Mblidhet Komiteti i Krizave, jemi në prag përmbytjesh
Moti i keq dhe parashikimet për reshje me intensitet të lartë në ditët në vijim kanë shtuar frikën e përmbytjeve.Zyrtarisht thuhet se në bazë të parashikimeve të motit, në orët dhe ditët në vijim pritet një situatë e rënduar e reshjeve të shiut, të cilat mund t’i kalojnë nivelet normale. Pasojat e motit kanë shkaktuar viktimën e parë në Kurjan të Fierit, ku një elektriçist ra në kontakt me energjinë elektrike.
Zyra për shtyp e kryeministrit bëri të ditur se me iniciativë të kreut të qeverisë u mblodh Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave për ta analizuar gjendjen e krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe pritshmërinë e zhvillimit të saj.
Prefekturat e vendit, autoritetet përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike, mirëmbajtjen e rrugëve dhe kanaleve kulluese, ato të arsimit, të shëndetësisë, të mjedisit, të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit kanë marrë detyra të detajuara për përballimin e situatës.
Ministria e Arsimit njoftoi pezullimin e mësimit për datat 30 Nëntor dhe 1 Dhjetor. Sipas qeverisë deri tani gjendja është nën vëzhgim e kontroll të plotë, por kërkohet një kujdes të shtuar nga të gjitha institucionet, entet publike e private, si dhe të gjithë qytetarët.
Add new comment