Standardi i diskrimiminimit që na vjen (edhe)nga Perëndimi
Revista ekonomike “Monitor” sjell në vëmendje një statistikë me shumë rëndësi, referuar kjo Institutit të Statistikave. Sipas kësaj statistike, kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri, paguajnë më pak femrat sesa meshkujt në masën 34%.
“Në të gjithë sektorët e ekonomisë, femrat paguhen më pak sesa meshkujt në Shqipëri, por, për kompanitë me pronësi të huaja diferenca është mjaft e lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë mashkull në ndërmarrjet e huaja, për vitin 2016 ishte rreth 83 mijë lekë, ndërsa për femrat, në po të njëjtën kategori rreth 55 mijë lekë, pra rreth 34% më e ulët”, raporton revista sipas të cilës “kjo është diferenca më e madhe e raportuar në pagat mes meshkujve dhe femrave në Shqipëri, për të gjitha llojet e ndërmarrjeve”.
Në kompanitë shqiptare sipas kësaj statistike “diferenca është 10.6%, po në favor të meshkujve”, ndërkohë që “profesioni ku femrat paguhen më shumë se meshkujt është “drejtues administrativë dhe komercialë”.
“Punëdhënësit shqiptarë vlerësojnë më shumë femrat në drejtim, pasi edhe në grup profesionin “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, femrat kanë një pagë mesatare mujore prej 86,619, rreth 2,200 lekë më të lartë se e kolegëve të tyre meshkuj”, vijon po i njëjti raportim.
http://www.monitor.al/kompanite-e-huaja-ne-shqiperi-diskriminojne-femrat...
Është e vështirë të kuptosh arsyet e këtij diferencimi që bëhet nga kompanitë e huaja, të cilat në masë të madhe kanë origjinë nga Perëndimi. Pra nga vende që aplikojnë standarde dhe ndjekin ndaj Shqipërisë një politikë mbushur me kërkesa për mosdiskriminim, barazi gjinore etj.. Nuk dihet nëse ky diskriminim i kompanive që vijnë prej këtyre vendeve mund të jetë objekt i trajtimit ligjor në shtetet përkatëse, por fakti këtu është se bashkë me predikimet e pafundme dhe trajnimin prej disa dekadash sesi shqiptarët duhet të bëhen europianë, po vijnë edhe standardet e një diskriminimi që më së paku kërkon hulumtime për t’u kuptuar pse ndodh.
Kjo nuk është punë dhe aq e qeverisë shqiptare, as qeverive, që të ndërhyjë, por kapja e kësaj statistike dhe qarkullimi i saj krahas trajtimit më të mirë që kompanitë shqiptare kanë për femrën, duhet vendosur në tavolinat ku bëhet ai morali i Europës së zhvilluar dhe Shqipërisë së pasmbetur. E tillë patjetër në shumicën e drejtimeve, por ku të paktën një aspekt pozitiv është arritur vetiu, për shkak të një kulture apo rrethane që nuk përmendet. Apo përmbytet nga workshope dhe një politikë që merret me incidente të caktuara për të shprehur dhembshurinë televizive.
Add new comment