Rama pezullon prokurimet publike, ministrat formalisht në qeveri
Absurdi me ministrat teknikë që vazhdojnë të mbajnë postet në qeveri edhe pas zgjedhjeve të 25 Qershorit ka shkuar edhe më tej me aktin e firmosur nga kryeministri që pezullon pa afat prokurimet publike që janë në dispozicion të ministrive dhe agjencive shtetërore.
Nga ky rregull përjashtohen nga ky rregull kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe prokurimet për blerjet me vlerë të vogël. Ndërsa prokurimet për nevoja urgjente do të lejohen vetëm me miratimin e Kryeministrit.
Ministrat e PD dhe LSI tendera miliona euro
Pak ditë më parë Shqiptarja.com denoncoi rastin e shpalljes brenda një dite të 13 tenderave me vlerë 257 milionë lekë të reja nga ministri i Brendshëm Dritan Demiraj. Dritan Demiraj, katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare, pra në datën 29 qershor, ka shpallur 13 tendera. Tenderat, të gjithë të datës 29 Qershor, u shpallën kryesisht për blerje të kompjuterave, laptopëve, tableta, skanera, projektor, fotokopje, softëare, hard disk etj., për Ministrinë e Brendshme, por edhe për organe të ndryshme shtetërore, si për Agjencinë e Zhvillimi të Territorit, doganat, Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapsinor etj.
Ndërsa drejtori i LSI-së në ministrinë e Transporteve në prag largimi miratoi tender 1 milion euro për 185 mijë targa automjetesh. Në krye të kësaj drejtorie është Ylli Spahiu i emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe është vëllai i deputetit Përparim Spahiu i po kësaj partie.
Tenderi 1 milionë euro te Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë, është bërë pak ditë nga largimi nga detyra të drejtorit Ylli Spahiu, i cili është përfaqësues i LSI.
Aktualisht kabineti qeveritar përbëhet nga 9 ministra nga Partia Socialiste, 7 nga PD dhe 4 nga LSI, pasi ministrat teknikë të PD dhe LSI ende nuk janë tërhequr nga qeveria, pavarësisht se humbën zgjedhjet.
Add new comment