105 vjet Pavarësi
Kanë kaluar 105 vjet dita e asaj që historiografia shqiptare e njesh si Shpallja e Pavarësisë. Një datë e shënuar, me gjasë akti më i rëndësishëm politik i elitës shqiptare qysh nga koha e përballjes fillestare me osmanët, që bashkë me vendimet e Kongresit të Manastirit më 1908, përcaktuan paradigmën e shtetit dhe kombit shqiptar drejt Perëndimit.
105 vjet më pas, Shqipëria dhe Kosova vërtiten në skenën ndërkombëtare si shtete të dështuara, me kredibilitet të ulët, por që formalisht askush brenda tyre nuk ka guxuar të sfidojë orientimin e përgjithshëm. Ndoshta këtu qëndron edhe forca e kësaj date, si një shenjues, më shumë sesa një fillim i një historie suksesi.
Liderët shqiptarë kanë bërë zakon të thonë se sot shqiptarët janë më të lirë se më parë dhe nga një pikëpamje, vërtet, shqiptarët arritën në masë të madhe një nga aspiratat e Pavarësisë: shkëputjen nga sundimi i huaj. Por përtej kësaj Lirie shfaqet më kërcënuese se asnjëherë, sfida e aspiratës së të drejtave, e drejtpeshimit social dhe përballjes me një korrupsion që mishërohet tek ata që sot drejtojnë vendin. Liria për të cilin mburret shumëkush nuk ka kuptim pa spastrimin e kësaj elite, e cila e ka bërë hapësirën shqiptare një zonë ikjeje permanente, edhe pse në mënyrë cinike ia del të tubohet dhe festojë me flamuj të shumtë. Për këtë arsye, pas 105 vjetësh, më shumë sesa si festë, duhet edhe një reflektim për psenë e kësaj katandisjeje që nuk po soset.
Add new comment