Një interpretim pse u tërhoq PS nga pr/ligji i dekoratave
Politika u fut sërish në teatrin e përplasjes ideologjike me temë antikomunizmin, me promotor natyrisht Partinë Demokratike që aktivizon ndjeshmëritë antikomuniste sipas urgjencave të kryetarit për të rehabiltuar imazhin "e katranosur" pas bëmave politike që shoqëruan rizgjedhjen e tij në krye të një opozite të firosur.
Ka shumë pikëpyetje pse ky debat u riaktivizua tani dhe ajo që kemi dëgjuar është se PD e pati shprehje të indinjatës për prishjen e kullës së Prek Calit dhe shfaqjen e portreteve të Enver Hoxhës në ceremonitë përkujtimore të 75-vjetorit të Pezës. PS kundëreagoi me tërheqjen e draftit të heqjes së dekoratave për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit me argumentin e diskutimit me popullin të kësaj nisme, në kuadër të asaj që quhet bashkëqeverisje me qytetarët.
Por një interpretim më pragmatist ka dhënë deputeti socialist, Ervin Bushati lidhur me arsyet që e çuan Taulant Ballën të shpallë tërheqjen nga projekligji. "Për të shmangur gjaknxehtësinë, kemi luksin të rishikojmë historinë. Projektligji ka qenë për tu propozuar nga i njëjti deputet, është tërhequr dje. Fakti që nuk kemi kaq zhvillime dramatike, ka kohë për politikanët që të merren me gjakftohtësi me këtë çështje, në një situatë shumë konstruktive mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike"- deklaroi deputeti socialist në emisionin Top Show në Top Channel.
Nga kjo që thotë deputeti standardi me të cilin është operuar në këtë rast lidhet me nevojën që ka Partia Socialiste për të mbajtur nën kontroll zemërimin e Lulzim Bashës në funksion të paqes që është arrritur mes tij dhe Edi Ramës.
Deputeti socialist gjatë emisionit ka dhënë një vlerësim edhe mbi debatin për ndalimin ose jo të simboleve të komunizmit.
"S'mund të vendosim ekuivalencën mes komunizmit dhe fashizmit. Nazizmi ka pushtuar vende, ne nuk kemi pushtuar njeri. Enveri ishte një diktator gjysmë i çmendur, po nuk i intereson më njeriu kam përshtypjen"-theksoi Bushati. Qëndrim që në fakt nuk konvenon me shpalljen nga BE të një dite të përbashkët për viktimat e komunizmit dhe nazi-fazhizmin, qasje të cilën e ka përqafuar edhe qeveria shqiptare.
Add new comment