Kanabisi si çështje e një vendi anëtar të NATO-s
Gazeta zyrtare e Partisë Demokratike hapet sot me një akuzë për ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, të cilën e quan Zonja Narcos. Sipas kësaj gazeta, Kodheli dhe ish-shefi i Shtabit të Pqrgjithshëm, Jeronim Bazo kanë lejuar trafikun e drogës, duke mbajtur radarët e mbikëqyerjes detare jashtë pune. Ky është një pretendim për të cilin RD-ja shkruan se dy ish-zyrtarët janë paguar.
Akuza në fjalë është në vijim të procesit të hapur ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që është subjekt i hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafikun e drogës. Por në ndryshim nga Tahiri, Kodheli dhe Bazo kanë qenë drejtues të strukturave të Mbrojtjes dhe akuza ndaj tyre implikon statusin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Është shumë e rëndë që një vend anëtar të gjendet në qerthullin e hetimeve për trafik në të cilat përfshihet edhe një ish-ministre e Mbrojtjes. Dosja e radarëve është aktualisht në Prokurori dhe do të jetë ky organ që do të shprehet për hapat procedurialë. Por akuza e sotme e RD-së, ndërkohë që çështjen e radarëve e mban hapur prej kohësh edhe LSI-ja i jep peshë procesit që nuk është çudi që të kanalizohet në një goditje ndaj Kodhelit. Për Shqipërinë kjo do të ishte cenim i rëndë i imazhit, por kjo nuk ka pikë rëndësie përkundrejt nevojës që gjërat të sqarohen, edhe pse duhet ta pranojmë se për vendin tonë, qeverinë e tij e më gjerë, pakkush ka ndonjë konsideratë.
Add new comment