Fytyra e vërtetë e Ministrisë së Kulturës(shoqëruar vendimi i KKA-së)
Me një reagim të gjatë Ministria e Kulturës ka mohuar raportimet në media për ndërtimin e një objekti tregtar në Parkun Kombëtar të Butrintit. Por ajo që thuhet në sqarimin e detajuar është pikërisht ekzistenca e një udhëzimi që lejon ngritjen e një Qendra Multifunksionale Shërbimesh të cilat, sipas Ministrisë së Kulturës “do tregëtojnë vetëm produktet e miratuara dhe certifikuara paraprakisht nga Ministria e Kulturës”.
Vetëm se ministria nuk e quan ndërtim të ri por përshtatje të strukturave ekzistuese me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e shërbimeve të standardizuara brenda Parkut Kombëtar të Butrintit.
Prej shumë vitesh në Parkun Kombëtar të Butrintit është konstatuar se ofroheshin shërbime tregtimi të cilat nuk respektonin legjislacionin përkatës fiskal, legjislacionin mbi sigurinë e produkteve ushqimore, legjislacionin mbi produktet kozmetike etj, në mungesë ndër të tjera edhe të kushteve higjieno-sanitare. Në zbatim të këtyre Udhëzimeve dhe për të zgjidhur problematikat më sipër, Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj teknike vendimarrëse kanë miratuar projektet mbi intrastrukturën e standartizuar të ofrimit të shërbimeve në dy qendra specifike të cilat ofrojnë shërbimet e tyre brenda Parkut Kombëtar të Butrintit. Qendra SAL (Souvenir-Art-Libra) dhe Qendra Multifunksionale Shërbimesh të cilat do tregtojnë vetëm produktet e miratuara dhe certifikuara paraprakisht nga Ministria e Kulturës
thuhet në sqarimin e ministrisë së Kulturës.
Sipas saj, vendimi është marrë në Maj të këtij viti dhe ka patur miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Në fund të njoftimit vjen dhe qershia mbi tortë e këtij shpjegimi ku Ministria e Kulturës falenderon për interesimin në vazhdim të medias mbi çështjet e Trashëgimisë Kulturore dhe siguron opinionin publik mbi profesionalizmin e lartë dhe transparencën me të cilën institucioni përmbush detyrat funksionale.
Vendimi i KKA-së është marrë më 25 maj me kërkesë të IMK-së, gjithnjë duke pretenduar se bëhet fjalë jo për një objekt të ri, por rehabilitim. Po kështu gjatë këtij vit, KKA ka marrë 9 vendime për miratimin e procedurave legalizuese të objekteve informale brenda zonave arkeologjike të kategorisë B në Sarandë dhe Vlorë(Përditësuar)
Add new comment