Komunizëm dhe Punk Rock në Jugosllavi*

Postuar në 20 Shtator, 2017 15:36
Miljenko Jergovic

 

Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 1984, në Sarajevë, Jugosllavi, “Elvis J. Kurtovic&Meteorët e tij” po performonin në një sallë bodrumesh përpara 300 fansave të nxehtë të punk rock një cover të “Maggie's Farm” të Bob Dylan. Por ata nuk po luanin variantin e Dylan, ishte një i veti, një përpunim i zgjatur qëllimisht, gjoja për kryeministren e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher. Por në fakt, “Elvis J. Kurtovic&Meteorët e tij” po këndonin për – në një mënyrë ekstremisht brutale që do të kishte qenë e papranueshme për autoritetet komuniste – kryeministren jugosllave, Milka Planinc.

Ishte një tregëtim brilant identitetesh që tallte regjimin jugosllav dhe ideologjinë e tij, duke luajtur me formën dhe përmbajtjen e një kënge punk tri minutëshe. Mund të përfshihej në çdo antologji globale të protestës punk, ndonëse editorët do të duhet të kenë dëgjuar për këtë grup të çuditshëm nga Sarajeva, i cili drejtohej nga Mirko Srdic, një student 22 vjeçar i inxhinierisë dhe një nga autorët më të zgjuar dhe më të kthjellët të skenës së rokut jugosllav.

Në versionin e tyre të këngës, “Elvis J. Kurtovic&Meteorët e tij” akuzonin Planinc – gjithnjë duke e thirrur Margaret Thatcher – për marrëzinë dhe korrupsionin në Kosovë, atëherë një provincë rebele jugosllave. Nëse një gazetare do të ishte përpjekur të publikonte diçka të ngjashme, ajo do të përfundonte në burg dhe përjashtohej përgjithnjë nga gazetat jugosllave. Nëse një qytetar i zakonshëm do të fliste kështu në kafe apo në tramvaj, ai të paktën do të hetohej nga policia për “përhapje të lajmeve të rreme dhe alarmim publik”. Por kjo ishte një këngë që i referohej Margaret Thatcher. Policia dhe Partia Komuniste pretendonin se ishte me të vërtetë për Thatcher dhe asgjë nuk ndodhi.

Punk Rock u shfaq shpejt në Jugosllavi. Bandat jugosllave punk ekzistonin që në vitin 1977, vitin kur “The Clash” publikoi albumin e parë në Britani. Koncerti i parë i madh punk, të paktën aq sa mbaj mend unë, u zhvillua në Pula, një qytet në bregun kroat, më 22 mars 1978. Shumë shpejt nisën të dalin disqet e para nga banda të tilla si “Pankrti” nga Lubjana, emri të ciliës në sllovenisht do të thotë “i paligjshëm” apo “fëmija bastard”. Këto regjistrime u publikuan përmes kompanive shtetërore, që ishin nën një lloj censure informale por prezente të partisë.

Nga perspektiva e regjimit, këto grupe prezantonin tekste shumë problematike. Ata sulmonin policinë, autoritetet dhe parimet e ideologjisë komuniste. Por sërish, ata këndonin dhe publikoheshin, në dukje pa asnjë ndërhyrje. Arsyeja ishte e thjeshtë:

është më pak e rrezikshme për diçka që të ekzistojë në vitrinat e dyqaneve të disqeve dhe në skenat e “shtëpive të kulturës” që sponsorizoheshin nga partia, sesa të jetonte underground, duke komplotuar kundër sistemit

Kjo ishte strategjia e liderëve të kohës, një grup njerëzish që do të liberalizoheshin edhe më tej pas vdekjes së presidenit jetëgjatë të Jugosllavisë, marshallit Josip Broz Tito, në pranverën e vitit 1980.

Njësoj si britanikët dhe amerikanët, punk rock jugosllav do të zhytej në skandale sociale dhe në angazhimin politik radikal. Ishte një kohë kur njerëzit ishin në gjendje të kishin një jetë të mirë dhe kur rinia mund të gjente punë të rregullt të paguar përmes shërbimeve të rinisë(një shpikje e partisë që lejonte studentët dhe gjimnazistët që të punonin kundrejt pagesës në kohën e lirë) dhe me fitimet e veta ata mund të shkonin në qytetin kufitar italian, Trieste, apo në Vjenë, madje deri në Londër që të shikonin prirjet e reja nënkulturore dhe të blinin disqe. Për shkak të kësaj, muzika klasike punk si “The Clash”, “Sex Pistols”, “Buzzcocks” dhe “The Damned” depërtuan në Jugosllavi bashkë me “Patti Smith”, “The Stooges” dhe “New York Dolls”.

Megjithatë jo çdo gjë ishte e njëjtë për ne në Jugosllavi siç ishte në New York apo në Londër. Punk jugosllav bazohej mbi rebelimin, me arratisjen virtuale të rinisë që karakterizonte disa pjesë të skenës së punk, të cilat mungonin tërësisht në Perëndim.  Punk rock në Jugosllavi u shfaq dhe u zhvillua si një mënyrë për të blasfemuar qeverinë dhe gjithçka tjetër – apo thuajse gjithçka – ku prindërit tanë besonin. Krijimi konsistonte në shkrimin e këngëve që mund të ishin më shumë anti-establishment sesa ato që ishin shkruar më parë, por që nuk do të censuroheshin. Kishte vetëm një temë të paprekshme: Tito. Çdo gjë tjetër lejohej. Dikush mund të këndonte pak a shumë hapur kundër gjithçkaje. Madje edhe kundër Komunizmit.

Disa prej këtyre këngëve tingëllonin si komenti politik i ditës. Gjatë grevës së madhe të kantierit detar të Gdanskut në Poloni, kur lëvizja e punëtorëve Solidarnos, e drejtuar nga elektriçisti Lech Walesa, sapo kishte nisur të krijohej dhe po fitonte mbështetje, banda “Azra” nga Zagrebi, përformoi në të gjithë Jugosllavinë këngën e quajtur “Polonia në zemrën time”. Kënga përshkruante ngjarjet e kohës, kundërshtonte ashpër Bashkimin Sovjetik dhe përmendte madje edhe Papa Gjon Palin II. Ambasada sovjetike në Beograd nisi një notë zyrtare ankese kundër këngës, por ajo nuk u ndalua. Regjistrimi i “Polonia në zemrën time” ishte publikuar nga “Jugoton”, atëherë emri diskografik më me ndikim në vend.

Ideologjjia e punkut jugosllav precipitoi drejt anti-Komunizmit, i ndërgjegjshëm apo i pandërgjegjshëm. Dhe këtu sërish një paradoks intrigues: pse autoritetet Komuniste lejuan një nënkulturë rinore anti-Komuniste që të lulëzonte? Po, ishte një valvol e dobishme për rebelimin e rinisë. Por përgjigja tjetër e kësaj pyetjeje u bë e qartë një dekadë më vonë.

Në vitet ’90-’91 Jugosllavia pësoi kolaps dhe Komunizmi u zëvendësua nga etno-nacionalizmi. Në këtë kohë ndodhi që bota e vjetër do ta shkatërronte veten nga brenda dhe Komunistët e djeshëm, drejtuesit e shërbimeve sekrete dhe komiteteteve qendrorë, do të merrnin pushtetin në republikat jugosllave me një shpejtësi të madhe, duke u transformuar në nacionalistë dhe politikanë të krahut të djathtë. Njerëzit që në fillim të viteve ’80 mblidheshin në konferencat e Partisë për të diskutuar ekseset anti-Komuniste dhe në vitet ’90 do të merrnin kontrollin e shteteve të reja të sapokrijuara, nuk donin të dinin shumë për anti-Komunizmin; atyre u interesonte pushteti.

Punk dhe Vala e Re e muzikës në Jugosllavinë e fillim viteve ’80 ishte një dukuri unike në botën Komuniste. Në vendet e tjera të Europës Lindore – me përjashtim të pjesshëm të Polonisë – punk rock u shfaq me të vërtetë vetëm kur Komunizmi praktikisht kishte pushuar së ekzistuari. Rokerët punk rusë, sidomos femrat e “Pussy Riot”, u revoltuan kundër konservatorit Vladimir Putin në një kohë kur Komunizmi ishte venitur me të shkuarën e vendit. Punk rock mbërriti në Rusi – siç kishte ndodhur pak më herët në Hungari, Poloni dhe Çekosllovaki – si një jehonë e vonuar e diçkaje që ka ndodhur prej kohësh në Perëndim dhe zakonisht ishte thuajse një imitim i modeleve britanike dhe amerikane.

Për shumë vite, kjo ishte mënyra si kultura popullore dhe ajo e rinisë u zhvillua në Jugosllavi po ashtu. Por me liberalizimin e regjimit politik, me pasurimin material të shoqërisë dhe me rritjen dhe fuqizimin e klasës së mesme, gjërat nisët të ndryshojnë radikalisht nga fundi i viteve ’70. Në vitin 1968, vetëm një vit pasi u prodhua në New York, “Flokët”, musical i prodhuar nga Broadëay, u dha në Beograd, një ngjarje që u kthye në pikë referimi për kulturën popullore jugosllave. Nga shfaqja e “Flokët” në Beograd te punk rock jugosllav dhe më pas deri në rënien e Jugosllavisë, gjërat ecën përgjithësihgt në sinkronizim me Perëndimin.

Në ndryshim me Bashkimin Sovjetik dhe Partitë Komuniste të Europës Lindore, liderët e të cilave e shihnin kontrollin e kulturës, sidomos asaj popullore dhe të rinisë, si mënyrë për të shpëtuar pushtetin e tyre, Komunistët Jugosllavë ofronin kulturën ndaj qytetarëve të tyre, sidomos të rinjve, si një valvul për të lehtësuar traumën sociale, ndërkohë që do të prezantonte iluzionin e lirisë. E thënë thjesht, në ndryshim nga Leonid Brezhnjevin të Bashkimit Sovjetik, Tito, nuk mendonte se të rinjtë me bateri dhe kitarë do të rrëzonin shtetin. Dhe në fund ai kishte të drejtë.

Burimi: https://www.nytimes.com/2017/09/18/opinion/punk-rock-communist-yugoslavi...

Titulli origjinal: Çfarë do të thoshte Punk Rock për Jugosllavinë komuniste?*

Përkthimi: ResPublica

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Jugosllavia e Titos ishte dikur nr. 1 ne Ballkan, pikerisht sepse ekzistonte njefare lirie, cfare e shihnim edhe ne TV tek "Njedjelno popodno". Sot ne kete rruge po ecin jo njelloj republikat e ndryshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.