Kartolinat e fushatës, si u përdor Parku Olimpik nga çifti Veliaj-Rama

Postuar në 12 Korrik, 2017 21:38

Ngutja për t'i dhënë Erion Veliajt dafinat e disa inaugurimeve publike para zgjedhjeve të 25 qershorit, duke na e paraqitur si një model që nuk përfaqësonte vetëm vizionin e bashkisë së Tiranës, por perspektivën e një qeverie që duhej votuar për të ardhmen e shqiptarëve, u kurorëzua me triumf për Edi Ramën.

74 mandate për qeverinë e Edi Ramës, ku padyshim një rol jo të vogël ka dhe mëngëpërveshuri i bashkisë së Tiranës, zoti Veliaj. Në funksion të kësaj fushate të orkestruar me mjeshtëri nga dirigjentët e Shqipërisë që duam u inaugurua edhe parku olimpik pranë ish-kompleksit Dinamo. Meritat i shkuan Erion Veliajt dhe ky investim i Ministrisë së Arsimit i nisur 4 vite më parë u shënua si një nga bëmat e tij.

Tani që daullet e zgjedhjeve pushuan dhe llogaritë dolën mbi parashikimet, vërtetohen edhe më shumë dyshimet se inagurimet u përdorën për qëllime elektorale, pasi investimet ishin të papërfunduara dhe jashtë standardeve. Televizioni Publik Shqiptar që po ndjek përgatitjet e kombëtares së basketbollit të meshkujve për kualifikueset e kampionatit Europian thotë se është ende e paqartë se ku do t'i zhvillojë ndeshjet përfaqësuesja shqiptare, pasi si pallati i Lojrave me Dorë "Asllan Rusi" ashtu dhe Parku i Ri Olimpik nuk ka sistem kondicionimi.

Në Parkun e ri Olimpik nuk janë vendosur kondicionerët dhe duhen ndërruar koshat, ndërsa te "Asllan Rusi" do riparuar sistemi i kondicionimit. Mundësia është që ndeshjet të zhvillohen te pallati Asllan Rusi dhe kombëtarja të gjobitjet ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Ndërsa Parku i Ri Olimpik u inagurua si kartolinë parazgjedhore e dyshes Veliaj-Rama, por që nuk i shërben dot akoma qëllimit për të cilin u ndërtua. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.