Nga supermazhoranca e vjetër tek opozita e re, sipas numrave
Rezultatet e zgjedhjeve të 25 qershorit krijuan një situatë tjetër politike në raport me situatën e katërvjeçarit të kaluar, duke vendosur balanca të ndryshme nga ato që ishin deri më sot! Votuesit zgjodhën Partinë Socialiste, zmadhuan LSI-në dhe dërrmuan opozitën. Në përgjithësi forcuan edhe më tepër partitë e deritanishme në pushtet, në dëm të opozitës. Aq e dëmtuar është opozita nga numrat e 25 qershorit, sa edhe LSI po ndërton strategjinë e paraqitjes si parti opozitare, ngaqë pozicionimi i saj majtas (pro-pushtetit) do të sillte një supermazhorancë që do të kalonte çdo limit në një sistem politik të profilit perëndimor. Mjafton të përmend faktin që partitë e Rilindjes-2015 (koalicionit qeveritar në zgjedhjet lokale të vitit 2015), kanë marrë mbi 68% të votave, në raport me opozitën që është në nivelin 29%. Mazhoranca e vitit 2015 mund të kishte 101 deputetë (39 opozita) dhe vetëm marrëveshja Rama-Basha i krijoi mundësinë ta çonte në 43 deputetë opozitën, ngaqë në zgjedhjet e 25 qershorit partitw pro-pushtetit nuk dolën në koalicion (ndryshe nga opozita që doli e gjitha nën siglën e PD).
Këto shifra e bëjnë të pamundur për opozitën e deritanishme, të marrë mbi supe përgjegjësinë komplete të opozitarizmit në vijim. Partia Socialiste e ka siguruar pushtetin e vetme dhe lufta tani fillon brenda kampit opozitar që është në proces evolucioni. Faktor kryesor i këtyre ndryshimeve në raportet politike është LSI. Prandaj, numrat e kësaj partie janë edhe faktori kryesor për të ardhmen e sistemit pluralist në Shqipëri.
225 901 vota, (14.28% në total), me produkt 19 deputetë, janë një tregues që identifikon fuqinë numerike të LSI-së. Por kjo nuk paraqet gjithçka. Paraqet totalin dhe forcën në nivel republike, por jo edhe specifikat e saj, në bazë të të cilave mund të krijohet një përshtypje për stabilitetin e numrave të LSI-së. Gjithçka paraqitet vetëm me një sistem prej 5363 numrash(numrat e LSI-së për çdo qendër votimi) dhe raporti i këtij sistemi numrash me 5508 numrat (numrat e LSI-së për çdo qendër votimi nga zgjedhjet e vitit 2013), për të krijuar një imazh të plotë mbi fuqinë numerike dhe stabilitetin e kësaj fuqie!
Numrat nga zgjedhjet e 25 qershorit, por edhe numrat e të kaluarës, tregojnë (të paktën aparencialisht) që elektorati i LSI-së është pragmatist, siç është edhe vetë partia! Depërtimi i saj në elektorat është i fuqishëm, por nuk ka qëndrueshmëri dhe stabilitet! Jo vetëm që rritja në nivel kombëtar nuk ka uniformitet nëpër njësitë administrative të vendit, por edhe brenda një njësie administrative ka luhatje tepër të forta nëpër qendrat e votimeve të kësaj njësie.
Një ilustrim i për këtë fenomen paraqitet në dy tabelat e mëposhtme:
Nga tabelat vërehet se çfarë luhatjeje dhe çfarë kaotizmi statististikor ka mbështetja për LSI nëpër QV të njësive administrative. P.sh nga tabela.1 vërehet popullariteti shumë i ndryshëm nëpër QV të ndryshme edhe pse votuesit jetojnë gjeografikisht afër. Gjithashtu kolona e vitit 2013 tregon që popullariteti i LSI-së nuk është aspak stabël. Lëvizjet në mbështeje nuk i përshtaten asnjë lloj racionaliteti (p.sh në QV-194 me afro 300-vota të vlefshme, LSI ka rënie nga 8.26% në 6.64%, kurse në QV-207, me afro 160 vota të vlefshme, LSI e 6-fishon rezultatin( nga 6.36% në 38.36%)). Kurse nga tabela.2 vërehet që në qytetin e Elbasanit, në lagjen “Skënderbej”, LSI ka rënie ekstreme popullariteti, ndërsa njëkohësisht në lagjen “Partizani” ka një rritje të lehtë. QV-të e paraqitura në tabelën.2 paraqesin numra të mëdhenj votuesish, gjë që e rrit kaosin statistikor.
Me qëllim, tek tabela.1 dhe tabela.2 zgjodha një zonë rurale dhe një zonë urbane, për të nxjerrë në pah që fenomeni i lartpërmëndur është i përhapur, nëpër fshatra dhe qytete. Për të treguar që ky fenomen nuk është i rrallë por masiv, do të duheshin dhjetëra tabela e faqe të konsumohen për këtë qëllim. Për të përmbledhur dhe shkurtuar shpjegimin, përmes grafikut në vijim kemi një përshkrim në përgjithësi për fenomenin.
Sa më i madh dispersioni (kolona e kuqe), aq më tepër rezultate të ndryshme kemi për LSI nëpër QV të një njësie administrative. Këto rezultate për njësinë administrative, po të krahasohen edhe me rezultatet e vitit 2013, në shumë raste dalin krejtësisht të ndryshme, gjë që sjell edhe një situatë e cila nuk të lejon të nxjerrësh asnjë konkluzion racional mbi elektoratin e LSI për njësinë administrative që shqyrtohet. Rastet e paraqitura në tabelat 1 dhe 2 janë tipike, por ka edhe mjaft të tjera, siç janë njësitë administrative që paraqiten majtas në grafik. P.sh njësia administrative Bërdicë me elektorat për LSI 16.23% dhe me dispersion (të madh) 9.96% paraqitet në tabelën e mëposhtme.
Nga ana tjetër për njësitë administrative më djathtas në grafik kemi situata më normale, me rezultate të përafërta nëpër QV-të e njësisë. P.sh qyteti i Gjirokastrës (apo i Librazhdit) jep një mbështetje uniforme për LSI në të gjitha QV. Tabela e mëposhtme paraqet rastin e njësisë administrative Librazhd, ku LSI ka elektorat prej 7.72% dhe dispersion(të vogël) 1.27%.
Është e vërtetë që anormalitetet dhe rezultatet iracionale, nuk kanë të bëjnë vetëm me LSI. Aty ku LSI humbet, përfiton dikush tjetër e aty ku LSI fiton, humbet dikush tjetër. Kështu që edhe për ndonjë parti tjetër do të ketë mungesë stabiliteti statistikor. Prandaj analiza nuk është veç për LSI-në, por nëpërmjet saj, shpjegohet më së miri fenomeni i kaosit statistikor.
Siç shihet nga grafiku numri i njësive administrative me problem (dispersion të madh), është jo i vogël (më shumë se gjysma e njësive administrative të Shqipërisë). Mund të jenë shumë faktorë që ndikojnë në këto rezultate, si p.sh ndikimi tepër lokal i “të fortit të fshatit” apo “të fortit të lagjes”, ose mentaliteti i përparuar dhe emancipimi i zonave rurale, ose programi i partive lexohet me kujdes nga qytetarët dhe përpunohet ndryshe nga zonat e caktuara pa aspak jehonë përreth, ose ... etj,etj.
Gjithsesi këto numra krijojnë një lloj pasigurie në parashikimin e të ardhmes politike të vendit, sidomos përsa i takon opozitës së re, duke qenë se nga këto numra varet gjithçka.
Tani, duke iu referuar shifrave nga kjo që sapo kaloi, nuk do të çudiste një rezultat spektakolar për opozitën e re apo edhe një humbje e thellë në zgjedhjet e ardhshme. Këto gjëra do i dinë më mirë menaxhuesit në terren E vetmja gjë që do të bënte çudi do të ishte ndërprerja e kaosit dhe e mosstabilitetit, që është kthyer në diçka krejtësisht të zakonshme në vitet e fundit.
Comments
Ky eshte nje kenveshtrim
Ky eshte nje kenveshtrim intelektual dhe i zhveshur nga gjithcka pervec shkencores!Uroj sa me shume analiza te tilla,dhe sa me shume njerez qe i kuptojne ato!!
Zgj-Vj edhjet
Shume numra e analiza per te treguar qe ketu vidhet e manipulohet. Ketu eshte normale. Mjafton te numerohen thaset e miellit neper shtepite e fukarenjve pas zgjedhjeve dhe kuptohet se sa vota jane te blera! Gjithashtu edhe kostoja e thaseve llogaritet pa problem!
Add new comment