Spekullimet në media: Katër deputetë të PS-së janë njerëz të Ilir Metës. Pakti me Edi Ramën bashkë me çështjen e Presidencës
Sot pasdite është parashikuar ceremonia e betimit të Ilir Metës si president i Shqipërisë. Nëse e shohim nga një plan strikt politik, Meta është pas Sali Berishës, presidenti i parë joaksidental dhe që ka përvojën e duhur. Ish-kryeministër, ish-ministër i Jashtëm, zv. Kryeministër dhe kryetar Kuvendi, kryetar partie, Meta nuk është zgjidhje e ndërmjetme dhe spontane si Rexhep Mejdani, Alfred Moisu apo Bujar Nishani.
Nëse e shohim figurën e tij në përballje me kriteret që kërkon Kushtetuta për kreun e shtetit, do të duhej që Ilir Meta të mos zgjidhej president. Ai është njeriu i skandaleve, të përfolura ose jo dhe ai është njeriu në fushatën e fundit bënte thirrje për armatosje të popullsisë.
“Të shkuara të harruara”, thotë një fjalë që nuk është e urtë e cila në politikë ka rezultuar shkatërruese.
Afrimi i Metës drejt presidencës ka nxitur publikimin e disa biografive, por edhe spekullimeve. Ja një që lidhet me raportin e tij me Edi Ramën, publikuar nga portali “tesheshi.com”:
“Në 2012-n, po Partia Demokratike që kishte mazhorancën në Kuvend së bashku me aleatët e LSI-së zgjodhi President të Republikës Bujar Nishanin, anëtarin e kryesisë së PD-së pas një marrëveshje me Ilir Metën.
Kurse ky i fundit vjen në krye të shtetit, pa një marrëveshje publike, por një të tillë kulisash, ku përveç postin e kreut të shtetit, u fol se i mori Edi Ramës edhe koncensione të tjera misterioze, ndërmjet të tjerave mbi 4 deputetë të LSI-së në listat e PS-së, që i di për të tillë vetëm Edi Rama”(http://tesheshi.com/profil-karriera-20-vjecare-dhe-marreveshjet-misterio...).
Ky është një lajm që fshihet brenda minilajmit se Meta po zgjidhet president. Pa burime, pa mbështetje me prononcim, ky informacion që ngjan si spekullim krijon objektivitet në situatën e vështirë parazgjedhore ku u gjendën tri partitë kryesore. Mirëpo marrëveshja për presidentin është dakordësuar që në vitin 2013 dhe kjo nuk është më sekret, ndërkohë që për penetrimin e Edi Ramës në listën e kandidatëve të Lulzim Bashës pati akuza direkte nga kundërshtarët e kreut demokrat. Në cilat kushte dhe në cilat pozita Meta mund të diktonte futjen në listën e PS-së të katër njerëzve të tij? Hamendësime që lindin kur pazaret bëhen larg syve të publikut.
Add new comment