Shteti në këmbë për imazhin e Ramës dhe Bulqizës
Pas reportazheve në mediat italiane për fëmijët e Bulqizës, zyrtarët rajonalë dhe lokalë janë mbledhur në jë takim për të ndaluar shfrytëzimin e fëmijëve në stoqet e kromit. Sipas prefektit të qarkut Dibër, Nexhmedin Shehu, institucionet duhet të shohin mundësinë e futjes së këtyre familjeve në skema punësimi dhe ndoshta duhen siguruar donacione për të lehtësuar vështirësitë ekonomike të familjeve, fëmijët e të cilave ngjiten në stoqet e kromit, mbi qytetin e Bulqizës.
Nga ana tjetër, përgjegjësja e Zyrës Arsimore Bulqizë, Bedrie Manjani, është shprehur se është kundër mendimit të dhënë nga drejtoresha e shkollës, e cila pohoi se nxënësit jashtë orarit të mësimit mund të mbledhin krom në afërsi të banesave të tyre, pasi kështu ata edukohen me ndjenjën për punën. Manjani shtoi se do të mbante qëndrim ndaj vartëses që u shpreh kështu publikisht.
“Do të marr masë disiplinore ndaj drejtoreshës së shkollës pasi nuk lejohet që fëmijët të mbledhin krom. Ne do t’i evidentojmë këta nxënës nëpërmjet mësuesve kujdestarë dhe do t’ua bëjmë të ditur strukturave shtetërore. Shkolla do të listojë të gjithë nxënësit që nuk shkojnë në shkollë dhe do t’ia bëjë të ditur Policisë lokale dhe familjes” nënvizoi Manjani.
Për shefin e Komisariatit të Bulqizës, Arben Keshi, zgjidhja duhet kërkuar në një mënyrë tjetër. Ai tha se institucionet shtetërore duhen të angazhohen seriozisht dhe të bllokojnë e ndëshkojnë firmat private që grumbullojnë krom nga fëmijët, raporton Panorama.
Gjithë ky angazhim për të dnryshuar imazhin e Bulqiëzës vjen pas përplasjes që kryeministri pati me gazetarët e "Le Iene" në Itali, për të cilët tha se kishin përdorur pamje arkivi për reportazhin në Bulqizë, por më pas Rama përgënjeshtroi veten duke pranuar se ishte informuar gabim.
Add new comment