"Hako" dhe "Agikons", ortakët e snack-barit në Butrint
Në seancën dëgjimore të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro në Komisionin e Medias u zbërthye në një farë mënyre i gjithë projekti që u kopsit me letra në fshehtësi dhe po në të njëjtën mënyrë filloi të ndërtohej në Butrint.
Publikimi në media ekspozoi gjithçka po ngrihej në mënyrë aspak transparente dhe me dyshime të forta në shkelje të ligjit. Pika e shërbimit siç e pëlqen ta citojë ministrja, është ideuar të jetë një snack-bar që do të ndërtohet nga dy firma private, ajo e prodhimit të sallameve dhe salçiceve "Hako" dhe firmës së ndërtimit "Agikons". Emrat e dy kompanive dolën gjatë diskutimit në Komision dhe u konfirmuan edhe nga ministrja Kumbaro.
Ministrja e Kulturës nuk iu përgjigj pyetjes nëse këto kompani kanë financuar fushatën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit, por pohoi se vlera e investimit është 36 milionë lekë ndërtim dhe 110 milionë lekë mobilim, ndërsa tha se nuk kishte dijeni për vlerën e qerasë.
Pra me pak fjalë një minitavernë ku do t'u shiten salçiçe turistëve në vendin "ku sosej durimi i vizitorëve dhe uleshin mbi gurë"- siç argumentoi ministrja në komision. Pyetjes pse nuk u kërkua mendimi i UNESCO-s zonja ministre u përgjigj se "Ne nuk kemi detyrim t’i dërgojmë UNESCO-s për çdo projekt. Raporti i është dërguar UNESCO-s, ia kemi dërguar edhe me email në anglisht pas publikimit të debatit".
Kumbaro pohoi gjithashtu se rikonstruksioni përfshin edhe një platformë betoni që sipas saj hyn në materialet e lëvizshme të miratuara në listën e materialeve të restaurimit. Me pak fjalë jemi në kushtet kur betoni nuk quhet beton. Një lloj ligjërimi që fshihet pas parametrave estetikë me të cilat injorohet përtej çdo skrupulli ligji dhe peocedurat.
Add new comment