Përse u “frynë” partitë në Qeveri dhe u “rrudh” opozita?

Postuar në 07 Korrik, 2017 12:19
Kastriot Islami

Blerja e votës dhe kërcëni mi i votuesve konsiderohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë si disa prej manipulimeve më të vështira për t’u identifikuar dhe faktuar. Pavarësisht kësaj, vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 kanë pohuar se ka pasur blerje të votës dhe  kërcënim të votuesve në të gjithë vendin.

Nisur nga të dhënat e KQZ, rezulton se tri partitë qeverisëse PS, LSI e PDIU, “çuditërisht” janë rritur përkatësisht me 52 mijë vota, 46 mijë vota dhe 31 mijë vota, pra në total me rreth 130 mijë vota. Kurse PD është rrudhur me 72 mijë vota, kurse e gjithë opozita e vendosur nën siglën e PD është rrudhur me rreth 200 mijë vota. Ndërkohë që pjesëmarrja në votime është ulur me 143 mijë vota. Pyetja që shtrojnë të gjithë është: Çfarë ka ndodhur? Përse janë fryrë partitë qeverisëse? Përse është rrudhur opozita?

1. RRETH 37 PËR QIND E QYTETARËVE NË LISTAT E VOTIMIT JETOJNË NË EMIGRACION

Nisur nga të dhënat e INSTAT (http:// www.instat.gov.al/al/ themes/ popullsia.aspx?tab=tabs-5) për popullsinë e vitit 2017 rezulton se në Shqipëri punojnë e jetojnë 1 876 591 qytetarë, nga të cilët 1 453 541 meshkuj dhe 1 423 050 femra. Zgjedhës, apo qytetarë me moshë mbi 18 vjeç, që banojnë e jetojnë në Shqipëri janë 2 177 731, ndërkohë që shqiptarë brenda dhe jashtë vendit me moshë mbi 18 vjeç janë (sipas të dhënave të regjistrit civil) 3452324 zgjedhës.

Pra, jashtë vendit ndodhen 36,9 për qind e zgjedhësve. Pra, më shumë se një e treta e votuesve shqiptarë jetojnë e punojnë si emigrantë jashtë vendit dhe kjo shtron detyrën e gjetjes së një zgjidhjeje për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje duke votuar në vendet ku jetojnë e punojnë.

2. PJESËMARRJA PËR ZGJEDHËSIT NË SHQIPËRI KA QENË NË 74,1 PËR QIND…

Në zgjedhjet e vitit 2017 kanë votuar 1614479 votues. Nëse do të llogarisim pjesë- marrjen nisur nga numri i zgjedhësve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që janë 3452324, atëherë ajo rezulton 46,8 për qind ose mospjesëmarrja rezulton 53,2 për qind. Nëse do të llogarisim pjesëmarrjen nisur nga numri i zgjedhësve shqiptarë që jetojnë e punojnë vetëm në Shqipëri, atëherë pjesë- marrja del 74,1 për qind, kurse abstenimi del 25,9 për qind. Në realitet pjesëmarrja është relativisht e lartë, ndonëse në 2017 ajo ka shënuar rënie me rreth 143 mijë votues.

3. “FRYRJA” E ÇUDITSHME E PARTIVE QEVERISËSE DHE BLERJA E VOTËS…

Vetëm tri partitë qeverisëse PS, LSI dhe PDIU janë rritur në krahasim me 2013, ndërkohë që konsumi i tyre ka qenë i dukshëm. Këto tri parti në realitet kanë grumbulluar 130 mijë vota më shumë se në 2013, duke konkurruar mes tyre për synime të ndryshme. Konkretisht PS kishte për objektiv të zotëronte e vetme mbi 71 mandate për të ndërtuar e vetme qeverinë. LSI synonte të mos e lejonte PS të arrinte 70 mandate, duke synuar kështu të mbetej “king maker” i vetëm.

Kurse PDIU, duke ndjekur shembullin e LSI, synonte të ishte ose pjesë e “king makerit” së bashku me LSI ose nëse PS i afrohej shifrës 70 të mund të zotëronte po ashtu rolin e “king makerit preferencial”, ndërkohë që PS ishte prononcuar se nuk do të qeveriste me LSI. Rritja kaq e madhe në vota e këtyre tri partive, ndërkohë që pjesëmarrja është ulur me rreth 143 mijë dhe ndërkohë që PD rrudhet me rreth 72 mijë vota, duket paradoksale, për secilin prej tyre apo të tria së bashku.

Shtrohen disa pyetje: i) A është blerja e votës një faktor që shpjegon këtë rritje? ii) A ka prekur kjo dukuri vetëm PS apo edhe LSI e PDIU? iii) Nëse kjo dukuri nuk ka prekur LSI dhe PDIU, atëherë si shpjegohet rritja e tyre? iv) Përse në javën e fundit të fushatës para ditës së zgjedhjeve pati një acarim mes PS e LSI dhe pavarësisht kësaj, këto dy parti u rritën? v) Si shpjegohet që sondazhi i IPRmarketing arriti të gjente me një saktësi të pranueshme rezultatin zgjedhor, ndërkohë që “dështoi” në gjetjen e mospjesëmarrjes në zgjedhje, e cila nga java në javë rritej dhe vetëm në 5 ditët para ditës së zgjedhjeve “çuditërisht” ajo u ul në mënyrë të çuditshme? A mund të ketë lidhje kjo rritje e çuditshme me blerjen e votës?

4. FAKTORËT QË SHKAKTUAN “RRUDHJEN” E OPOZITËS…

Ndërkohë që opozita, referuar edhe pohimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë, e ka shumë të lehtë dhe të gjithë të drejtën të artikulojë hipotezën e “blerjes së votës” për të shpjeguar fryrjen e tri partive qeverisëse, veçanërisht e kryesisht PS, ajo nuk po arrin të artikulojë arsyet përse opozita është rrudhur. Përse pjesëmarrja është ulur dhe kjo ka goditur në mënyrë selektive opozitën.

Një nga arsyet e jashtme do të ishte “kërcënimi i votuesve” të saj nga përfaqësuesit e qeverisë; por ky shpjegim/ argument është i pamjaftueshëm për të shpjeguar plotësisht rrudhjen e konsiderueshme të opozitës me 200 mijë vota. Një analizë e brendshme, e thelluar dhe diferenciale, duhet t’u bëhet me seriozitet të gjithë elementëve potencialë që mund të kenë ndikuar në këtë rrudhje të opozitës, me të vetmin qëllim marrjen e të gjitha masave që kjo situatë të mos përsëritet në të ardhmen, përndryshe vendi do të zhytej në një regjim autoritar që fiton zgjedhjet e qeveris vendin përmes “blerjes së votave e kërcënimit të votuesve”, duke u destabilizuar në periudhën afatmesme si një qeverisje ilegjitime dhe një opozitë e marginalizuar deri në fasadë.

Konkretisht opozita duhet t’u japë, larg qasjes përjashtuese e përplasjeve individuale, por me qetësi, frymë bashkëjetese e bashkëpunimi, me konstruktivitet e largpamësi, përgjigje disa pyetjeve emergjente që shtrohen përballë drejtuesve dhe forumeve të opozitës:

i) A u përshkrua elektorati opozitar nga fryma e fitores? Dhe nëse jo, përse?

ii) Çfarë ndikimi pati kalimi i shpejtë i opozitës nga qasja me kërkesa radikale në çadër në futjen në zgjedhje me kushte të moderuara?

iii) Çfarë ndikimi elektoral pati negocimi “konfidencial” Basha-Rama? Sa i nxiti ai perceptimet konspirative dhe a patën ato ndikim në demotivimin e segmenteve të ndryshme të votuesve të djathtë? A mund të veprohej ndryshe?

iv) Çfarë ndikimi elektoral pati lista e kandidatëve për deputetë, jo thjesht vetëm heqja disave apo vendosja e disa të tjerave, por mënyra sesi ajo u hartua dhe përmbajtja e saj si dhe hierarkia në renditjen e kandidaturave, qoftë në pjesën fituese, qoftë atë jo fituese, apo në kufi?

v) Sa efikas ishte drejtimi, bashkërendimi dhe organizmi partiak për të përballuar detyrat dhe arritjen e objektivave elektorale? A kishin strukturat e partisë objektiva elektoralë dhe si u arritën ato? Dhe nëse nuk u arritën, përse?

vi) Si ndikoi qasja ballafaquese mes koalicioneve me vetëm një etiketë të PS e PD duke mos lejuar “koalicionet e përbëra”? Sa ndikoi ky format në motivimin e votuesve të PD dhe të të gjitha partive opozitare për të maksimalizuar mbështetjen elektorale? Cila u favorizua nga kjo qasje, PS apo PD dhe në çfarë mase ndikoi kjo qasje ballafaquese?

vii) Çfarë ndikimi elektoral pati taktika elektorale e përqendrimit të goditjes te LSI dhe lënies së hapësirës që Rama të çorodiste votuesit e djathtë me tezën se pas zgjedhjeve do të kishte një koalicion të madh PS-PD dhe se synimi ishte të eliminohej në të ardhmen, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe të sistemit zgjedhor, LSI?

viii) Cili ishte roli i programit elektoral? Dhe sa ndikoi mënyra e paraqitjes së tij? E tjerë.

5. NË VEND TË NJË PËRFUNDIMI…

Opozita ka një detyrë shumë të vështirë, të dyfishtë. Nga njëra anë të adresojë në mënyrë konstruktive dhe efikase, të gjitha problemet e brendshme që e çuan në rrudhjen elektorale, duke shmangur çarjen apo rrudhjen e mëtejshme.

Por nga ana tjetër, asaj i duhet të konceptojë modelin adekuat dhe strategjinë e suksesshme për të çmontuar këtë qeverisje që “blen votat dhe kërcënon votuesit” me paratë e korrupsionit, me mjetet e administratës publike, me përdorimin e individëve me rekorde kriminale dhe fitimet nga trafiku i narkotikëve dhe kultivimi i kanabisit. Për më tepër, vështirësitë bëhen të konsiderueshme po të kemi parasysh se këto dy detyra janë fuqimisht të korreluara. Një sfidë historike me pasoja për të ardhmen e vendit.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.