Sporti i preferuar i ligjbërjes
Qeveria e Edi Ramës u përball për herë të parë me sfidat ekonomike të përmbytjeve në vitin 2015. Në ndryshim nga qëndrimet e vitit 2011, kur PS-ja ishte në opozitë, Rilindja e pushtetit nisi të fliste për tërbimin e motit, apo një cikël që ndodhte një herë në 75 vjet. Qeveria deklaroi se i shleu një për një dëmet e të dëmtuarve dhe për këtë thirri me hir e me pahir edhe bizneset që të kontribuonin.
Argumenti i tërbimit të motit është afatshkurtër dhe këtë ata që drejtojnë e dinë shumë mirë. Një qeveri normale është e detyruar të ndryshojë modelin e qasjes për këtë ëështje shumë të rëndësishme. Por heshtja që pasoi për dy vjet lidhet me arsye thjesht elektorale, por edhe sociale.
Së pari, trajtimi ndryshe për zgjidhjen ekonomiko-financiare në situate të fakteqësive natyrore, nuk mund të ndërmerrej në një vit elektoral, apo një vit para zgjedhjeve. Nga ana tjetër viti 2016 ishte vit i qetë dhe për rrjedhojë nuk u pa nevoja e ndërhyrjeve, ndonëse projekligji që përfshin edhe sigurinë e pronës, është propozuar.
Sot, kryeministri ndodhet në një situatë paradoksale, për të cilën kontribuon edhe vetë. Nga njëra anë duhet të japë zgjidhje, nga ana tjetër duhet të fshehë dëmet. Është një betejë e kotë dhe që nuk ëon asgjëkundi. Duke u ruajtur se mos akuzohet se po shton një taksë të re, z. Rama ka përmendur sot nevojën e sigurimit të pronës. Kjo është mëse normale, por siç ndodh rëndom në Shqipëri, puna është si do të bëhet kjo. Pasi vendi ynë është rast shumë specifik në këtë drejtim.
Z. Rama foli për nevojën e një ligji të ri. Sesi do të formulohen dispozitat e tij kjo mbetet për t’u parë, por realiteti është shumë kompleks sa të trajtohet në mënyrë të njëanshme.
Së pari sjellim në vëmendje atë që kreu i ri Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koëi, tha për sigurimin e pronës, në një intervistë të pak javëve më parë:
“Niveli aktual i njohurive dhe kulturës financiare është ende i tillë që nuk nxit iniciativën për sigurimin vullnetar të pronës. Në anën tjetër, bërja e sigurimit të pronës të detyrueshëm është një vendimmarrje politike, që kërkon një analizë të thellë dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve. Por në lidhje me këtë çështje nuk ka pasur asnjë zhvillim konkret. Unë e ritheksoj se përpara se të vendoset në ligj një detyrim për qytetarët, duhet që të rritet besimi i tyre, t’u garantohet mbrojtja nga abuzimet dhe të kemi një treg sa më funksional. Shërbimi që ofrohet duhet t’i përgjigjet nivelit të detyrimit që do të paguajë çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë”.
http://www.monitor.al/sfida-e-mbikeqyrjes-se-tregjeve-2/
Nëse lexoni intervistën e z. Koçi, aty theksohet disa herë nevoja e rikthimit të besimit të konsumatorit. Dhe për këtë ka arsye shumë të forta, që lidhen sidomos me përvojën e qytetarëve me kompanitë e sigurimeve që kanë krijuar situatë monopol në treg, por edhe sepse ato kanë një borxh të pashlyer ndaj qytetarëve prej 1.34 miliardë lekësh që nga viti 2002. Le të kujtojmë këtu, se qeveria e z. Rama ndërmori masa favorizuese ndaj këtyre kompanive në buxhetin e vitit 2015, por asgjë nuk ndryshoi. Dhe le të shtojmë akoma më tej, se qeveria nuk ka lëvizur nga vendi, as edhe kur Autoriteti i Konkurencës ka vënë në dukje situatën oligopol në tregun e sigurimeve.
Ky është vetëm njëri problem që do të duhet të zgjidhet patjetër.
Problemi tjetër është se sigurimi i pronës në një vend si Shqipëria që duket se bën pjesë në hartën e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, është shumë i vështirë. Nëse shohim zonat që preken zakonisht nga përmbytjet, ato përgjithësisht kanë dy karakteristika: ose janë zona depresioni ku nuk rekomandohet ndërtimi i banesave, ose përmbytja ndodh për shkak të dëmtimit të kanaleve kulluese dhe veprave të tjera.
Në të dyja rastet shteti – dhe me të edhe qeveria aktuale – mban përgjegjësi sepse ka toleruar degradimin e një situate të tillë.
Cila është ajo kompani që do të pranojë të sigurojë një pronë që është përherë në zonë rreziku?
Me siguri vetëm ajo që ka garanci nga paratë publike apo garancitë politike, por këtu vetëm me logjikë ekonomike dhe tregu nuk kemi të bëjmë.
Projektligji aktual flet për një Ent Qendror që do të merret me këtë çështje, por siç mund të merret me mend, ai është vetëm një hallkë më shumë në procesin e koncesionimit të të drejtave. Pra kompanitë private nuk mund të nxirren nga loja. Pa folur këtu se privatizmi i INSIG pasi u la të shkonte në falimentim është një precedent që nuk ka pse të përsëritet nën emra të tjerë.
Nëse i referohemi praktikës europiane, aty shihet se politikat në këtë drejtim, bazohen mbi studime të vërteta dhe jo hamendësime apo nga nevoja për zgjidhje emergjente.
https://ec.europa.eu/info/business-economy-euro/banking-and-finance/insu...
Kur flitet për fatkeqësi natyrore, nënkuptohen shumë gjëra dhe kur kërkohet parashikimi për të ndërtuar mandej politika të reja sigurimi, duhen studime të vërteta.
A i disponon qeveria shqiptare këto? A ka ajo seriozitetin për ta bërë një gjë të tillë? Z. Koçi thotë se shqiptarët nuk kanë besim në treg, por me siguri më i paktë është besimi edhe te qeveria.
Pasi është e kollajtë të flasësh për ligje të reja, por sa zbatohen ato vallë?
Kur kompanitë që duhet të ishin pika e referencës për zgjidhjen, vetëm sa pasurohen jo ndershmërisht, pa iu hyrë gjemb në këmbë, pa shlyer detyrimet e veta, atëherë, me të drejtë mund të akuzojmë se jo vetëm që po na vihet një taksë, por madje po na shtohet një gjobë.
Qeveria duket sikur po do të hiqet mënjanë nga përballja me një problem nga i cili nuk mund të shpëtojë. Mjafton të kujtojmë se çfarë ndodhi me protestën e Zharrëzës e cila në vend se të përfundonte në Gjykatë, kaloi nga xhepat tanë. Sërish për dritshkurtësi të saj dhe deficencë të modelit si zgjidhen punët në Shqipëri.
Add new comment