Afganistani: 16 vjet luftë, mijëra të vdekur dhe një fund i paqartë
Më shumë se 15 vjet pas fillimit të Operacionit "Liria e Qëndrueshme" në Afganistam, bilanci i luftës së amerikanëve ka ngritur shumë pikëpyetje mbi atë që quhet Lufta me e gjatë e Amerikës.Vera e vitit 2017 ka qenë e përgjakshme në Afganistan, me qindra të vdekur. Bombat vetëvrasëse kanë shënjestruar funerale dhe banka. Një shpërthim masiv në qershor vrau të paktën 150 persona në kryeqytetin Kabulit, ndërsa një tjetër sulm tronditi një xhami shiite.
Sipas Kombeve të Bashkuara, numri i civilëve të vrarë në gjashtë muajt e këtij viti është rekord për tetë vitet e fundit. Talebanët po korrin sërish përfitime të mëdha në Afganistan dhe nuk po tregojnë shenja të zbrapsjes. Nga gushti i vitit të kaluar qeveria afgane ka nën kontroll vetëm 63.4% të territorit të vendit. Analistët besojnë se çfarëdo që Trump të vendosë për të ardhmen e kësaj lufte, nuk dotë mund t’i japë fund të shpejtë të konfliktit.
Si u mbërrit deri këtu?
Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin më 7 tetor 2001, si pjesë e Operacionit Liria e Qëndrueshme. Administrata e Bushit akuzoi qeverinë e atëhershme talebane për strehimin e liderit të al Kaedës, Osama Bin Laden, i cili akuzohej për organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Talebanët ofruan të dorëzojnë Bin Ladenin me kushtin që të gjykohej në një vend të tretë dhe jo në Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni e refuzoi ofertën dhe filloi sulmet ajrore dhe tokësore, të cilave iu bashkuan edhe aleatët amerikanë. Më pas fokusi u zhvendos nga Afganistani në Irak. “Ky ishte një gabim i madh strategjik", thotë Rodger Shanahan, bashkëpunëtor i studimeve në programin e Azisë Perëndimore të Institutit Loëy, pasi sipas tij SHBA nuk mund të luftonte në dy fronte njëkohësisht.
Nga koha që Obama mori përsipër presidencën amerikane në vitin 2009, talebanët u riorganizuan dhe deri në dhjetor të atij viti, zyrtarët e inteligjencës amerikane po e etiketonin hapur kryengritjen si gjithnjë e më efektive. Presidenti i ri amerikan çoi në Afganistan deri në 100,000 trupa, por në kohën kur amerikanët filluan të tërhiqeshin në fund të vitit 2011, talibanët fituan përsëri terren. Në vitin 2017, kur në Afganistan mndodhen më pak se 10,000 trupa, lufta vazhdon të zvarritet në vitin e saj të 16-të pa fund në horizont.
Kostot në njerëz dhe dollarë
Që nga konflikti që filloi në vitin 2001, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar më shumë se 800 miliardë dollarë vetëm për luftën në Afganistan. Duke shtuar edhe fondin e kujdesit të veteranëve, numri i tejkalon 1 trilion dollarë. Kostoja jetëve të humbura ka qenë gjithashtu e lartë. Më shumë se 2,200 trupa amerikane janë vrarë në Afganistan, si dhe mijëra forca aleate. Dhjetëra mijëra civilë dhe ushtarakë afganë kanë vdekur në konflikt. Dhe kështu lind pyetja, pse Shtetet e Bashkuara nuk largohen? Një nga arsyet është se Uashingtoni dëshiron të shmangë lirimin e hapësirave për terroristët, të cilët mund të planifikojnë sulme të ngjashme me ato të 11 shtatorit 2001.
Cilat janë opsionet e Trump?
"Mundësitë e Trump janë të kufizuara”-thotë Michael Kugelman, zëvendës drejtor dhe bashkëpunëtor i lartë në Programin për Azinë Jugore në Qendrën Woodrow Wilson. "Kjo është e qartë, nuk ka opsione të mira në Afganistan. Trump nuk mund të shpresojë të fitojë. Më e mira që ne mund të shpresojmë është një lloj negocimi për t’i dhënë fund të luftës, por është e vështirë të imagjinohet që SHBA, Afganistani, apo ndonjë palë tjetër e interesuar të ofrojë stimuj që do të jenë tërheqës për talebanët, aq sa t’i ulin në tryezën e bisedimeve”.
Talebanët kanë shënuar fitore të mëdha në fushën e betejës. E vetmja shpresë është përçarja mes liderëve të vjetër talebanë dhe luftëtarëve të rinj dhe a do të jetë në gjendje SHBA të pajtojë një bandë të liderëve të vjetër - që kanë qenë në biznes 20 vjet dhe djemve të rinj që janë me armë në frontin e luftës.”
http://edition.cnn.com/2017/08/21/asia/afghanistan-war-explainer/index.html
Add new comment