Direktiva e kumbarit të pazarit të 18 majit, tri ditë përpara zgjedhjeve në PD
Dalja e djeshme në Zërin e Amerikës e zyrtarit amerikan Brian Hoyt Yee u ka rikujtuar palëve në Tiranë marrëveshjen e18 majit. Atë marrëveshje ku duket tashmë se amerikanët dhe Yee vetë janë investuar dhe duan që ajo të vazhdojë. Yee ishte I qartë kur tha se:
“I takon kryeministrit dhe qeverisë ta marrin vendim se cilët individë do të përfshihen në qeveri, në të gjitha nivelet. Por sigurisht ne shpresojmë që të ketë një qëndrim përfshirës, që qeveria të bëjë përpjekje të punojë me opozitën dhe pale të tjera që nuk janë në partinë ose koalicionin në pushtet, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të arritur konsensus të mjaftueshëm në vendime të rëndësishme. A bëhet kjo me emërime apo përmes dialogut normal politik, me kompromise, me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ka shumë mënyra për të arritur konsensus”.
Intervista e Yee vjen vetëm 3 ditë përpara sesa Partia Demokratike të konsumojë farsën elektorale të vetën dhe në këtë kuadër personi që garanton kërkesat e Yee është Lulzim Basha. Eduard Selami nëse do ta konsiderojmë kandidat të vërtetë, ka deklaruar se nuk do ta zbatojë marrëveshjen e 18 majit, ndërkohë që njeriu i Bashës, Tritan Shehu, doli dje për të rikonfirmuar publikisht faktin se Lulzim Basha i qëndron pazarit me Edi Ramën.
Kaq mjafton për të kuptuar se mesazhet politike që po vijnë nga të gjitha drejtimet çojnë në një pikë: ajo që u arrit në 18 maj, nuk sfidohet dot. Interesant është fakti se PD-ja do ta kapë këtë status duke mbrojtur formalisht statuin tjetër, të opozitës, ndërkohë që ministrat e vet nuk lëvizn dhe as i heq kush nga posti që aktualisht mbajnë.
Edhe pse mund të thuhet se bashkëpunimi që sot kërkohet nga ndërkombëtarët është tjetër gjë nga bashkëqeverisja, është e qartë se interesi i Edi Ramës sot është e dyta. Nëse i hedh një sy veprimeve të kryeministrit pas zgjedhjeve, sheh se ai nuk ka zbuluar asnjë plan, asnjë projekt dhe askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë në shtator përveçse do të emërohen disa ministra. Samiti i Triestes nuk dha ndonjë gjë për Shqipërinë, ndërkohë që reformat për të cilat flitet kaq shumë, janë thjesht punë e Parlamentit. Bashkëqeverisja në këtë shkretim idesh është një mënyrë për të garantuar stabilitetin fiktiv që i nevojitet klasës politike dhe mesa duket edhe amerikanëve që nuk e kanë problem të negociojnë çdo lloj pazari.
Ky imponim nga SHBA ka edhe një aspekt tjetër. PD-ja bëri rezistencë ndaj disa ligjeve që u propozuan në kuadër të reformës në drejtësi si dokumente të orientuara nga amerikanët dhe zyra e BE-së në Tiranë. Mirëpo propozimet janë thjesht variante dhe refuzimi i tyre nuk do të thotë formalisht refuzim i reformës siç deklaronte shpesh Donald Lu. Rekomandimet e Komisionit të Venecias ishin prova më e qartë e faktit se direktivat e dala nga ambasada amerikane në Tiranë nuk ishin edhe aq të qëndrueshme dhe po sfideoheshin. Pra, përtej hipokrizisë politike, roli i të qenit në opozitë vë në veprim regimin kritik dhe pozitiv që çoi në atë përballje që u përmbyll më 21 korrik.
Bashkëpunimi për reformat mes PS-së dhe PD-së, mund të bëhet edhe pa pazarin e 18 majit. Ai mund të prezantohet si një plan veprimi parlamentar për të eliminuar pengesat e hasura deri më tani. Por kjo është tjetër gjë nga bashkëqeverisja, e cila sot që flasim i nevojitet Lulzim Bashës për të mbajtur ngrohtë militanët e vet, por edhe Edi Ramës, që realisht nuk di se çfarë të bëjë me 74 mandatet e vet. Mjafton të shikohet sesi përditë ripërtyp në Facebook foto të qyteteve shqiptare.
Nga kjo pikëpamje, askush nuk mund të kuptojë arsyen e daljes së Yee në intervsitë 3 ditë para zgjedhjeve në PD dhe me rekomandime sesi duhet qeverisur, përveçse si një kujtesë për dy politikanët e Tiranës që duhet të bëjnë atë që u është thënë, pavarësisht pasioneve për çadra dhe atlete. Kjo i jep goditje procesit normal politik që do të çojë drejt ndarjes së PD-së, një parti e privatizuar me ndihmën e amerikanëve si Yee. Me heshtjen e PPE-së dhe me përdorimin e Selamit që do të bënte shërbim të madh po të tërhiqej.
Add new comment