Për çfarë morali mund të flasë Lulzim Basha?
Lulzim Bashës po i bie çatia e shtëpisë e megjithatë vazhdon të bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë, duke bërë opozitarin e thekur përpara një audience që është duke parë se si e trajtoi dhe e trajton personazhi në fjalë demokracinë dhe besimin e njerëzve. Në rolin e një opozitari që ka dalë i zhdëpur nga një testim mbarëpopullor siç ishte vota e 25 qershorit, Lulzim Basha po u flet shqiptarëve për moral dhe qëndresë përballë një shumice të kapur nga krimi dhe droga.
“E vetmja forcë që ruajti moralin duke treguar rrugët e daljes për çdo shqiptar është forca e koalicionit dhe Partisë Demokratike. Dhe në këto kushte të pabarabarta, mbi 450 mijë shqiptarë që ndoqën rrugën tonë, duke refuzuar jo pa rrisk ankandin e votave, duke refuzuar presionin e krimit dhe të shtetit, janë një frymëzim i madh për mua, jam i sigurtë për ju dhe Partinë Demokratike”- u tha Basha njerëzve të partisë që kishte mbledhur në Gjirokastër dhe zonat përreth.
A mund të flasë për moral Lulzim Basha që u tha shqiptarëve se me Edi Ramën dhe gardianët teknikë zgjedhjet do ishin të garantuara dhe me standarde? Përderisa Lulzim Basha po u thotë shqiptarëve se marrëveshje nuk përmbushi qëllimet për të cilat u firmos me çfarë morali vazhdojnë të rrijnë në qeveri ministrat e dakordësuar mes tij dhe Edi Ramës?
Lulzim Bashës i është kërkuar dhe i kërkohet të bëjë transparente marrëveshjen me Edi Ramën, por ai nuk e ka bërë. Për aq kohë sa refuzon ta bëjë, dyshimet se mes tij dhe Edi Ramës ka një Pazar mbi marrëveshjen politike janë legjitime. Dhe kur flitet për çështje pazari nënkuptohen interesat personale dhe ato publike. Dhe kur flitet për interesa personale flitet edhe për përfitime dhe fitime jo vetëm morale, por edhe materiale.
Në gjithë këtë panoramë është absurde se me çfarë morali Lulzim Basha kërkon të mbajë karrigen e kryetarit të opozitës, kur minimalisht nuk jep dorëheqjen dhe të përballet si i barabartë me kundërshtarët në parti? Për më tepër për opozitën e katër viteve e mori përgjigjen nga kutitë e votimit. Ai vetë ndoshta e dinte që do të dilte i humbur nga një palë zgjedhje për të cilat u fut në çadër dhe ishte gati të dilte rrugëve për të thyer xhama e shpuar goma. Por futja në çadrën e pushtetit rrëzoi edhe atë fije morali që përfaqësoi protesta e çadrës se bulevardit, ndaj dhe Lulzim Basha mund të flasë për çdo gjë, por vetëm për moral jo.
Add new comment