SHBA do t'i shesin Rumanisë sisteme mbrojtjeje për 4 miliardë dollarë
"Departamenti i Shtetit dëshiron të aprovojë një shitje të mundshme pajisjesh ushtarake të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot si dhe të japë mbështetjen e nevojshme për to Rumanisë", tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë të martën.
Partnerët kryesorë të kontratës do të jenë Raytheon Co dhe Lockheed Martin Corp, bëri të ditur Agjencia për Sigurinë e Mbrojtjes. Kongresi i SHBA-s ka tani 30 ditë kohë, që të paraqesë argumenta kundërshtues. Por gjasat për këtë janë të pakta, meqenëse Rumania është një partnere e NATO-s me dalje të rëndësishme strategjike në Detin e Zi.
"Rumania do ta përdorë sistemin raketor Patriot për të forcuar mbrojtjen e atdheut dhe për të mbajtur larg kërcënimet rajonale", tha Departamenti Amerikan i Shtetit. "Shitja e propozuar do të rrisë aftësitë mbrojtëse të ushtrisë rumune për mbrojtje nga agresionet dhe do të jetë mburojë për aleatët e NATO-s, të cilët shpesh stërviten dhe veprojnë brenda kufijve të Rumanisë."
Patriot është një sistem lëvizës i mbrojtjes raketore, i prodhuar nga Raytheon dhe që është projektuar për të kapur raketa taktike balistike, raketa kryqëzorësh që fluturojnë ulët dhe avionë.
Zemërimi i Moskës
Në maj 2016, SHBA aktivizuan një stacion mbrojtjeje raketore në Rumani, pjesë e një mburoje më të madhe evropiane. SHBA thanë se sistemi Aegis është një mburojë për të mbrojtur vendet e NATO-s nga raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, veçanërisht nga Lindja e Mesme. Rusia e sheh stacionin si kërcënim për sigurinë.
Por zyrtarët rumunë tërheqin vëmendjen se Krimeja, që aneksoi Rusia është më pak se 321 kilometra larg brigjeve të saj. Veç kësaj, Rumania ka një kufi të gjatë me Serbinë, e cila është afruar me Kremlinin, duke blerë aeroplanë luftarakë rusë dhe sisteme ruse të mbrojtjes ajrore. Ambasadori rumun në Shtetet e Bashkuara, George Maior, tha në qershor se qeveria e tij e sheh Detin e Zi si "një vijë kufitare midis rreziqeve të ndryshme që rezultojnë nga kufiri lindor i NATO-s".
SHBA besohet se kanë shpenzuar 775 milionë euro në këtë qendër. Një fazë tjetër e projektit do të nisë në Poloni, me një ceremoni përuruese në Redzikowo, pranë Detit Baltik. Raketat e atjeshme do të jenë në gjendje pune në vitin 2018.
"DW"
Add new comment