Vazhdimësi apo ndryshim në Kinë

Postuar në 25 Tetor, 2017 08:23
Doc. dr Vasil Kureta

Zhvillimet në Kinë paraqesin interes të veçantë, për shkak të peshës dhe rolit që ka në zhvillimet botërore. Nisur nga specifika e modelit politik e ekonomik që Kina ka, zhvillimi i kongresit të 19 të PKK, është ndjekur me interes të veçantë, për të kuptuar më shumë rreth zhvillimeve të ardhshme, por sidomos për të kuptuar më shumë rreth pyetjes, nëse do të ketë një vazhdimësi në ecurinë e Kinës apo do të përjetohet një ndryshim konkret, por dhe për të kuptuar më shumë edhe për pushtetin konkret të Xi Ping dhe vizionin e tij për të ardhmen e Kinës. Interesimi është rritur sidomos edhe nga deklarimi në këtë kongres apo paralajmërimi i Xi Ping, për ndryshime të thella e të komplikuara në Kinë dhe në botë, si dhe për mesazhin e përcjellë nga ky event politik, për një Kinë moderne e të hapur me botën.

Ajo që lexohet qartë është se, Kina ka marrë vendime konkrete për të avancuar më tej strategjinë e saj të superfuqisë botërore, të nisur me të njohurën “politika e katër modernizimeve“, që nga koha e Mao Ce Dun e Ten Hsiao Pin. Këtë domethënie ka deklarimi për një Kinë moderne e të hapur me botën. Megjithatë, politika kineze është po aq e lexueshme sa dhe e palexueshme, për të kuptuar përtej deklarimeve konkrete, apo për të mësuar ecurinë e ndryshimeve të saj në atë rrugë qe Xi Ping e quan modernizim. Modeli politik e ekonomik i Kinës ka brenda disa linja e balanca, që çdo njësh politik nuk mund t’i dekonsiderojë apo t’i ndryshojë lehtësisht.

Kongresi dëshmoi peshën dhe pushtetin e PKK në modelin politiko ekonomik të Kinës, që do të thotë se Kina do të vazhdojë të mbajë tabelat komuniste në bashkëjetesë me reformat modernizuese dhe që Xi Ping do të jetë lideri më i fuqishëm në vendimmarrjen në Kinë. Megjithatë, pyetja e ligjshme që shtrohet është, se nëse ka lindur apo do të lindë e fuqizohet më tej një gjeneratë e re në Kinë, që vërtet e dëshiron modernizimin kompleks të Kinës dhe të modelit politik e ekonomik të saj, modernizimin real të ngritur mbi sistemin e vlerave të shoqërisë kineze. Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë drejtim e pyetje që kërkojnë përgjigje. E një rëndësie të veçantë është se si do harmonizohen edhe roli i PKK edhe modernizimi i shoqërisë kineze. Parë nga këndi i modernizimit të Kinës, modeli aktual i Kinës me tabelat komuniste dhe rolin e PKK, mënyra e qeverisjes dhe e funksionimit të institucioneve shtetërore e politike, kuptohet se ky model eklektik nuk mund t’i qëndrojë dot procesit real të modernizimit, apo që ndryshimi bëhet i pashmangshëm. Në këto kushte, duke mos përjashtuar përvojën e konceptet historike të qeverisjes së Kinës, duke marrë në konsideratë përmasat e mëdha ekonomike, demografike e madhësinë territoriale, pra duke nënkuptuar veçoritë konkrete që do të marrë modeli politiko-ekonomik i Kinës, ai do të përfshijë elemente thelbësore që i kërkon modernizimi dhe për rrjedhojë sistemi i vlerave, funksionimi i institucioneve demokratike, shteti juridik e sundimi i ligjit etj. Ndryshe modernizimi nuk mund të kuptohet e mbetet një deklaratë e bukur, pa vlerë reale.

Që nga përgatitja e programit të katër modernizimeve dhe vizitës së parë të presidentit amerikan Nikson në Kinë, që u vlerësua si çarja e madhe në botën komuniste, Kina ka ecur ngadalë, por e sigurt në rrugën e ndryshimit e modernizimit, me synimin e pandryshuar të sigurimit të statusit të superfuqisë botërore. Ajo, në këtë rrugë, ka sot ekonominë e dytë më të madhe në botë, që ka prirje të bëhet dhe ekonomia e parë, që ka një rritje ekonomike relativisht të lartë e të qëndrueshme dhe, që përballoi me sukses dallgët e mëdha të krizës botërore e financiare të shpërthyer në vitin 2008. Perëndimi ka vlerësuar e mbështetur këtë ndryshim, me koncepte, metoda e veçori kineze, që nuk është ndërprerë, por edhe rolin e drejtuesve kryesorë kinezë, përfshi dhe Xi Ping, ka forcuar bashkëpunimin e dialogun.

Tash duket se Kina ka mbërritur në një stad të avancuar për të bërë realisht një ndryshim cilësor të modelit politik, ekonomik e social të saj, në të mirë të popullit kinez e të zhvillimeve botërore. Dhe Xi Ping ka përcaktuar qartë detyrën kryesore në këtë formë të kuptueshme: përpjekje për të krijuar mirëqenie në Kinë dhe që të bëjmë socializmin e tipit kinez të suksesshëm “për një epokë të re”. Sipas tij shanset janë të mira, por sfidat janë serioze. Kina dhe bota ndodhen përballë ndryshimeve të thella e të ndërlikuara. Ai e ka të qartë nivelin e ulët të mirëqenies, prandaj dhe e vuri theksin te lufta kundër varfërisë dhe pabarazisë. Këtë synim themelor e lidhi edhe me një luftë të vendosur kundër korrupsionit, teksa evidentoi parullën “Tolerancë zero” përballë korrupsionit, që nënkupton qartë fuqizimin e shtetit juridik e sundim të ligjit. Përmes një fushate lufte kundër korrupsionit më se 1 milion nëpunës shtetërorë janë ndëshkuar dhe duzina nëpunësish të lartë janë arrestuar.

Ka shumë faktorë kompleks që ndikojnë direkt në arritjen e synimeve kineze të modernizimit të ndërlikuar. Nisur dhe nga retorika e përdorur në këtë moment nga Xi Ping, pyetja normale lidhet me çështjen se, në arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm ndryshimi, si do të mund të harmonizohen edhe roli i PKK, edhe socializmi edhe modernizimi i Kinës? Si do të mundësohet funksionimi institucioneve demokratike e i demokracisë reale, si do të respektohen e do të mbrohen liritë e të drejtat e njeriut, si do të mundësohet sundimi i ligjit dhe shteti juridik, që janë pjesë esenciale të një shoqërie moderne? Xi Ping dhe ata që e mbështesin atë, e kanë të qartë faktin që Kina ka një kontradiktë të rëndësishme përpara për të zgjidhur, atë ndërmjet modelit politiko- ekonomik aktual dhe nevojës së standardeve të plota të statusit të një superfuqie botërore. Kina ka nevojë të madhe për stimuj e mekanizma ekonomikë e demokratikë që të mundësojnë një zhvillim ekonomik të lartë e të qëndrueshëm, për mekanizëm drejtimi që nxit nisiativën e lirë e pjesëmarrjen, ka nevojë për një ndryshim të plotë, që Xi Ping e cilëson modernizim.

Fjala është për një modernizim në kushtet e një shteti kaq të madh në territor e popullsi rreth dy miliardësh. Natyrisht, që Kina për arsye komplekse, nuk mund të imitojë modelin rus, por tash ndjehet ngushtë edhe ndaj modelit perëndimor edhe pse e kupton efektivitetin e tij. Ndryshimi e modernizimi në Kinë do të kërkojë kohë dhe do të ndikohet mjaft nga ato që njihen si veçori e karakteristika kineze. Një drejtim me dualizmin parti-shtet, sic është sot, megjithë ndryshimet e pësuara në këto 40 vjet,që realisht kanë ruajtur balancat e brëndëshme, nuk mund të ketë jetëgjatësi dhe të sigurojë plotësimin e ambicieve të statusit e rolit të superfuqisë botërore.

Fakt është se Kina, vërtet ka një ritje ekonomike të qëndrueshme sot, por nuk ka një mekanizëm efektiv afat gjate e sidomos që të plotësojë ambiciet e superfuqisë botërore. Kina ndjen nevojën e modelit të shtetit të së drejtës, ekonomisë funksionale të tregut, sundimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve demokratike. Xi Ping e ka kuptuar qartë këtë situatë, që mund të bëhet emergjencë, në se nuk reagohet. Po kështu, në se Xi Ping nuk reagon ndaj kësaj kërkese zhvillimi, mund të dalë dhe vetë jasht loje. Ajo që insiston Xi Ping, me nevojën e modernizimit, e përmban kërkesën, jo për axhustime, por tashmë për ndryshime cilësore të modelit të zhvillimit e të drejtimit, që do të prekin të gjithë elementët thelbësorë të modelit aktual. Modeli kinez është unik ,por nuk është solid dhe efektiv për të mundësuar statusin e superfuqisë botërore. Në se në vitin 2012 Xi Ping, që shihej si një reformator ekonomik, fliste për “ëndrën” më të madhe të Kinës, tash shihet si një lider shumë i fuqishëm, që ka në vizionin e tij sentencën reformë dhe hapje të Kinës, duke ruajtur balancat e pushtetit mes rolit të partisë dhe qeverisë. Ai vërtet nxit aktualisht kryeministrin të kryejë reformat dhe ndryshimin, por nxit dhe strukturat e partisë në drejtim të politik bërjes.

Më pas do të shihet se si do të ndryshojë ky dualizëm apo marëdhënia parti-shtet, aq më tepër po të mbahet parasysh fakti se Xi ka tashmë mbështetje të fortë edhe nga partia dhe nga populli kinez, që do ti mundësojnë punën për modernizimin e Kinës dhe sigurimin e statusit të superfuqisë botërore. Megjithatë, ka dhe analistë që e shohin me shqetësim këtë fuqizim të pushtetit të Xi Ping edhe pas kongresit, duke menduar se tashmë, duke përdorur dhe armën e partisë, autoritarizmi i tij do të dëmtojë zhvillimin e standarteve demokratike e të shtetit juridik. Në këtë shqetësim ata llogarisin edhe një axhendë nacionaliste. Madje ndonjë flet edhe për një lloj neototalitarizmi të mundëshëm dmth që mendojnë mundësinë e përdorimit të pushtetit për të plotësuar ambicien e superfuqisë botërore.

Xi Ping është shfaqur konstruktiv në marëdhëniet me aktorët kryesorë të sistemit të marëdhënieve ndërkombëtare dhe ka bërë prezent disa ide për rolin botëror të Kinës dhe është afishuar në mbështetje të globalizmit, sic deklaroi në samitin e fundit të Davosit. Ai ka nënvizuar nevojën për një rend të ri botëror racional, por ka evidentuar qartë ambiciet e Kinës për superfuqi botërore, duke bërë hapa konkretë me zhvillimin e kapaciteteve ushtarake apo me ishujt artificialë në Paqësor, hapjen e një baze ushtarake jashtë Kinës , apo duke marë pjesë në stërvitje ushtarake bashkë me Rusinë në Mesdhe, por dhe në rajonin e Balltikut. Kina ka shfaqur qartë një lloj ekspansionizmi ekonomik botëror, në Afrikë, A. Latine, por dhe në Europë e vecanërisht në Ballkan. Kina ka nevojë të brëndëshme që të ndryshojë e modernizohet, por dhe zhvillimet botërore kanë nevojë për ndryshimin e modernizimin e Kinës e rolin konstruktiv të saj.

Kina tashmë është aktor tepër i rëndësishëm në sistemin emarëdhënieve ndërkombëtare, por statusi i superfuqisë botërore është cilësi tjetër, ku Kina do të rivalizojë fort e të ndajë fuqinë me SHBA, aq më tepër, kur disa lëvizje të SHBA, janë vlerësuar nga analistë të ndryshëm, se po krijojnë boshllëqe, sa i përket fuqisë e rolit në zhvillimet botërore. Gjithsesi Kina është treguar e kujdesshme, bashkëpunuese e jo e grindur në këtë drejtim. Ndoshta ky qëndrim lidhet edhe me nevojat e plotësimit të standarteve të superfuqisë botërore, ku cështja e Taivanit është e rëndësisë së vecantë. Gjithësesi, vizita e ardhëshme e presidentit amerikan Trump në Kinë mer rëndësi të vecantë, për të kuptuar më mirë ambiciet e Kinës dhe cilësinë e marëdhënieve të saj me SHBA. Zgjidhja e krizës koreano veriore , synimi për të frenuar programin e saj bërthamor dhe aventurizmin, parandalimi i një përplasje ushtarake mes SHBA dhe Koresë së Veriut, duket se do të tregojë shumë , jo vetëm për cilësinë e bashkëpunimit të saj me SHBA, por edhe gadishmërinë e mundësinë reale të Kinës për një rol , jo vetëm rajonal, por edhe botëror.

Burimi: Gazeta Shqiptare

http://www.gsh.al/2017/10/25/vazhdimesi-apo-ndryshim-ne-kine/ 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.