A mund të vazhdojë partneriteti strategjik me Turqinë e Erdoganit?
Nëse lexon faqen e Ministrisë së Jashtme shqiptare ke rastin të vëzhgosh një seri kontradiktash që dikujt mund t’i duken edhe si mistere. Siç mund të merret me mend, prioritet i Politikës së Jashtme të Shqipërisë është integrimi në strukturat euroatlantike me synim imediat anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Kjo theksohet që në hyrjen e rubrikës “Prioritetet” ku shkruhet:
“Programi ynë qeverisës për politikën e jashtme synon jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, besueshmërinë në rajon dhe strukturat euro-atlantike”.
Cilat janë këto gabime të së shkuarës? Kjo gjë nuk sqarohet në materialin programatik duke i lënë vend imagjinatës. Që nga viti 1992 Shqipëria, pavarësisht krizave të rënda dhe qeverive të ndryshme, nuk e ka ndryshuar orientimin e saj. Qeveria aktuale po ecën në këtë vazhdë dhe nuk dihet se çfaë po korrigjon. Nëse na lejohet të hamendësojmë, anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike është vepër e qeverisë së para 1992-it dhe atë nuk e ka kontestuar asnjë kabinet edhe pse në vitin 2014, kjo temë u prek indirekt në disa mjedise mediatike perëndimore.
Po të ecësh më poshtë në kapitullin e prioriteteve, lexohet ndër të tjera se:
“Vizioni ynë mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e konsoliduara dhe strategjike me fqinjët tanë anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, si Italia, Greqia dhe Turqia, influenca dhe rrezja e veprimit e të cilave është e pazëvendësueshme në rajonin e Mesdheut dhe në Ballkan, zgjerimin e bashkëpunimit më të thellë e të gjithanshëm me Gjermaninë dhe Austrinë, inkurajimin e rritjes së shkëmbimeve dypalëshe me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Vendet e Ulëta dhe Spanjën, forcimin e lidhjeve me të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe Izraelin, sikundër dhe të shkëmbimeve me vende të rëndësishme në rrafshin global si: Kina, Japonia, Rusia, India, Brazili”
http://www.punetejashtme.gov.al/al/misioni/prioritetet
Nëse hedhim një sy zhvillimeve të katër viteve që lamë pas, duhet të pranojmë se ky paragraf është më së paku I tejkaluar.
Nisma e Berlinit e kthen vetiu Gjermaninë një vend ndaj të cilit Shqipëria duhet të ketë detyrime strategjike, përtej suazës së BE-së me të cilin kemi angazhimin kryesor. Kjo konfirmohet edhe në takimet dypalëshe si këtu: http://ëëë.dë.com/sq/gjermania-lidership-i-nj%C3%AB-partneriteti-t%C3%AB-ri-strategjik-mes-be-s%C3%AB-dhe-ballkanit/a-17720259
Dhe siç kemi parë Gjermania ka shtuar në mënyrë thelbësore angazhimin në Ballkan, duke u bërë katalizuese e takimit Rama-Vuçiç në Beograd.
Siç mund të pritej në një kontinent si Europa, nismës gjermane, iu avit me mënyrat e veta edhe Franca, e cila në mars 2017, nënshkroi partneritetin strategjik me Shqipërinë e vogël të cilën nuk e ka përfillur për një kohë të gjatë.
Vend I cili nuk e ka problem që pas kësja firme të kërkojë rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë për shkak të numrit të azilkërkimit.
Bashkë me SHBA-në, Kosovën, Italinë dhe Turqinë, Shqipëria duket se ka shtuar ndjeshëm partneritetin strategjik me vende të tjera por pa na dhënë të kuptojmë se çfarë rezulton nga kjo narrativë dokumentesh. Siç shihet kapitulli prioritetet kërkon një rishikim në hierariknë përshkruese të raporteve me vende të ndryshme, që vjen e bëhet shumë atipike kur lexon kapitullin: “Marrëdhëniet me Vendet e Rajonit”( http://www.punetejashtme.gov.al/al/misioni/shqiperia-ne-rajon/marredheniet-me-vendet-e-rajonit).
Në rajon Shqipëria ka raporte të privilegjuara apo strategjike me Italinë, të cilës ja njeh edhe në zërin përkatës ku flitet për këtë vend, me Kosovën, çka është e natyrshme, konfirmon “marrëdhënie me një specifikë të veçantë me Maqedoninë”, partneritet strategjik me Turqinë, nuk përmendet më ky partneritet për Greqinë, lihet jashtë vëmendjes, Serbia, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina. Arsyet mbeten të panjohura dhe këtu çdokush është i lirë të imagjinojë.
Duhet thënë se për nga niveli i shkëmbimit tregëtar, renditja është e tillë: Italia, Greqia, Kosova, Turqia(Ministria mban në faqen e vet të dhënat e vitit 2014).
Pra nëse do të shohim këtë raport, edhe Greqia duhet përfshirë në vendet me partneritet strategjik. Çfarë të bën përshtypje në tesktin e publikuar në këtë kapitull është rëndësia që i kushtohet Bullgarisë, e cila zë vendin më të madh në të. Më i zgjeruar si material(1338 fjalë) edhe se ai për Kosovën. Nuk dihet si përcaktohen këto hierarki apo ky indeksim në një faqe si ajo e Ministrisë së Jashtme, por duhet thënë se ky listim nuk i përgjigjet përfytyrimit për raportet, shkëmbimet dhe historinë e këtij populli.
Përtej këtij aspekti, do të duhet të shtohet se raporti i një partneriteti strategjik me Turqinë e Reçep Tayyip Erdogan nuk qëndron më bindshëm kur vihet përballë listës së prioriteteve të Politikës së Jashtme shqiptare. Turqia e Erdoganit ndjek një axhendë ideologjike, qartësisht fetare ndaj Ballkanit, ndonëse këtu nuk kemi pse të ngatërrojmë domosdoshmërisht edhe investimet turke. Po kështu, Ankaraja është në një kurs përplasjeje me BE-në, aq sa së fundmi Parlamenti Europian ka kërkuar ndërprerjen e procesit të neogociatave për anëtarësim. Po kështu, Ankaraja është në kurs përplasjeje edhe me SHBA-të sa kohë që e sheh zgjidhjen e një çështjeje shumë të rëndësishme si ajo siriane, në prizmin e interesit kombëtar të vetin, jashtë suazës së NATO-s dhe brenda formatit të konferencës së Astanasë me Rusinë dhe Iranin. Vlen të sillet si argument se në BE, sidomos në mediat gjermane, ka reagime të shpeshta edhe për një vend “neutral” si Kina, kur vjen puna tek investimet në Ballkan. Këtu nuk duhet harruar se Shqipëria është itinerar I emigrantëve të Lindjes që mbahen të bllokuar nga Turqia, pas një marrëveshjeje me Gjermaninë.
Traktati i Partneritetit Strategjik me Turqinë, njoftuar që në vizitën e parë të kryeministrit Edi Rama në Ankara, nuk ka marrë asnjëherë atë formë dhe zbatim që pritej. Por përkufizimi i marrëdhënieve si strategjike është problematik pasi prej tyre rrjedhin detyrime. Kjo mund të jetë teorike në një vend si Shqipëria ku “të shkruarën e merr era apo e zë myku dhe fjala zë vend”.
Në çdo rast, Shqipëria nuk ka kapacitetin të luajë pikën ku bashkohet Perëndimi me Lindjen, megjithë gjeopolitikën specifike që bart si vend multifetar. Një arsye më shumë që e bën këtë përkufizim disi të tepërt ëshë fakti se siç thuhet “mes të dyja vendeve nuk ka asnjë problem politik”. Në fakt problemet politike kanë nisur dhe kërkesa turke për investimet e Fetullah Gulen është një e tillë. Nga ana tjetër, Shqipëria me Greqinë ka probleme serioze, por zgjidhja e tyre përbën interes strategjik reciprok , pak më shumë për vendin tonë që duhet të menaxhojë humorin e Athinës për një votë për integrimin.
Nuk po shtyhemi në mendimet se këto kapituj që lexohen në faqen e M. së Jashtme mundet edhe të jenë të lobuar, apo të ndikuar, por një mënyrë e mirë për ta zgjidhur këtë “dilemë” është një test që ministria mund ta bëjë me gjimnazistë të Tiranës të cilëve t’u drejtojë pyetjen se cili është vendi me të cilin Shqipëria duhet të ketë marrëdhëniet më të mira, në mënyrë që të përthithë aspektin intuitive dhe kulturor të kësaj politike ME jashtë. Edhe Maqedonia meriton një tjetër vlerësim, pasi është e papranueshme që me vendet ku ka shqiptarë, Shqipëria investon në ftohje marrëdhëniesh apo takt diplomatik. Cilado qofshin projektet që ne nuk i dimë, një gjë është e qartë: prezenca shqiptare në një rajon që ka 18 vjet paqe komplikon çdo prirje sektare apo çdo politikë që udhëhiqet nga kapriço apo nacionalizëm televiziv.
Add new comment