Xhandari që duam
Dy statuse në Facebook, një shantazh për ndërprerje fondesh dhe bilbili i kryeministrit ka vënë në lëvizje zëdhënësin personal të Edi Ramës në Ministrinë e Arsimit. Sot Lindita Nikolla ka reaguar për përballjen vërbale të kryeministrit me Akademinë e Shkencave pas procesit të zgjedhjes së kryetarit, duke folur shkoqur me këtë shqipe:
Kush e komenton mbrapsht politikisht, mediatikisht apo inatçorisht deklaratën e djeshme të Kryeministrit mbi Akademinë e Shkencave, si një reagim momental, është në rastin më të mirë i painformuar.
Kryeministri është angazhuar prej kohësh në një dialog me anëtarët e Akademisë së Shkencave. Në takimin e realizuar në kryeministri, në maj 2016, me akademikët dhe përfaqesuesit e Ministrisë së Arsimit e Sportit, ai ka nënvizuar domosdoshmërinë e reformimit të institucionit dhe ka kërkuar përulësisht kontribute me shkrim nga vetë akademikët.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit angazhim të plotë në këtë dialog, ku fatkeqësisht pritëm gjatë për një kontribut konkret dhe të vlefshëm nga ana e Akademisë së Shkencave, por që nuk erdhi kurrë.
Sidoqoftë, ne kemi vijuar punen tonë ne tri drejtime:
a. Shkrimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Kërkimit Shkencor, Tekonologjisë dhe të Inovacionit, për vitet 2017-2022;
b. Përgatitjen e Dokumentit Politik për Reformimin Institucional të Kërkimit Shkencor;
c. Përgatitjen e Draft-Ligjit të ri per Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin.
Produktet e punës, në të tri këto drejtime, flasin vetë dhe, me fillimin e punës së qeverisë së re, do të dalë në pah edhe pseja e deklaratës së djeshme të kryeministrit, të cilën e mbështes plotësisht, si të gjithë ata që e kanë ndjekur nga brenda ecurinë e këtij procesi. Të njëjtën bindje me kryeministrin ndajnë edhe persona të tjerë, publikisht të rreshtuar më shumë se sa një herë kundër qeverisë.
Zgjedhjet e djeshme në Akademi ishin pika e fundit që derdhi kupën e mbushur në vite, sepse dëshmuan mungesën më shembullore të çdo sensi reflektimi mbi kalbëzimin tanimë pa kthim të atij institucioni. Prandaj, edhe financimi publik i Akademisë së Shkencave në këto kushte do të ishte thjesht bashkëfajësia në heshtje përballë një fakti kokëfortë: Akademia e Shkencave ka humbur çdo arsye dhe funksion të ekzistencës së saj.
http://www.panorama.com.al/rama-i-preu-fondet-reagon-ashper-ministrja-ak...
Në këtë reagim të ministres nuk sqarohet sesi do të ndërpritet financimi i Akademisë pa bërë më parë ndërhyrje ligjore. Akademia funksionon mbi bazën e një ligji organik, neni 14 i të cilit sanksionon se ajo është institucion buxhetor. Po kështu një Vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2013 rregullon financimin e administratës së saj duke miratuar strukturën dhe organikën. Si do të zhbëhen këto dhe si do të ndërpriten fondet?
http://akad.gov.al/ash/pdf/Ligji_ASH_se_bashku_me_ndryshimet.pdf/http://...
Qeveria mund të ketë edhe këtu strategji siç thotë ministrja, por sërish do të duhet të prezantohej ky dokument bashkë me ligjet shoqëruese për të folur për reformim. Edhe sikur të pranohet kjo që thotë ministrja Nikolla, që bën këtu zëdhënësen, pra edhe sikur qëllimet të jenë të mira, është nevoja për teatrin personal të Edi Ramës ajo që kompromenton besueshmërinë se diçka e mirë do të vijë. Akademia e ka detyrim raportimin para qeverisë çdo muaj dhjetor dhe z. Rama ka ditur shumë mirë gjendjen e saj, edhe pse është shumë e vështirë për t’u besuar se personi në fjalë lexon ndonjëherë raportet që i vënë mbi tavolinë.
Nuk mund të mos bjerë në sy edhe fakti se kryeministri u bë i gjallë me rastin e një procesi zgjedhor, diçka flagrante dhe autodenoncuese. Përndryshe z. Rama e kantë vështirë rolin e atij që u kërkon dorëheqje edhe akademikëve, pavarësisht se çfarë përfaqësojnë në të vërtetë, njësoj siç bëri me drejtuesit e hipotekave, të spitaleve apo ambasadorëve. Zgjodhi rrugën e parave duke kërkuar të jetë xhandari që duam.
Add new comment