Jashtë BE-së për afat të pacaktuar. Ballkani intereson vetëm për stabilitetin
Samiti i Triestes është mbyllur por ai ka dështuar në kapërcimin e atij problemi kryesor në marrëdhënet BE-Ballkani Perëndimor. Ky problem është theksuar shumë herë tashmë dhe ai konsiston në paaftësinë apo mungesën e vullnetit nga ana e BE-së për t’i dhënë perspektivës së anëtarësimit të vendeve të rajonit tonë një afat kohor konkret.
Kjo përbën një sfidë të madhe në Ballkan ku klasat politike drejtuese do të duhet të luftojnë sërish me kredi pa vlerë të vërtetë për të bindur qytetarët siç janë llafet dhe premtimet boshe. Në një farë mënyre kjo lihet të kuptohet edhe në një shkrim që agjencia gjermane “Deutsche Welle” publikon sot rretj Samitit të Triestes, ku u fol për fonde dhe disa projekte, por Ballkani Perëndimor u mbajt jashtë BE-së edhe për ndoshta një dekadë.
“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është stabilitet edhe për ne”, kështu citon agjencia kancelaren gjermane Angela Merkel.
Në ftohtësinë e vet kjo është një mënyrë diplomatike për të thënë se ne do kujdesemi që në Ballkanin Perëndimor të mos ketë rrëmujë, përtej kësaj mbetet shohim e bëjmë.
Kaq e vërtetë është kjo saqë z. McAllister, i njohur për publikun shqiptar, e ka thënë troç:
“Ne duam që të gjashta shtetet t'i përmbahen kësaj rruge, sepse ka një gjë që ne e dimë shumë saktë këtu në Bruksel: stabilitet në Ballkan do të thotë stabilitet për të gjithë Evropën. Ne duam të eksportojmë stabilitet në rajon. Po të mos e arrijmë këtë, atëherë mungesa e atjeshme e stabilitetit mund të vijë tek ne… Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker e bëri të qartë se në këtë legjislaturë (deri në qershor 2019) ne nuk do të pranojmë asnjë vend. Por kjo ishte edhe e qartë, sepse BE është ende duke përpunuar zgjerimet e viteve 2004, 2007 dhe 2013. Në parim Bashkimi Evropian është i aftë dhe i gatshëm për pranim. Por më parë duhet të marrë përgjigje pyetja, nëse shtetet kandidate janë vërtet të gatshme dhe që t'i kenë zbatuar me të vërtetë reformat”, tha ai.
http://www.dw.com/sq/mcallister-varet-nga-ballkani/a-39663985
Shihet pra se maovrat e disa politikanëve në Ballkan me kërkimin e alternativave jashtë BE-së nuk kanë funksionuar. BE-ja këtu po ndjek shqetësimet e veta, duke mos lejuar që anëtarësimet e reja të ushqejnë më tej ekstremin e djathtë që për pak sa nuk mori presidencën në Francë. Po kështu kriza financiare ka bërë të vetën dhe ka ulur optimizmin që bashkë me daljen e Britanisë së Madhe e kanë zvogëluar ideologjikisht unionin, drejt një hapësire me ndikim përherë e në rritje nga Gjermania.
Kërkesa për stabilitet apo frika nga prishja e tij funksionoi edhe me Turqinë. Në momentin që presidenti Erdogan alarmoi Brukselin me hapjen e korridorit për lëvizjen e refugjatëve sirianë, kancelarja Merkel udhëtoi në Ankara ku ra dakord me të në një marrëveshje që u kritikua shumë. Jo vetëm kaq, por Austria propozoi dhe vuri në jetë një plan të vetin për shmangien e korridorit ballkanik që e vendos atë në itinerarin e lëvizjes. Kësaj mund t’i shtojmë edhe propozimet e përhershme të Italisë që të ndërhyhet në Libi që në bregdet për të shmangur valën e refugjtavë, çka na jep të kuptojmë se Ballkani Perëndimor po trajtohet sipas të njëjtit kriter: stabilitetit të BE-së në emër të të cilit rajoni jonë do të mbahet në karantinë. Ka patur shumë kritika ndaj kësaj lloj qasjeje, pasi frika nga destabilizimi ka çuar në mbështetjen e liderëve autoritarë që anashkalojnë standardet demokratike. Pra vetë politika e kritereve vihet në diskutim.
Në raportimin e vet agjencia gjermane e konstaton hapur mungesën e ofertës reale për anëtarësim, duke e shitur Zonën Ekonomike Rajonale si karamele për të gënjyer grindavecët ballkanikë.
“Askush nuk flet mё pёr perspektivat e anëtarёsimit. Ndonёse zyrtarisht askush nё Bruksel nuk e ka deklaruar tё mbyllur pёrfundimisht perspektivёn e anëtarёsimit, ndёrkohё ёshtё e qartё, qё nuk do tё ketё anёtarё tё rinj brenda njё afati tё parashikueshёm kohor. Brukseli ka tani tё tjera preokupime. Unioni ekonomik, sikurse mendojnё nё rajon, ёshtё ngushёllimi, ose si tё thuash dhoma e pritjes pёr pranimin nё klub”, shkruhet në shkrimin e DW.
Çka do të thotë se me përshpejtimin e anëtarësimit të Malit të Zi që vlerësohet më para nga të gjithë dhe sinjalet e forta mbështetëse për Serbinë, vatrat e destabilitetit në rajon, posaçërisht në Bosnje dhe Kosovë, vihen në kontroll duke kontrolluar Serbinë si pjesë e familjes. Kaq mjafton për Brukselin. Të tjerët mund të presin, kanë parë edhe më keq.
Add new comment