Zaganit i mjafton një vërtetim nga Prokuroria e Katanias
Partia Socialiste përjashtoi Saimir Tahirin nga radhët e saj duke shpallur përmes kryetarit Edi Rama se që këtej e tutje, “Tahiri është një deputet dhe qytetar i lirë në mbrojtjen e tij për të gjetur të vërtetën”. Duke synuar të artikulojë një qëndrim të paanshëm dhe jo ndikues në procesin hetimor që ka nisur për ish-ministrin e Brendshëm, PS-ja u shfaq me një qëndrim parimor. Por nuk kanë kaluar vetëm pak ditë dhe duket se partia është hedhur në veprim për të mbrojtur njeriun e vet.
Pas Edi Ramës në emisionin “Zonë e Lirë”, sot ishte kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla ai që sulmoi Dritan Zaganin, ish-punonjës i policisë që ka akuzuar publikisht ish-ministrin e Brendshëm Tahiri për implikim në trafikun e drogës, përmes kushërinjve të tij, Habilaj. Zagani është si të thuash bashkëautor i dosjes hetimore për Tahirin dhe Habilajt bashkë me Guardia di Finanza në Itali. Çfarë është disi e habitshme është zelli i PS-së dhe qeverisë për të vënë në dukje një vendim gjykate për Zaganin, përmes të cilit komunikohet masë sigurie burg për akuzën e Moskallëzim krimi dhe Shpërdorim detyre. Por në vendimin e gjykatës që sillet me nxitim nga PS-ja gjykata e cilëson Zaganin si të Dyshuar, pra jo të dënuar për akuzat.
Por PS-ja ka menduar ta shesë këtë vendim si një vendim dënimi në mënyrë që të diskreditojë personin dhe kredencialet e tij në akuzën ndaj Tahirit. Është një qëndrim i paprinciptë përderisa PS-ja, pra qeveria po jep shenja se do të jetë avokate direkte e Tahirit. Mund të ketë shumë spekullime për këtë gjë, por nuk mund të mos theksohet se lëvizjet për sulm ndaj oficerit në fjalë vijnë pasi ish-presidenti i Republikës, Nishani sugjeroi që të publikohen transkriptet e mbedhjes së fundit të Këshillit të Sigurisë.
Nga një lojë akuzash, përballja që po kërkon kokën e Sajmir Tahirit si kurban që reforma në drejtësi të ecë mbarë, po kalon në luftë nervash. Edhe njëherë po shtrojmë pyetjen: Përse përfshihet PS-ja në këtë përballje kur e çliroi veten nga Tahiri?
Pyetje të shumta burojnë këtu edhe nga dosja e Guardia di Finanzës e cila di shumë më tepër sesa (nuk)thotë.
http://www.respublica.al/2017/10/26/disa-pyetje-q%C3%AB-mbeten-ende-pa-p...
Por nuk do shumë mend të kuptohet se nëse dosja në fjalë konfirmon dyshimet për implikime të nivelit të lartë në trafikun e drogës, jo vetëm që reforma në drejtësi kompromentohet, por edhe legjitimiteti i parlamentit vihet në pikëpyetje. Tanimë palët kanë nisur të flasin dhe paralajmërojnë gjithfarë gjërash. Sa hidhet një hap për çështjen në fjalë, del një kleçkë në një çështje tjetër, si p.sh çështja “CEZ”, që na thotë se shantazhi po ecën aktivisht nga të dyja palët.
Gjërat dihen në Shqipëri, por është tjetër gjë kur ato fitojnë statusin e një të vërtete zyrtare. Me këtë rast do të vihej në pikëpyetje edhe sinqeriteti i “partnerëve strategjikë” të Shqipërisë, që përmes diplomatëve të tyre i dhanë vetes statusin e partisë kryesore në dy vitet e fundit duke imponuar axhendat e tyre.
Pak rëndësi ka kjo. Tani rëndësi ka që lëvizja e PS-së na dëshmon tensionin dhe ankthin. Politik dhe juridik. Sa për përpjekjen kundër Zaganit, përveç faktit se këtë do (duhet)ta çmojë gjykata dhe duke mos marrë të mirëqenë çdo gjë që thotë ai, shumëkush do të mjaftohej me një kërkesë ndaj ish-oficerit të policisë: Le të marrë një vërtetim nga Prokuria e Katanias nëse është në ndjekje penale apo jo. Do të shërbente mirë si një dëshmi e plotë pafajësie meqenëse ky është metri i avokatisë së socialistëve sot.
Add new comment