Investimet ‘strategjike’ në turizëm ngrihen mbi prona të kontestuara

Postuar në 13 Nëntor, 2017 23:33
Lindita Çela

Ndërtimi i karabinave në plazhin e Palasës në jug të Shqipërisë thuajse ka përfunduar, një vit pasi kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, firmosi lejen për ndërtimin e resortit turistik “Green Coast.”

Ky resort është vlerësuar nga qeveria shqiptare si një investim strategjik në turizëm, çfarë i siguron investitorit mbrojtje shtesë ligjore deri në shpronësim për interes publik ndaj pretendimeve mbi pronësinë e tokës ku po ndërtohet.

Kjo mbrojtje e ofruar nga qeveria për investitorin e përzgjedhur prej saj shihet si një padrejtësi e madhe nga banorët e bregut si Aleko Lati, i cili pretendon se një pjesë e tokës që është përcaktuar zonë për investime strategjike në turizëm, i përket familjes së tij dhe është tjetërsuar nëpërmjet falsifikimeve- të cilat janë hetuar dhe provuar edhe nga Task Forca e ngritur nga qeveria për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në jug.

“Pretendues këtu dalin një tiranase dhe një tepelenas të cilat kanë blerë tokën në bazë të një dokumenti  fallco-gjithë kjo sipërfaqe që nga delta e përroit,” tha Aleko Lati.

“Këtu bëhet një biznes i pastër dhe kemi një shndërrim të firmave piramidale të 97’-ës në firmat  piramidale të pronave të bregdetit,” shtoi ai.

Resorti që do zgjerohet  mbi tokën që pretendon Aleko Lati nuk është i vetmi investim strategjik i planifikuar në Riverën shqiptare.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm në Palasë janë planifikuar tre investimeve strategjike. Ndërkohë, plani i përgjithshëm vendor për bashkinë e Himarës, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit me 16 Tetor përfshin në total 7 zona për investime strategjike në turizëm, të cilat shtrihen në një sipërfaqe totale pre 365 hektarësh.

Pak kilometra më tutje në Dhërmi, në zonën e quajtur Perivolo, Irini Bua shikon çdo ditë se si në pronën që ajo thotë se e ka trashëguar nga të parët, po ndërtohet me firmën e kryeministrit një resort tjetër turistik i quajur ‘Ionian Olea’ -i vendosur gjithashtu në një zonë për  investime strategjike në turizëm

Edhe pse Bua ka bërë padi në prokurori për pronën dhe ka një urdhër gjykate që ndalon tjetërsimin e saj deri në përfundim të hetimeve, ajo shprehet se shitjet kanë vazhduar.

“Mbas vendimit të gjykatës që bllokon pronën  deri në shqyrtimin e çështjes këtu janë bërë shumë shitblerje, prona është tjetërsuar komplet,” tha Bua.

Bua endet prej vitit 2002 dyerve të gjykatave dhe thotë se nuk do të heqë kurrë dorë nga e drejta e saj mbi pronën e trashëguar, ku ka si shpresë të fundit Gjykatën e Strasburgut.

Të pyetur nga BIRN, drejtori i projektit “Green Coast”, Ervin  Kajno si dhe investitorët e projektit “Ionian Olea” Mirela Papuli dhe Artan Dumi, thanë se janë në dijeni te pretendimeve për pronësisë e tokës ku ato po ndërtojnë.

Investitorët shtuan se ata nuk janë pronarë të tokës, por kanë nënshkruar kontrata zhvillimore me subjektet që kanë pasur dokumente të certifikuara, të cilat nëse hidhen poshtë nga gjykatat ose institucionet e tjera shtetërore, ata do t’i respektojnë duke i kaluar përqindje të projektit tek personat që do të arrijnë ta argumentojnë ligjërisht pronën e tyre.

“Ne nuk kemi blerë asnjë pronë tashmë, pasi  jemi në dijeni të problematikës që ka zona sa i përket çështjeve të pronësisë, qoftë për shkak të mbivendosjeve ashtu dhe të konflikteve që kanë palët me njëri- tjetrin,” tha Ervin Kajno.

“Për këtë arsye ne po nënshkruajmë vetëm kontrata zhvillimore me personat që kanë dokumente  të certifikuara. Po kështu, në rast se nesër, personat me të cilët ne po  nënshkruajmë  kontrata zhvillimore do të atakohen me vendime gjykate apo dhe nga institucionet e tjera shtetërore, ne jemi të hapur që përqindja e interesit t’i kalojë individit që arrin të argumentojë ligjërisht pronën e tij,” shtoi ai.

Investitorët e projektit ‘Ionian Olea’, mbajtën një qëndrim të ngjashëm.

“Jemi më dijeni të konflikteve, ne si kompani nuk kemi blerë prona, ndaj dhe nuk jemi pronarë të tokës, por kemi kontrata zhvillimore, që do të thotë se nga zhvillomi i zonës në bazë të marrëveshjes pronarët do të përfitojnë përqindjet e tyre sapo objekti të vihet në punë,” tha Mirela Papuli për BIRN.

Përveç Palasës dhe Dhërmiut, plani i ri vendor i Himarës ka vendosur njolla për investime strategjike në turizëm në gjiret më të bukura të bregdetit të jugut, si në Jalë, Porto Palermo dhe Kakome. Gjiri i Kakomesë ka qenë piketuar që në vitin 2004 për ndërtimin e një resorti turistik, por ky projekt nuk u realizua pasi konfliktet e pronësisë midis banorëve dhe investitorëve mbeten akoma pa u zgjidhur.

Për më shumë se një dekadë, banorët e fshatit Nivicë kanë bërë betejë ligjore dhe protesta, për fituar të drejtën e pronësisë për plazhin e Kakomesë, që tashmë rezulton i regjistruar në emër të një shtetasi bullgar.

Ish kreu i komunës Lukovë Vladimir Kumi, shprehet se pa një marrëveshje me banorët e fshatit, çdo investitor që do të pretendojë të ndërtojë në Kakome, qoftë ky strategjik apo jo, do të pritet me protesta.

“Juridikisht deri sa unë isha drejtues  i komunës Lukovë ky proces mbeti në koma, por më pas u mbyll pasi unë nuk kam legjitimet më për ta ndjekur atë çështje,” tha Kume.

“Duhet një drejtues i pushtetit vendor për ta ndjekur. Eksperienca ka treguar që jo vetëm protesta por mund të shkoj dhe më keq akoma,” shtoi ai.

Jorgo Goro, kryetari i bashkisë Himarë shprehet se pushteti vendor ka pak zë kur vjen puna tek investimet strategjike. Megjithatë, Goro shton se çdo investitor që do të vijë dhe të ndërtojë në Rivierë, bën mirë që më parë të zgjidhë problemet e pronësisë me banorët.

“Në bazë të strategjisë  që ka qeveria  shqiptarë ne jemi të detyruar të hedhim mbi planin tonë të gjitha investimet strategjike që në territorin tonë,” tha Goro.

“Aty ku kanë filluar çështja e pronës është e zgjidhur. Atje ku do të fillojnë, patjetër,  detyrimisht duhet të zgjidhjet çështja e  pronës sepse investitori strategjik nuk mund të hyj  në një zonë që çështja e pronës nuk është e zgjidhur,” shtoi ai.

Ligji për investimet strategjike u miratuar nga Kuvendi në vitin 2015. Ai i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë, duke i mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë.

Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.

Ndryshe nga investitorët strategjikë, banorët e Bregut nuk i gëzojnë këto lehtësi. Megjithatë, ata shprehen se e drejta e pronës është e garantuar nga Kushtetuta dhe se ata do të vazhdojnë të luftojnë me çdo mjet ligjor dhe demokratik në mbrojtje të saj.

https://www.reporter.al/investimet-strategjike-ne-turizem-ngrihen-mbi-pr...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.