Pakti ekziston, ai nuk mund të firmoset për momentin

Postuar në 13 Dhjetor, 2017 12:31

Një ditë pasi ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi ambasadorin amerikan Donald Lu për konflikt interesi në raport me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kryetari aktual i PD-së, ka dalë me një qëndrim politik që në thelb zyrtarizon nisjen e negociatave me mazhorancën e Edi Ramës.

Sot z. Basha deklaroi në një takim me gazetarët se “Një mandat në shkelje të Kushtetës është pa mandat juridik. Kjo është një rrugë antikushtetuese. Ne do të ndërmarrim çdo hap dhe do ta denoncojmë. Ne nuk do ta pranojmë kurrë që ta emërojmë Edi Ramën edhe Prokuror të Përgjithshëm përvçse Kryeministër për të mbyllur dosjen”.

Në raport me procedurën që ka nisur tanimë Kuvendi i Shqipërisë ky qëndrim politik e vendos PD-në para perspektivës paradoksale, kur një Prokuror që zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë, sipas saj është antikushtetues dhe pa mandat. Çka do të thotë se çdo akt që do të ndërmerret nga ajo zyrë për PD-në, do të konsiderohet nul. Nuk dihet se cilat janë hapat që do të ndërmarrë PD-ja, por Basha ka shmangur idenë e një kalimi në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar mendim.

Ndërkohë që të dyja palët bien dakord se prokurori i ri nuk do të ketë fuqi të bëjë shumë, sërish retorika politike e kërkon që ideja e një hileje të mbahet gjallë. Mjaftojnë deklaratat e z. Lu për të përhapur mendimin se kundërshtimi i PD-së lidhet me frikën e arrestimeve, ndërkohë që vetë opozita i përmbahet parimeve kushtetuese dhe thotë se me prokurorin e ri, Edi Rama do të mbyllë disa dosje. Në sfondin e kësaj përplasjeje artificiale dhe të organizuar qëndron ftesa e kryeministrit për një pakt.

Duket se PD-ja është dakord për një pakt, por ajo duhet të rregullojë pozitën e vet në momentin e pranimit të tij. Rruga e zgjedhur nga opozita për Prokurorin është pa dalje juridike, pasi miratimi nga Kuvendi i një zëvendësuesi të Llallës që do të përshëndetet nga dy diplomatët kryesorë në Tiranë, e fut vendin në hullitë e një debati që nuk do mbarojë, veçse me zgjedhjen e prokurorit të ri. Është e vështirë të mendohet se çfarë mund të bëjë një prokuror i përkohshëm në kushtet e një presioni politik maksimal dhe dështimi i konstituiimit të KLP-së e zgjeron afatin e kohëzgjatjes së krizës. PD-ja qysh sot po përgatit bazën e kundërshtive të nesërme, pasi me antikushtetueshmërinë e arsyetuar të zgjedhjes së një prokurori të përkohshëm, procesi normal i zëvendësimit të Llallës po shndërrohet në një kazus politik dhe platformë e sulmit opozitar. Ne jemi dëshmitarë sesi degjeneron situata dhe besueshëmria e vetë institucioneve kur palët në politikë adoptojnë interpretime të kundërta juridike. Kjo është parë me zgjedhjet, por edhe me diskutimin e reformës në drejtësi.

Nëse shohim atë që po gatuan sot politika, është e dukshme se Basha, për shkak të defiçencës në argumente që po jep shumica, po rindërton modelin e çadrës dhe lëshimit në moment të fundit. Vetëm se në atë kohë ai mendoi se fitoi nga një marrëveshje që mandej e nxori të humbur dhe përmes të cilës armiqësoi shumë njerëz. Është e vërtetë se agresiviteti i PD-LSI mund të paralizojë veprimin real të një prokurori të përkohshëm, apo edhe të kompromentojë çdo veprim të tij për dosje si Tahiri, Gjiknuri etj., por në themel ky është vetëm një instrument pazari për të shtyrë në kohë vënien në veprim real të organit të akuzës.

Në kushtet kur Shqipërisë i është dhënë një shans për hapjen e negociatave, kushtëzuar me reformat dhe drejtësinë që vepron, pakti me PD-në po rrit çmimin e vet. Me dallimin se PD-ja ka dy koka, krahas kokës së tretë, LSI-së, të cilat perceptojnë se janë viktima të programuara të reformës në drejtësi. Në këtë kuptim, çdo Pazar i Lulzim Bashës mund të jetë shumë i hidhur, por edhe i kushtëzuar në maksimum pasi askush nuk preferon të shijojë më suprizat e 18 majit.

Jo më kot z. Berisha qëndron në krye të sulmeve ndaj Donald Lu dhe Edi Ramës në këtë drejtim, duke u kujdesur të shfaqet përherë - edhe dje në intervistën për ABC NEWS - se ai është garant i z. Basha në parti. Z. Basha nuk e ka fare problem se kush shkon në burg, mjafton që kjo gjë mos të cenojë pozitën e vet në krye të PD-së. Por me Berishën dhe Metën vërdallë, ai edhe sikur të dojë e ka shumë të kufizuar manovrën dhe kapacitetin për një pakt me Edi Ramën, që po e afron me qëndrime gjoja parimore.

Në fund, ka edhe një sfidë që lidhet me Edi Ramën. Nëse prokurori i përkohshëm do të përshpejtojë çështjen Tahiri, nisur edhe nga fakti se kryeministri lau duart me ish-ministrin e Brendshëm, kjo lojë do të përfundojë shumë shpejt. Dhe mandej PD-së do t’i duhet seriozisht të rikonsiderojë pozicionin e vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.