Ku shkuan zëdhënësat?
Një nga gjërat që e dallon politikën amerikane, apo atë të disa vendeve kryesore apo jo, është kultura e marrëdhënieve me publikun. Të cilës i kushtohet shumë rëndësi, aq sa zëdhënësat dhe këshilltarët dalin në konferenca për shtyp dhe u përgjigjen një sërë pyetjesh. Këtë praktikë e ka përforcuar shumë së fundmi edhe një vend si Rusia apo Kina, çka na provon se ndonëse jetojmë në epokën e komunikimit, asgjë nuk e zëvendëson kontaktin njerëzor. Madje konferencat për shtyp janë një mundësi për të korrigjuar të famshmet fake neës, për të izoluar rrugën e përhapjes së tyre.
Sigurisht nuk mund të shpresohet se një gjë e tillë realizohet vetëm me dekrete dhe urdhëra, apo vullnet personal të një drejtuesi apo një tjetri. Këtu kemi të bëjmë me nevoja politke, por edhe me një kulturë. Shikoni konferencën për shtyp të këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Miller, në të cilëën ai nuk heziton të përfshihet në debat mer gazetarët. Po kështu zëdhënësja Sanders është shumë aktive në komunikimin e vet, përtej qëndrimeve që përcjell.
Kjo kulturë mungon tërësisht në një vend si Shqipëria, ku drejton një kryeministër që sot pretendon të përfshihet në debatin për Europën. Praktika e mëhershme ka qenë që zëdhënësat bënin deklarata dhe pranonin pyetje. Madje edhe në një parti si PD-ja konferencat për shtyp ishin shumë të zakonshme në vitet 2000-2005. PS-ja po ashtu e kishte normuar si sjellje edhe për mbledhje të ndryshme të saj, pa folur se zëdhënësat ishin aktivë dhe emra të njohur për publikun edhe në ministri të ndryshme si ajo e Jashtme, e Brendshme, apo edhe në KQZ. Aktiv ka qenë edhe këshilltari për presidentin e Republikës.
Ku përfundoi kjo kulturë edhe ashtu në fillesa? U fshi rrugës bashkë me blerjen e mediave, bashkë me reduktimin e politikës në tender dhe transformimin e opinionit publik në sehirxhi kafenesh. Patjetër që protagonist këtu është kryeministri aktual, komplekset e të cilit tjetërsuan PS-në dhe mandej po qeverisin Shqipërinë, por sigursisht që nuk është i vetmi.
Sot që flasim askush nuk e pranon ta rikthejë këtë standard ndonëse të ashtuquajturit këshilltarë për mediat paguhen jo keq. Në finale puna është katandisur në monitorim shkrimesh dhe kronikash, ndonjë reagim, mundësisht sa më pak, ndonjë telefonatë dhe kaq. Kjo qeveri është ajo që po vendos rekorde edhe në moskomunikim. Duke përjashtuar disa raste, sot është shumë e vështirë që të marrësh një informacion zyrtar nga një këshilltar apo zëdhënës, nëse ka. Ligji për informacionin të jep shumë të drejta, e vërtetë, por ai vendos afate të cilat e bëjnë të papërshtatshëm për ritmin informativ që kërkon media. Kjo është e qëllimshme dhe nuk lidhet me frustracionin e njërit apo tjetrit. Është një politikë e Marrëdhënieve me Publikun, bazuar mbi gënjeshtrën, heshtjen, mungesën e transparencës dhe mbi të gjitha me nevojën prej femre që kanë të gjithë liderët për të qenë të vetëm, përditë, pa ndalim paara pasqyrës.
Add new comment