Çfarë e ardhme për PS-në?
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Këshillin e Mandateve votuan kundër heqjes së imunitetit për deputetin Sajmir Tahiri që do t’i hapte rrugën arrestimit të tij. Në vend të kësaj është dhënë dakordësia për hetimin dhe kontrollin e banesës. Në këtë situatë që po i del nga kontrolli politikës, përkatësisht PS-së, ka pak rëndësi aspekti juridik i çështjes. Tahiri vetë pranoi përgjegjësinë morale dhe politike duke dalë dhe pranuar si fakt përgjimin dhe duke u vënë në dispozicion të transparencës. Çdo gjë ndryshoi kur u bë publike kërkesa e prokurorisë e cila e transformoi edhe ish-ministrin e Brendshëm edhe qëndrimin e PS-së.
Nga kjo pikëpamje është me rëndësi të theksohet se përtej cilësisë së kërkesës së prokurorisë, administrimi i situatës kërkon tjetër përgjegjësi dhe drejtim.
Në një moment si ky kur pakkush beson tek ato që thotë ish-ministri dhe deputetët e PS-së, është e domosdoshme që të krijohet një distancë sigurie nga e gjithë kjo që po ndodh. Ish-ministri duhet t’i vihet në dispozicion të drejtësisë dhe në këtë kuadër çdo solidaritet politik nuk duhet të nënkuptojë sjelljen si prej një truproje, por insistimin në dhënien e drejtësisë. Ky është detyrim përkundrejt interesit publik, ndaj një angazhimi tre vjeçar për reformën në drejtësi, e cila u bë kauzë krysore e mandatit të parë të qeverisë së majtë, por edhe në funksion të perspektivës si parti e së majtës dhe e projektit të Rilindjes.
Ne kemi qenë dëshmitarë kur kryeministri aktual, kryetar i PS-së njëkohësisht, ka deklaruar se “Partia Socialiste është pasuri kombëtare”, apo sesi u bën propagandë për cilësitë progresive dhe modernizuese të saj, studentëve të ekselencës. Vetëm javën e kaluar, në polemikën e tij kundër Pd-së, z. Rama diferencoi një cilësi të PS-së: Përgjegjësinë. Por në këtë kuptim le të gjejë dikush një shembull në Europë kur një parti politike do të sillej kështu në një rast të ngjashëm.
Kultura politike dhe sektare e asaj partie na mëson më shumë në këtë drejtim. Na mëson për mënyrën sesi përvoja pozitive “liberale” e pas viteve ’90 u zëvendësua me një tjetër, disiplinën dhe solidaritetin prej sekti, e ngjashme më shumë me strukturimin e para viteve ’90 që çuditërisht ka gjetur dishepuj të rinj. Ky është investimi më i keq për një Shqipëri të cilës i predikohen lloj-lloj leksionesh për Europën, për të cilën duket se kemi arsye organike pse nuk e arrijmë. Pyetja retorike, por jo pa rëndësi që shtrohet sot është se ku po kanalizohet sot kjo pasuri “kombëtare”, në cilat duar dhe kujt po i shërben?
Add new comment