“Matrapazët” e humbur të integrimit
Deklarimet e Hashim Thaçit, president i Kosovës, se atij iu premtuar anëtarësim i Kosovës në Këshillin e Europës, liberalizimi i vizave dhe mbështetje për aplikimin për në UNESCO, krijim i ushtrisë dhe njohje, nëse do të pranonte krijimin e Tribunalit Special, kanë provokuar reagime. Mediat kosovare shkruajnë se aktorët e huaj kanë hedhur poshtë se një Pazar i tillë ka ndodhur ndonjëherë dhe madje ambasadori britanik në Prishtinë, ka dalë nga salla, ndërkohë që Thaçi bënte këto deklarime.
Këtu duhet të vendosim në një kontekst atë që po ndodh në Shqipëri dhe Kosovë për të kuptuar paktet që politika e të dy anëve të kufirit ka vënë mund të ketë rënë dakord. Qëndrimet e presidentit të Kosovës përkojnë në kohë dhe në gjuhë me ato të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili po vjen vërdallë këto javë duke bërtitur me të madhe “se ne bëmë gjithçka për negociatat”. Ky mesazh i thotë shqiptarëve në mënyrë të nënkuptuar se “është Europa që nuk na do”, e ca më tej e ushqen atë naivitetin e bashkimit si alternativë ndaj bllokimit të Integrimit.
Qëndrimeve të Ramës dhe Hashim Thaçit i duhet t’i bashkëngjisim edhe “zbulimin” e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, sipas të cilit “politika shqiptare realizoi kushtetutën më idiote në botë, sepse u premtuan negociatat”.
Kemi pra një aksion mediatik që zbardh karakterin tregëtar të procesit të Integrimit, në të cilin pala shqiptare po ankohet se, Perëndimi nuk po u përmbahet marrëveshjeve të bëra. Kjo përmbajtje “eksplozive” e negociatave paralele që Prishtina dhe Tirana ndjekin me BE-në në fakt mund të prodhojë zero rezultat. Madje mund të jemi përballë një budallallëku kolosal në të dyja kryeqytetet, pasi në të dyja, Perëndimi ja ka dalë të ketë imponuar paralel me shkeljet e syrit, ngritjen e një sistemi të ri penal, që ka për objektiv asgjësimin e “të inkrimunuarve” në politikën e të dy vendeve. Në Kosovë Tribunali do merret me krimet e dyshuara të UÇK-së dhe aty preket një pjesë e establishmentit politik të Kosovës megjithë Thaçin, kurse në Shqipëri, reforma në Drejtësi, do të synojë “kapjen e peshqve të mëdhenj”. Në Shqipëri kemi edhe intesifikimin e luftës mediatike kundër krimit çka e vendos qeverinë aktuale në pozita jo komode.
Te ky perceptim problematik, duhen kërkuar ndoshta edhe këto shpërthimet “anti-europiane”, ndonëse të paktën në rastin e Shqipërisë, lëshimet vazhdojnë, siç pamë në rastin e njohjes së pakicës bullgare. Është me të vërtetë trubulluese të shohësh cinizmin e një situate ku mbarë klasa politike shqiptare merr pamjen e tuhafit edhe pse ka puthur çdo dorë dhe ka ngritur çdo ngarkesë që i është thënë.
Add new comment