Jep dorëheqjen presidenti i kurdëve të Irakut, Marsoud Barzani
Presidenti i kurdëve të Irakut Marsoud Barzani ka deklaruar se do të japë dorëheqjen më 1 nëntor. Barzani ka përcjellë një mesazh televiziv duke sqaruar se nuk ka ndërmend të vijojë qëndrimin në detyrë përtej kësaj date për asnjë rrethanë. Vendimi vjen pas një referendumi për pavarësi që provokoi tensione në rajon. Forcat Shiite irakene ndërmorën një ofensivë ndaj rajonit kurd duke kapur qytetin e Kirkuk, i njohur për naftën.
“Unë jam po ai, Marsoud Barzani, unë një jam një peshmërga dhe do të vazhdoj të ndihmoj popullin tim në betejën për pavarësi”, tha ai. Më herët ai i kishte dërguar një letër parlamentit përmes të cilës kërkonte që të merreshin masa për të mbushur vakuumin e pushtetit. Një shumicë prej 70 deputetësh votuan pro kërkesës së Barzanit dhe 23 ishin kundër. Seanca u shoqërua me incidente jashtë sallës. Njerëz të armatosur qëllonin në ajër dhe goditën gazetarët duke marrë në mbrojtje presidentin.
Sipas Barzanit sulmi që ndodhi në Kirkuk provon se Iraku nuk beson më te federealizmi, të cilin në fakt edhe vetë Barzani e refuzoi duke organizuar referendumin për pavarësi që u mbajt më 25 shtator. Ai ka akuzuar edhe SHBA-të që furnizuan me armë operacionin ushtarak iraken dujke hedhur dyshim të mëdha mbi vijimin e aleancës mes të dyja palëve. Sipas agjencisë Reuters, një arsye për këtë që po ndodh është dështimi i presidentit kurd për të mbajtur Kirkukun, i pasur me naftë dhe i konsideruar nga kurdët si shtëpia shpirtërore e tyre.
Kryeministri iraken Abadi ka bërë thirrje që kurdët të cilësojnë nul referendumin në mënyrë që bisedimet e mëtejshme t’i përmbahen Kushtetutës.
Add new comment