Hitleri gjallë në Argjentinë? Një informacion i tillë i shkoi CIA-s më 1955
Për fatin e Adolf Hitlerit, themelues dhe lider i Gjermanisë Naziste, ka një mitografi jo të vogël. Vdiq apo jetoi pas Luftës së Dytë Botërore Fyhreri? A është fotoja e kufomës së tij pranë shefit të shërbimit sekret sovjetik të asaj kohe, Lavrenti Beria e vërtetë? Spekullimi se Hitleri i shpëtoi luftës me trukun e njohur të inskenimit të vdekjes e ka kërkuar atë zakonisht në Argjentinë, një vend ku u mblodhën disa eksponentë gjermanë të nazizmit.
Por nëse kjo tezë është shumë e lakuar dhe sërish e dyshimtë në mos e pabesueshme, duhet thënë se burimi i saj me gjasë është Agjencia Amerikane e Inteligjencës – CIA. Disa dokumente të zbuluara së fundmi përfshijnë edhe një memo që ish-shefi i stacionit të CIA-s në Karakas, i dërgonte më 3 tetor 1955 eprorit të vet, shefit të Agjencisë për Divizionin e Hemisferës Perëndimore, përmes së cilës e njoftonte për një informacion sipas të cilit Adolf Hitler ishte gjallë dhe ishte parë, madje fotografuar në Tunga të Kolumbisë në vitin 1954. Në vitin 1955 i njëjti raportim bën me dije se personi i dyshuar si Hitleri e që mbante emrin Adolf Schritteimayor është larguar drejt Argjentinës në cilësinë e një punonjësi të Royal Dutch Shipping Co.
Zyrtari raportues i CIA-s thekson se burim i këtij informacioni për agjencinë është një agjent që shfaqet nën emrin e koduar Cimelody – 3, siç duket eksponent SS gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili pretendonte se informacioni i kishte ardhur nga një ish-vartës i tij, Citroen - identiteti i të cilit mbetet i paqartë – e që madje i dorëzoi edhe një fotografi me atë që thoshte se ishte Hitleri. Fotoja i bashkëngjitet memos së klasifikuar në atë kohë si Sekret, por siç rezulton agjencia nuk e pa të arsyeshme vijimin e hetimeve për shkak se nuk do të arrihej një rezultat konkret, pavarësisht punës që mund të bëhej.
Duket se historia ka shumë boshllëqe, aq më tepër që është e çuditshme që Hitleri në arrati, mban emrin Adolf, mban pothuajse të njëjtën paraqitje dhe ç’është më e çuditshmja punon me një kompani holandeze dhe lejon ta fotografojnë. Historia duket si një mënyrë për të marrë ndonjë shumë parash dhe asgjë më tepër, ndërkohë që Argjentina si vendndodhje zbulon se ideja që ka dekada që qarkullon se Hitleri jetonte aty ka si burim në mos CIA-n, dikë që ka ushqyer edhe memon e saj.
https://www.cia.gov/library/readingroom/docs/HITLER%2C%20ADOLF_0003.pdf
Add new comment