Po përgjegjësi kush mban?

Postuar në 14 Shtator, 2017 11:08

Kryeministri i Shqipërisë ka tagër të flasë në emër të shumicës së shqiptarëve së Shqipërisë, meqenëse kjo nënkuptohet nga mandate i tij. Por vështirë se ai mund të flasë në emër të dëshirave të tyre, pasi çdo interpretim do të ishte spekulativ. Z Rama luan në këtë drejtim duke sugjeruar të pavërtetën, ose të vërtetën e paverifikueshme, si interes të përgjithshëm, meqenëse vota e 25 qershorit garanton podiumin prej nga iniciohen politika.

“Çfarë duan njerëizt? Njerëzit duan pastrim. Pastrim të mekanizmit të shtetit nga parazitët dhe grabitqarët. Njerëzit duan shërbim. Shërbim mbi çdo nevojë dhe mbi të drejtën që atyre ua jep Kushtetuta dhe ligji. Njerëzit duan ndëshkim. Ndëshkim për të gjitha që bëhen pengesë për këto shërbime dhe të drejta”, tha ai në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së.

Ky është një trekëndësh fjalësh që rimojnë, por që nuk përkojnë me mesazhet e zgjedhjeve. Z. Rama po përpiqet të thotë se pastrimi i administratës është kërkesë kryesore. Se shërbimi ndaj njerëzve është detyrim dhe se ndëshkimi domosdoshmëri. Vështirë të thuhet se këto kërkesa ishin ato që çuan në rezultatin e 25 qershorit 2017. Sidomos po të kemi parasysh pjesëmarrjen e njerëzve.

Z. Rama na premtoi bashkëqeverisje me PD-në të cilën sot e konsideron fajtoren e madhe të gjithëçkaje. Ndaj me siguri që pastrimi është një operacion i shpikur së fundmi.

Po të marrim shërbimin, duhet të kujtojmë se askush nuk ka penguar përmirësimin e tyre, rritjen cilësore etj.. Z. Rama mburret vazhdimisht me policinë e Sajmir Tahirit si etalon cilësie, kur në fakt problemet që përfaqëson kjo trupë janë serioze. Dhe shërbimet që të jenë më të mira, duhet të kenë një vizion të qartë dhe respekt për ligjin. Diçka që kjo qeveri dhe të zgjedhurit e saj nuk e njohin. Shikoni sesi vepron një tjetër beniamin i tij, Erjon Veliaj, njeriu kryesor i shkeljes së ligjit sot në Shqipëri.

Nëse do të vijmë te ndëshkimi, ky përfaqëson edhe gënjeshtrën më të madhe në këtë hapje të mandatit të dytë. Z. Rama emëroi gjithfarë njerëzish si drejtorë, disa prej të cilëve i “nxorën edhe bojën”. Por nëse me ndëshkim të atyre që sipas vetë kryeministrit shkelin ligjin dhe poshtërojnë qytetarët, quhet kërkesa për dorëheqje si  në rastin e hipotekave apo spitaleve, atëherë këtu kemi të bëjmë me amnistim dhe jo ndëshkim. Ndëshkimi për atë që shkel ligjin nuk është dorëheqja dhe nuk është në tagrin e qeverisë të flasë për ndëshkime në një sistem ku është punë e hetimit dhe gjyqësorit që të japin vendimin.

Siç mund të merret me mend qoftë edhe duke menduar pak sekonda mbi fjali të tilla që rimojnë, kemi të bëjmë vetëm me ushtrimet e zakonshme retorike të një kryeministri që ndihet i çliruar nga çdo përgjegjësi, pasi kështu lexon edhe votën  që mori më 25 qershor dhe në kushtet kur e ka opozitën lodrën e vet argëtuese. Pasi asgjë nuk është e besueshme kur mungon Përgjegjësia. Z. Rama flet për probleme të thella që paskan harlisur trupin e shtetit, por se kush e ka përgjegjësinë për këtë, askush nuk e di. Dhe askush nuk e thotë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.