Arrestime në Kapshticë, reagon Dogana: Puna vijon normalisht
Policia e Korçës ka njoftuar finalizimin e operacionit policor “Mjegulla” duke vënë në pranga 7 persona me akuzën e kontrabandës.
Tre prej të arrestuarve janë doganierë si dhe 2 punonjës policie, ndërkohë, u shpallën në kërkim dy persona të tjerë.
Florenc Gaxho, përgjegjës turni në Kapshticë, Fredi Blushi doganier, Gentian Keco doganier, Sali Dervishi kontrollues në doganë si dhe Klodjan Korcari, Xhuljano Skenderasi e Gazmir Shkembi janë arrestuar.
Shtetasit me inicialet G.A dhe S.SH. janë shpallur në kërkim
Referuar policisë, në hyrje të qytetit të Bilishtit, shtetasit e lartpërmendur janë kapur në flagrancë duke transportuar në bashkëpunim 22 ngarkesa me veshje të dyshuara kontrabandë. Ngarkesa u transportua nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës.
5 shtetasit e sillnin sasinë e veshjeve deri në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës me një kamion, të cilin e parkonin në doganën greke dhe më pas brenda ditës kalonin 3-4 herë drejt tokës shqiptare mallrat, me mjete të tjera më të vogla transportuese.
Mallrat janë futur pa kryer praktikat doganore.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera, kryer në bashkëpunim”.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe dega doganore e Kapshticës e cila njofton se janë marrë të gjitha masat që puna të vijojë normalisht.
“Duke siguruar se jemi në mbështetje të plotë të të gjitha përpjekjeve të përbashkëta institucionale kundër kontrabandës, Dega Doganore Kapshticë njofton publikun se janë marrë masat që puna në këtë doganë të vijojë normalisht. Të vetëdijshëm për pritshmëritë e opinionit publik, sigurojmë se jemi në krah të çdo përpjekje serioze për zbatimin e rreptë të ligjit dhe hetimin e plotë të të gjithë zyrtarëve dhe punonjësve që dyshohen për shkeljen e tij” thuhet në njoftimin e degës doganore të Kapshticës.
"Dita"
Add new comment