Jemi sekreti i fundit - të na zbulojnë sa më shpejt se do asfiksohemi

Postuar në 04 Gusht, 2017 13:12

Je i mërzitur? Nuk shtyhet? Nuk bëhet ky vend? Ka vrasje, drogë, krim dhe korrupsion? Për të gjitha këto ka një fjalë që të vë me shpatulla për muri: ti je pesimist. Ti e shikon gotën gjysmë plot. Të shohësh realitetin është njëra gjë, se të bën realist, praktik, siç ta kërkon kuvendi këtu. Por ta soditësh atë mund të të bëjë të papërshtatshëm, depresiv në dukje, të pakënaqur. Në mos edhe pak si të shitur tek armiqtë.

Kush zymton mendimet dhe kufizon ato tek harta gjeoerotike e Shqipërisë rrezikon të mos kuptojë vendin e vet, të mos pjësëmarrë në begativë e optimizmit të shtirur, si arti I vetëm në lulëzim të përhershëm këtu.

Shqipëria është e bukur, madje e mrekullueshme dhe për këtë njerëzit duhet të kenë meritën e tyre. Pavarësisht se çfarë kanë bërë e po bëjnë. Fundja një vend është i bukur edhe se mban shumë dhe gëlltit për të gjithë: sapo plasin ujërat e zeza në një vend, kthe kokën dhe shiko tjetërkund se është bukur. Vdesin njerëz në plazhe, po lëre tani se je emocional. Shiko Shkuma Party. Madje shkruaj për to si ngjarje kulturore ku nuk edhe shumë punë për të bërë: aty nuk kërkon idetë, aty mund të sekretosh gjithçka lirshëm.

Ka mbetje ngado dhe krim? Kai laç edhe për këtë. Shqipëria është sekreti i fundit i Europës. Këtë ta thonë media të huaja, që sillen në shqip si libër përshtypjesh dhe befasish në vend të agjentit të marketingut siç edhe janë.

Në një botë që fillon e mbaron pas kompjuterit, ne kemi fatin të jemi sekreti i fundit. Të jetojmë në një qoshe të pazbuluar që po u fut ethet të huajve, turistëve, që janë as më shumë e as më pak, por miqtë e shumuar.  Nuk është çudi që edhe NASA të shpikë ndonjë satelit që qëndron pezull mbi Shqipëri për të mos e lënë më botën në terrin e këtij sekreti, por për të na nxjerrë açik në livadhin e ëndrrave të një bote të tërë.

Do ishte një ndihmë e madhe edhe për ne shqiptarët. Sepse është një punë të mos e dish që je pjesë e një sekreti, apo vetë sekreti, dhe krejtësisht tjetër që ta marrësh vesh se ti je sekreti. Është klaustrofobike gjithë kjo veçanti, gjithë kjo vetmi. Ndaj bëhuni gati që me sa të mundni të nisni e të mblidhni rrëfimet që do u molloisni europianëve që edhe alllatet nuk I mbajnë më mbuluar siç bëjmë ne në rrëfimet për veten.

Kuptohet mos harroni edhe çmimin e duhur, se përrallat nuk tregohen falas, sidomos kur zbulojnë këtë sekretin e vetëshpikur të një vendi që çoç është në këtë botë, por ende nuk e ka gjetur njeri.

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.