalimin e varësisë së Agjencisë nga ministri i linjës drejt Kryeministrit apo Kryeministrisë dhe duke hequr termin regjistër i integruar i territorit për ta zëvendësuar me sistemin e-leje që është edhe mënyra e re e aplikimit, elektronike, me ndërveprim dhe e administrueshme më shpejt si arkivë.
Konkretisht ndryshimet prekin këto aspekte:
- Në pikën 1, të kreut I, “Dispozita të përgjithshme”, fjalët “...ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, në vijim ministri...”, zëvendësohen me emërtimin “Kryeministrit”.
Pika 1 e VKM-së nr. 795, thotë:
Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në vijim Agjencia, organizohet dhe funksionon në përputhje me këtë vendim dhe me ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. Agjencia është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, në vijim Ministri, me seli në Tiranë
Të gjitha ndryshimet e bëra në mbledhjen e datës 13 dhjetor 2017, reflektojnë këtë zëvendësim varësie. Konkretisht pika 2 e kreut I, “Dispozita të përgjithshme”, pika 1 e kreut II, “Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë”, por edhe pika 2 e kreut II, “Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë” ndryshohen, ndërkohë që kryeministri merr në dorë emërimin dhe lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të AZHT-së.
“Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, i cili është, njëkohësisht, drejtor i një drejtorie, emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm”, përcaktohet në vendimin e ri.
Një tjetër ndryshim esencial është edhe ai që flet për Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë të cilës aktualisht I shtohet edhe përgjegjësia për
“...dhe zhvillimin e territorit...”.
Pika f. e kreut III I jep të drejtë AZHT-së për të
ofruar mbështetje ndaj njësive të qeverisjes vendore në proceset e tyre të zbatimit të instrumenteve të drejtimit të zhvillimit, sipas legjislacionit për planifikimin
dhe me ndryshimin e tanishëm edhe për “ZHVILLIMIN E TERRITORIT”.
Siç shihet ndryshimet e bëra thjesht e kthejnë AZHT-në në një sekretariat të kryeministrit për çështjet e lejeve zhvillimore, apo për planifikimin e territorit.
Add new comment