Paniku i qëllimshëm me lajmin për deklarimin e vendbanimit
Dje qarkulloi një lajm sipas të cilit nëse nuk ndryshoni gjendjen civile brenda 28 korrikut, gjobiteni me 10 000 lekë. Protagonist i këtij lajmi që përhap panik, ishte drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, i cili shpjegonte efektet e disa amendimeve ligjore mbi ligjin aktual për Gjendjen Civile, përmes një dispozite kalimtare, e cila pushon efektin pikërisht më 28 korrik. Kjo dispozitë anulonte për 6 muaj sanksionet ekzistuese (nga 3000 lekë bëhen 10 000 lekë) për mosdeklarim në afat të vendbanimit të ri.
Mirëpo detyrimi ka qenë edhe në dispozitat e vjetra, sa kohë që kushdo që ndryshon vendbanimin ka detyrim që të njoftojë brenda 30 ditëve, duke vërtetuar vendbanimin e ri. Kjo cilësohet si shkelje administrative dhe madje në nenin 20 të ligjit aktual, por edhe në nene të tjera, përcaktohen detyrime të qarta edhe për institucionet shtetërore për veprimet që duhet të ndërmarrin për të sqaruar vendbanimin e qytetarit dhe pasqayrimin e tij në dokumentacion. Një rast i tillë është regjistrimi në institucionet arsimore jashtë qytetit apo rrethit, si dhe nisja e një pune në një institucion shtetëror me vendndodhje jashtë rrethit të venbanimit. Në këto raste janë janë institucionet që njoftojnë njësinë e gjendjes civile për individin i cili njoftohet me shkrim për kërkesën e deklarimit të vendbanimit të ri.
Ligji pra nuk përcakton detyra vetëm për qytetarin, por edhe për institucionet, të cilat nuk i zbatojnë asnjëherë ato. Kush lexon ligjin në fjalë kupton se sanksioni në fjalë nuk ka të bëjë me Gjendjen Civile, por me vendbanimin dhe ai që sot është caktuar si drejtor ka përhapur panik dhe lajme të deformuara, që krijojnë përshtypjen se nëse dikush ndryshon vendbanim më 29 korrik, do gjobitet. Thjesht nuk është e vërtetë.
Add new comment