Check Up-i falas, dyshime për rimbursim jashtë kontratës
Konçesionari i Check Up dyshohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit se ka përfituar rimbursim të tatimit mbi vlerën e shtuar në mënyrë të padrejtë. KLSH ka renditur në një raport shkeljet e disiplinës financiare të institucioneve, ku në këtë listë rezulton edhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ky fond ka dhënë ndaj firmës që ofron shërbimin e kontrollit bazë në shëndetësi 2.3 milion dollarë rimbursim për tatimin mbi vlerën e shtuar.Por KLSH evidenton se kthimi i këtyre parave është bërë në mënyrë padrejtë. Televizioni Klan ka mësuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit është shprehur në një tjetër raport se organi kompetent që vlerëson nëse një kompani është subjekt i rimbursimit të tvsh-së apo jo është vetëm Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve.
Në kontratën e shtetit me kompaninë që ka Check-Up-in nuk qartësohet nëse ky subjekt është i përjashtuar apo jo nga tvsh, ndërsa në ligjin “për tatimin mbi vlerën e shtuar” në Shqipëri subjektet që ofrojnë shërbime në fushën shëndetsore janë të përjashtuara nga kjo taksë.
Në rastin që kompania e cila ka kontratën për shërbimin e Check-Up është e përjashtuar nga tvsh, atëherë përfitimi i këtyre parave është bërë në mënyrë të padrejtë. Për të zgjidhur këtë dilemë, KLSH i është drejtuar tatimeve me një letër për t’i dhënë përgjigje kësaj çështje.
Konçesionet në shëndetësi për vitin e ardhshëm do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 39 milion dollarë , afërsisht sa gjysma e pagesave që jepet mbështetje buxhetore për kontratat e formës partneritet publik – privat. Në total pagesat për shërbimet e partneritetit me privatin arrijnë në 2018-ën 94 milion dollarë.
Tv Klan
Add new comment