"Spanja duhet ta njohë Kosovën. Do të fitonte një argument më shumë për të mbajtur Katalonjën"
Katalonja dhe Kosova. Spanja duket se po sillet njësoj si Rusia, kur për një problem të vetin të brendshëm sjell në vëmendje një precedent ndërkombëtar, të zgjidhur në mënyra dhe kushte të tjera. Qëndrimi i Spanjës favorizohet edhe nga paaftësia e plotë e BE-së për t’iu përgjigjur sfidës katalonjase, ndërkohë që në kontekstin e një debati, çështja ngjan më e qartë për t’u trajtuar.
Në një opinion me autor diplomatin Fredrik Wesslau, publikuar në faqen e European Council on Foreign Relations, merret në shqyrtim qëndrimi i Madridit zyrtar, i cili me krahasimin që bën mes Kosovës dhe Katalonjës, vendos pikëpyetje të mëdha mbi politikën e jashtme të BE-së në Ballkan.
”Liderët spanjollë kanë adoptuar një linjë të vendosur kundër separatizmit për shkak të separatistëve brenda shtëpisë së tyre në rajonin bask dhe në Katalonjë. Si rezultat, Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Logjika është e qartë: nëse Madridi pranon se Kosova ka të drejtën e Pavarësisë, e njëjta kërkesë a nuk duhet t’i lejojë Katalonjës të njëjtin opsion”, shkruan Wesslau.
Pika e dobët e kësaj qasjeje sipas autorit në fjalë, qëndron te paaftësia, apo mungesa e dëshirës për të dalluar mes Katalonjës dhe Kosovës. Dhe sipas Wesslau dallimet janë thelbësore.
“Qeveria e Madridit po vetëpërcaktohet si e paaftë për të dalluar mes asipratave legjitime për vetëqeverisje dhe separatizmit destabilizues. Më keq se kaq, Madridi po sinjalizon pa dashje se Katalonja mund të ketë një rast për pavarësinë e saj”, shkruan ai.
Duke vijuar me një sqarim rreth konceptit të separatizmit dhe vetëqeverisjes, Wesslau nënvizon se që një shtet të ndahet, do të duhej që autoritetet e tij, në raport me të drejtat siç sanksionohen nga e drejta ndërkombëtare, të kryejnë mizori. Dhe Kosova e përligj këtë kërkesë në vitet ’90 të Sllobodan Millosheviçit.
Ndërhyrja e NATO-s apelon për përgjegjësinë e aktorëve ndërkombëtarë për zbatimin e të drejtave, të cilat janë përgjegjësi e një shteti Sovran, i cili kur dështon atëherë vetiu ka autorizuar një tjetër autoritet që buron nga ai rend ndërkombëtar ku ky shtet aderon.
“Duke njohur Kosovën, Madridi do dëshmojë se ka një bazë të fortë për ta mbajtur Katalonjën”, shkruan Wesslau.
“Do të dërgonte një mesazh se mbështet aspiratat legjitime të njerëzve të shtypur dhe merr seriozisht angazhimin e vet ndaj të drejtave universale të njeriut”, vijon ai.
http://www.ecfr.eu/article/commentary_spains_kosovo_catalonia_conundrum_...
Opinioni meriton të sillet edhe si një mënyrë e duhur në qasjen ndaj problemit në fjalë, por edhe si pjesë e argumentimit në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk e kemi parë një angazhim të tillë nga drejtues të të dy vendeve që dinë vetëm të lëshojjë budallallëqe provokuese për bashkim kombëtar në intervista të ndryshme për mediat e huaja.
Do të ishte e udhës që përpjekja të përqendrohej te arsyetimi i legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës tek ata aktorë që e refuzojnë atë, të propagandohej gjerësisht dhe me këmbëngulje drejtësia e ndërhyrjes së vitit 1999, si një mënyrë për pranimin e Kosovës si një realitet për të cilin europianët duhet të pranojnë përgjegjësitë e veta, përtej vështrimit si një kopësht i SHBA-së. Sigurisht pavarësia e Kosovës nuk ka kthim, por nuk do të ishte e pëlqyeshme që njësoj si me Jugosllavinë, rishikimi i rendit ndërkombëtar nesër, ta gjente hapësirën shqiptare si rajonin më të përshtatshëm për të vizatuar kufij të rinj.
Add new comment