BERZH rendit dy treguesit e dobët të Shqipërisë
Qeverisja e mirë dhe konkurrenca në treg janë dy treguesit më të dobët që ka Shqipëria në renditjen që bën raporti i Tranzicionit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. BERZH rekomandon që vendi ynë të ndërmarrë politika më fleksibël për të stimuluar lirinë e tregut dhe për të përmirësuar shërbimet në administratë.
Mes 10 vendeve të rajonit, Shqipëria qëndron e shtata në indeksin e këtyre treguesve, duke lënë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën. Tjetër pengesë në të bërit biznes në Shqipëri, BERZH sheh edhe aksesin e ndërmarrjeve në rrjetin e energjisë elektrike. “Mjaft firma në Shqipëri, Egjipt, Kosovë, Liban dhe Taxhikistan raportojnë humbje nga 2 deri në 7% të prodhimit të tyre për shkak të ndërprerjeve të energjisë. Këto norma janë një barrë të konsiderueshme”, thuhet në raportin e Trazicionit.
BERZH rekomandon që Shqipëria të vazhdojë investimet në projektet e rrugës, por sidomos në sektorin e energjisë në mënyrë që të arrijë vendet e zhvilluara. Vendit tonë i nevojiten afro 1.2 miliard euro investime në të dy sektorët.
Add new comment