Gjermania e vetme destabilizon Europën
Enriko Leta, ish-kryeministër i Italisë ka publikuar sot në Corriere della Sera një opinion mbi marrëdhëniet mes Italisë dhe Gjermanië dhe pasojat e tyre në sferën europiane. Leta i vlerëson çekuilibrimet e fundit në Europë edhe si rrjedhojë e asaj që e quan fundin e marrëdhënieve të privilegjuara mes Italisë dhe Gjermanisë, të cilat nisën me mirëkuptimin De Gasperi – Adenauer dhe vijuan gjatë në raportet mes demokristianëve në të dyja vendet.
Ishte një marrëdhënie me përfitim për Italinë dhe Gjermaninë por ka qenë themelore sidomos për Europën…Është një raport që ka përjetuar dy momentet e fundit kyçe në vitet ’90. I pari kur Italia dhe kristiandemokratët, pas një dyshimi fillestar të Andreottit – fraza e famshme “E dua shumë Gjermaninë, preferoj të jenë dy” – dhanë në kohë një mbështetje politike përcaktuese për zgjedhjen “e shpejtuar” të ribashkimit gjerman që kërkohej nga Kohl, në ndryshim nga liderë të tjerë uropianë demokristianë. I dyti, kur Kohl, në bazë edhe të një raporti të thellë besimi me Prodin dhe Çampi, hapi dritën jeshile hyrjes së Italisë në euro që nga faza e parë
shkruan Leta.
Sipas tij duhet pranuar se ky raport nuk ekziston më. Një arsye është fundi i kristianëdemokratëve në Italinë e pas Andreotit, por po ashtu edhe fakti se me një rol përherë e më dominues në Europë, Gjermania po nënvlerëson raportet dypalëshe duke nisur që nga ai raport historik me Francën.
“Gjermanët duhet të ishin të parët të kuptonin që BE-ja si e tillë nuk mund të përparojë me një vend unik në pozicion dominues”, shkruan Leta.
Të dhënat e fundit flasin se perceptimi për Europën dhe rolin e Gjermanisë ndryshon mes popujve dhe elitave, duke krijuar një ndarje që do të ketë pasoja. Me një thjeshtësi dhe gjuhë të drejtpërdrejtë, ish-kryeministri italian sugjeron rikthimin e raporteve dypalëshe, prej të cilave kanë përfituar të gjithë, por pa sqaruar se çfarë konkretisht mund të arrijë Italia në një bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë që nuk e arrin dot në kuadrin europian, përveç temës së emigracionit. Italia prej vitesh kërkon ndryshimin e rregullave të Dublinit dhe askushn nuk e dëgjon. Kjo e Lettas është ndoshta një qasje oportune për të ndihmuar Italinë aty ku të gjithë i kanë kthyer kurrizin.
“Europa ka më shumë se kurrë nevojë për të riekulibruar ngrehinën e vet, shumë të qendërzuar mbi një dimension monetar pa bazë ekonomike dhe politike të mjaftueshme”, shton ish-kryeministri italian që shton se Italia dhe Franca duhet të japin prova të menaxhimit më të mirë të borxhit publik nëse duan që gjermanët të ndryshojnë qëndrim.
http://www.corriere.it/opinioni/17_agosto_18/fine-matrimonio-310ed5b0-83...
Në çdo rast kushtëzimi i sjelljeve me kërkesa menaxheriale është larg vlerave të solidaritetit që i dha frymë Europës së pasluftës dhe duket se energjia për një fillim të ri nuk ekziston më.
Add new comment