Elektrifikimi i dytë, sakrificën ta bëjnë fshatarët
Ngjan si situatë surrealiste por disa rajone të Jugut prej afro dy javësh nuk furnizohen me energji nga ora 8 e paradites deri në orën 16 të pasdites. Kohë që mesa duket është edhe orari zyrtar i punonjësve të OSHEE-se të angazhuar në punimet për rikonstruksionin e linjës 35 kV të rajonit të Jugut.
Banorëve u është thënë se kjo situatë do të zgjasë për të paktën 40 ditë për shkak të investimit që po kryhet. Respublica kontaktoi me Drejtorinë Rajonale të OSHEE në Gjirokastër dhe Vlorë, të cilat konfirmuan se investimi është i Operatorit të Shperndarjes dhe se oraret e tejzgjatura pa energji do të vazhdojnë.
Argumenti që japin zyrtarë të OSHEE është se pa energji janë kryesisht zonat rurale dhe jo ato urbane. Interpretim që gjithsesi kërkon të përcjellë idenë se ata që po vuajnë mungesën e energjisë janë fshatarët dhe se nga stakimet e energjisë nuk dëmtohen ata që banojnë në qytete. Shërbimet mesa duket nuk ofrohen njëlloj për të gjithë shtetasit e Republikës për aq kohë sa kapitalizmi shtetëror diskriminon klientët për shkak të origjinës. Në fund të fundit nuk ka faj shteti që disa janë nga fshati dhe disa nga qyteti.
Add new comment