Mistifikime dhe fiasko
Poet amerikan, përkthyes dhe kryeredaktor i New Poetry in Translation, Brian Sneeden nga Universiteti i Connecticut-it ishte ftuar në Festivalin e Letërsisë në Orllan të Kosovës, për çka edhe shkroi përshtypjet dhe përsiatjet në World Literature Today.
Gjatë tri ditëve të Festivalit, ai pati mundësi të bisedonte gjërë e gjatë me mikpritësit e vet dhe me poetë e kolegë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria. Disa nga të dhënat që mblodhi kësisoj, Sneeden i ka përcjellë edhe në esenë e vet; dhe pasaktësitë tij të habitshme më bënë që të ulem e t’i shkruaj këto dy rreshta.
Autori e pranon vetë se, para se të shkonte në Kosovë, nuk dinte pothuajse asgjë për shqiptarët e Ballkanit, përveç ca platitudave që kish dëgjuar në mediat amerikane. Prandaj disa pohime të tij në ese ose pasqyrojnë informacionet që ia kanë blatuar miqtë e vet, ose janë thjesht keqkuptime, për shkak edhe të vështirësive gjuhësore.
Se ç’mendon Sneeden-i për çështje të ndryshme të kulturës shqiptare, kjo nuk ngre peshë; por se çfarë po u themi të huajve, ndonjëherë edhe shumë dashamirës, për t’i bërë pjesë të cic-miceve tona, kjo meriton të vihet në dukje.
Në ese flitet, mes të tjerash, për poezinë epike shqip, dhe këtu autori kujdeset të vërejë se
Dialekti geg, me fonologjinë e vet morfike dhe mbylltoret e shumta palatale, ishte përcjellësi ideal për poemat e gjata, në vargje formulaike, të tilla si e padatuara “Balladë e Konstandinit dhe Doruntinës.”
(The Gheg dialect, with its morphic phonology and abundant palatal stops, was an ideal conduit for the long, formulaic verse poems such as the undated “The Ballad of Constantin and Doruntine.”)
Nuk po e kuptoj mirë se çfarë kërkon të thotë Sneeden-i për fonologjinë dhe fonetikën e gegërishtes; sikurse nuk kuptoj ç’lidhje kanë karakteristikat fonetike të këtij dialekti me përhapjen e eposit në Veri (troç – ato që thotë ai po më duken budallallëqe); por kam frikë se balada e Konstandinit dhe Doruntinës, që ky e sjell si shembull “poemash me vargje formulaike”, nuk është tipike për eposin dhe sidomos nuk u përket gegëve (siç e gjej te Çabej, Konstantini dhe Doruntina janë personazhet e versionit arbëresh; ku emri i vajzës del më shpesh si Garentina – Doruntina e ka Skiroi; gjetiu në Toskëri, vajza del me emrin Dhoqina; në gegërishte ndeshet të paktën një simotër e baladës, e përshtatur për mjedisin e Eposit të Kreshnikëve).
Sneeden-i nuk ndalet me kaq. Në vitet 1950, thotë ai, përdorimi i gegërishtes në të folur ose në të shkruar u kriminalizua nga diktatori komunist Enver Hoxha, me pretekstin e nevojës për të zgjidhur ndarjen gjuhësore mes dialektit toskë të jugut dhe dialektit gegë të veriut.
(In the 1950s, the use of Gheg in speech or in writing was made a criminal offense by Albanian Communist dictator Enver Hoxha, under the guise of resolving the lingual divide between the southern Tosk dialect and the northern Gheg dialect.)
Gjithnjë sipas tij, poeti Primo Shllaku i paska thënë se “Gegërishtja u ndalua në atë mënyrë siç u ndalua fjala e lirë.” (“Gheg was banned the way free speech was banned.”)
Prekëse, por edhe e gjitha e gabuar; madje aq e gabuar, sa të krijojë një imazh të shtrembër dhe mashtrues, për çfarë ndodhi me gegërishten gjatë viteve të regjimit totalitar.
Pikë së pari, autori – dhe ndoshta informatorët e tij – nuk kujdesen të bëjnë dallim midis dialektit gegë dhe variantit letrar gegë; ishte i dyti që u luftua derisa u hesht, jo dialekti vetë. Dialekti nuk ka nevojë të shkruhet, që të mbetet gjallë – dhe në vetvete nuk ka qenë kurrë i rrezikuar nga standardizimi, as mund të kish qenë, gjatë viteve të imponimit të shqipes së njësuar me bazë toskërishten.
Edhe më i pagjasë është pohimi se përdorimi i gegërishtes, “në të folur dhe në të shkruar”, u shpall si krim (was made into a criminal offense) nga diktatori komunist Enver Hoxha: kjo nuk është dokumentuar gjëkundi dhe nuk i përgjigjet historisë.
Dhe aq më pak mund të ketë ndodhur kështu në vitet 1950. Kujtoj këtu se në vitin 1952, në dy konferencat shkencore të mirënjohura, që u mbajtën për shqipen letrare, kur u pranua madje u sanksionua përdorimi i toskërishtes letrare në shtet, në administratë, në shtyp dhe në tekstet shkollore; kishte autoritete si A. Xhuvani dhe E. Çabej që deklaronin haptazi se “Gjuha letrare e vetme është e mundur vetëm si gjuhë zyrtare” dhe se “shkrimtarët mund të vazhdojnë të shkruajnë në dialektin e tyre.” Madje Çabej nuk e gjente fatkeqe që “shqiptarët nuk e shkruanin të gjithë gjuhën e tyre në një trajtë, por me dy forma dialektore të ndryshme”; ndërsa Xhuvani propozonte që të mos futej toskërishtja në shkollat fillore të zonave mbi Shkumbin, duke vazhduar (gegërisht) se “jam i mendimit se brezi i sotëm intelektual duhet të shkruejë në dialektin e vet, që të mund të nxjerrë ndonjë prodhim me vlerë, e të mos i vihet ndalesë përdorimit të gegënishtes në shtyp e në prodhime letrare.”
Edhe Rregullat e drejtshkrimit të shqipes të botuara në vitin 1956 bazoheshin vërtet në toskërishten letrare, por ofronin të dhëna – në formë shënimesh në fund të faqes – edhe për drejtshkrimin e gegërishtes, çfarë provon se gegërishtja në atë kohë jo vetëm shkruhej, por edhe kishte interesim institucional që të shkruhej mirë.
Në fakt, kushdo mund të verifikojë se, në veprat letrare të botuara rishtas në Shqipëri pas vitit 1952 (d.m.th. jo në ribotime të letërsisë së traditës), gegërishtja u shkrua pak a shumë lirisht deri në fund të viteve 1960 – mjaft të përmend këtu autorë të mirënjohur si Kolë Jakova dhe Llazar Siliqi ose përkthyes si Gjon Shllaku (“Iliada”) dhe Pashko Gjeçi; pa përmendur pastaj përdorimin e saj në teatër, në estradë dhe në tekstet e këngëve.
Te “Politika e gjuhës në Shqipninë socialiste”, edhe Arshi Pipa, duke iu referuar periudhës para Kongresit të Drejtshkrimit në 1972, shkruan se:
Qysh herët, kah 1952, Lidhja e Shkrimtarëve vendosi që botimet të delnin vetëm në tosknisht. Gegnishtja letrare u ngushtue vetëm në sferën e letërsisë artistike, e cila vazhdoi të lejohej, nësa vazhdonte me humbë terren.
Pipa ka të drejtë kur shton se “Revolucioni kultural shqiptar (1966-1969) i zhduku edhe gjurmët e fundit të gegnishtes”; por gabon në pohimin se deri atëherë “gegnishtja letrare” lejohej vetëm në sferën e letërsisë artistike; ose me dashje, ose ngaqë nuk e njeh literaturën. Në fakt, Rexhep Ismajli, në veprën e cituar, citon dy autorë të njohur tekstesh jo me natyrë letrare-artistike, Qemal Haxhihasanin dhe Jup Kastratin, të cilët botonin artikuj studimorë në gegërisht, në vitet 1955, përkatësisht 1956. Kushdo që ka interes, mund të gjejë edhe shembuj të tjerë botimesh shkencore në variantin letrar geg, në revistat e asaj kohe.
Atëherë si duhet ta kuptojmë këtë që i paska thënë Primo Shllaku Sneeden-it, dhe pikërisht që “Gegërishtja u ndalua në atë mënyrë siç u ndalua fjala e lirë”? Një interpretim është që Sneeden-i autor i ka dhënë vetes ca liri të tepërt, ngaqë nuk e ka marrë vesh çfarë i ka thënë Shllaku, për shkak të padijes së vet bazë të kompensuar nga entuziazmi, ose ngaqë Shllaku nuk ia ka thënë mirë në anglishte; një interpretim tjetër është që Shllaku mund t’i ketë zbukuruar dhe dramatizuar pak gjërat, ose edhe thjeshtuar, aq sa të mund t’i kuptonte edhe edhe një profan si Sneeden-i; një interpretim i tretë, është që Shllaku ashtu kujton vërtet.
Mirëpo pohimi vetë është i pambrojtshëm. Sepse flet për “gegërishten”, term që përfshin edhe dialektin edhe variantin letrar; dhe i pari nuk u ndalua kurrë – edhe pse përdorimi i tij në kontekste formale erdhi duke u kufizuar dhe stigmatizuar, sa kohë që në shkolla mësohej vetëm toskërishtja letrare dhe sa kohë që standardi filloi të shënjonte edhe seriozitet dhe kompetencë; sepse lë të kuptohet sikur përdorimi i gegërishtes u kriminalizua, gjë që e formuluar kështu nuk është e vërtetë, sikurse mund të provohet lehtë; meqë me qindra (në mos mijëra) vetë janë dënuar, në Shqipëri, “për një fjalë goje”, por nuk më rezulton të jetë dënuar kush, dhe aq më pak me gjyq, ngaqë ka folur ose ka shkruar gegërisht.
Gegërishtja letrare, ose variantet letrare të gegërishtes (shkodranishtja, elbasanishtja, deri diku edhe kosovarishtja) u mënjanuan nga përdorimi, por me metoda të tërthorta: duke dekurajuar shkrimin rishtas të gegërishtes letrare, duke ndaluar për arsye politike dhe ideologjike veprat themelore të kulturës së bashkëlidhur me gegërishten e shkruar – si ato të Fishtës; duke nxjerrë jashtë ligjit Kishën Katolike dhe krejt sistemin e produksionit kulturor që orbitonte rreth Kishës; duke mos u dhënë bartësve të dialektit gegë mundësi për të mësuar si të shkruanin gegërishten në shkollë, etj. Brezi i atyre që ishin mësuar të shkruanin gegërishten ose u la të plakej natyrshëm, ose u pengua politikisht, ose iu përshtat situatës së re gjuhësore të imponuar politikisht; në një kohë që brezi i ri, i edukuar në shkollat e regjimit, nuk shkruante dot gegërishte edhe të donte, sepse nuk dinte si. Ndryshe nga e folmja amtare, që nuk ka nevojë të mësohet në shkollë, varianti letrar i shkruar duhet mësuar, si çdo teknikë tjetër. Me fjalë të tjera, varianteve letrare të gegërishtes iu prenë rrënjët kulturore, më parë në Shqipëri, më pas edhe në Kosovë.
Çfarë ka ndodhur me Sneeden-in në Kosovë është një kombinim total i injorancës me keqkuptimin dhe dizinformimin; për fat të keq, shumë prej nesh ndihen gati “të detyruar” t’u thonë të huajve budallallëqe, sa herë që këta tregojnë interes për punët tona. Dhe kjo po ndodh aq sistematikisht, sa është vështirë që mistifikime të tilla t’ia faturosh vetëm kontekstit të komunikimit dhe mungesës së një gjuhe të përbashkët “kulturore.”
Marrë nga "Peizazhe të Fjalës"
Add new comment