Ndalohet pirja e duhanit në filma, ndodh në Francë
BE është shprehur pozitivisht ndaj idesë së Francës për ndalimin e pirjes së duhanit në filma. "Komisioni mirëpret të gjitha hapat e ndërmarra nga vendet e BE për të luftuar pirjen e duhanit veçanërisht në mesin e të rinjve"- tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anca Paduraru.
Gjatë diskutimit në Senat për rritjen e çmimeve të cigareve, ministrja franceze e Shëndetësisë, Agnes Buzyn, theksoi se është e gatshme të ndërmarrë "veprime vendimtare" për të luftuar pirjen e duhanit dhe ndalimin në filmat francezë. “Nuk e kuptoj, pse cigarja është kaq e rëndësishme në kinemanë franceze”-theksoi Buzyn.
Edhe senatorja socialiste, Nadine Grelet-Certenais u shpreh kundër filmave francezë që sipas saj promovojnë reklamimin e duhanit. "70% e filmave të rinj francezë përfshijnë të paktën një skenë të një aktori që pi duhan. Kjo pak a shumë kontribuon në përhapjen e përdorimit të duhanit dhe e promovon atë tek fëmijët dhe adoleshentët"- tha Grelet-Certenais.
Ndërsa Dominick Nguyen nga Rrjeti Evropian për Parandalimin e Pirjes së Duhanit (ENSP) thotë se «një veprim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtim të luftës kundër duhanit, sidomos në mesin e të rinjve". "Në Francë, më shumë se ¼ e adoleshentëve të moshës 15 vjeçare janë duhanpirës të rregullt. Çdo iniciativë që i pengon ata të jenë objektiv i industrisë së duhanit konsiderohet e dobishme për t'i mbrojtur ata nga jetë e varësia e vesit”.
Nga ana tjetër, Drejtori i Forest EU, Guillaume Périgois beson se një masë e tillë është "censurë e çuditshme". "Fakti që karikaturat për fëmijë nuk tregojnë skena të pirjes së duhanit është e mirë. Megjithatë, filmat për audiencë më të madhe duhet të jenë në gjendje të pasqyrojnë jetën reale, jo një botë pa tym. Në pjesën më të madhe të botës perëndimore, përfshirë Francën, 1/4 e 1/3 e popullsisë së rritur e pi duhanin"- tha ai.
Direktiva e rishikuar e produkteve të duhanit në BE hyri në fuqi në maj të vitit 2016 dhe paraqiti kontrolle më të rrepta mbi konsumin e duhanit. Kështu 65% e sipërfaqes së një pakete duhet të përfshijë imazhet paralajmëruese të efekteve shëndetësore.
http://www.protothema.gr/world/article/733954/i-komision-epikrotei-ti-ga...
Add new comment