“Ai e ka vendin në muze, zonjë e nderuar!”

Postuar në 04 Korrik, 2017 08:45
Prof. dr. Luan Malltezi

Ndodh që një bisedë me një mik të nxit të kujtosh njerëz dhe ngjarje të shkuara. Kështu më ndodhi këto ditë me zonjën Shuteriqi, të cilën e takova në Bibliotekën Kombëtare, në takimin e organizuar me rastin e 190-vjetorit të lindjes së Kristoforidhit. Biseda kishte të bënte me të shoqin, studiuesin dhe historianin e njohur të gjuhës shqipe, poetin dhe shkrimtarin, prof. Dhimitër Shuteriqin.

Me Shuteriqin jam njohur kur punoja në Institutin e Historisë. Më kishte lënë përshtypje të veçantë si shkrimtar që kur isha student. Profesori e kishte shtëpinë në bulevard, por ditën e kalonte në kafenenë poshtë shtëpisë duke shkruar “romane”. Njerëzit “që merrnin vesh nga letërsia” thoshin se ky ishte “zakoni i modernistëve francezë”. Ndoshta kishin të drejtë, sepse në Francë kishte kryer edhe studimet. Profesorin e kisha parë edhe një herë duke kaluar pranë Bibliotekës Kombëtare; kthehej nga “qarkullimi”, ecte shpejt duke mbajtur një llullë në dorë dhe telajo në krah. Nga vajza e tij që studionte për anglisht kisha pasur rast të shihja karikaturat e tij për shumë kolegë të tij. Karikaturat ishin mjaft të goditura, autori i kishte realizuar ato me mjeshtri të habitshme, duke dhënë karakteret e tyre me pak linja.

Shuteriqi bënte përshtypje për krijimtarinë e tij të pasur letrare historiografike. Më kujtohet kur vinte pasdite në orët e vona në Bibliotekën Kombëtare. E shihja vazhdimisht të kërrusur mbi skedarët e bibliotekës, ku nxirrte skeda pa fund për autorë të vjetër dhe veprat e tyre. Bashkë me këto profesori kishte nxjerrë skeda pa fund edhe për Skënderbeun dhe epokën e tij, aq sa u caktua bashkautor i përgatitjes për botim të Bibliografisë së veprave të Skënderbeut me prof. K. Biçokun. Vepra u botua në vitin e mbrapshte 1997. kujtoj me kënaqësi se kam qenë një nga studiuesit që kam promovuar këtë botim të rëndësishëm për shkencën shqiptare në takimin e organizuar në Bibliotekën Kombëtare. Prof. Shuteriqi është autor i shumë studimeve me vlerë në historinë e shtetit të Arbërit dhe historinë e Skënderbeut dhe epokës së tij.

Në Tiranë, kam pasur rast të njoh si student edhe prof. Selman Rizën. Atëherë punonte në Institutin e Histori-Gjuhësisë, që ndodhej në katin e tretë të fakultetit Histori-Filologji. Ishte e diel dhe po zbrisja aty nga ora 10:00 në Tiranë me një shok; rruga shkurt kalonte në oborrin e fakultetit, prof. Riza doli nga godina e fakultetit me një koleg. Për prof. Rizën dija se kishte qenë nxënës i shkëlqyer në Liceun francez të Korçës dhe më pas edhe profesor. Gjatë Luftës kishte qenë në Kosovë, por aty ishte burgosur nga Tito si anëtar i lidhjes së tretë të Prizrenit. Më pas ishte lëshuar, sepse kishte ndërhyrë Enver Hoxha, dhe ky e kishte tërhequr edhe në Tiranë. Për ne studentët, profesor Riza ishte jo vetëm patriot i madh, por edhe “gjuhëtar” i zoti; madje thuhej se në gjuhësi shkonte dhëmb për dhëmb me Çabejn. Për prof. Rizën thuhej se nuk çonte kot asnjë minutë të jetës së tij pa punë; ulej në mëngjes duke lexuar dhe ngrihej vetëm në fund të orarit zyrtar. Atë ditë profesori kishte dalë të hante pak mëngjes në “pyllin përballë” institutit. Ato çaste që u ndodha pranë, e pashë gjithë kureshtje; kishte një fytyrë pak të mprehtë dhe mbante syze; m’u duk sikur më përpiu të gjallë kur më pa. Mbaj mend se ishte me kostum doku bojë qielli të hapur. Nga ajo ditë prof. Rizën nuk e pashë më; atë e larguan nga instituti në “situatën revolucionare” që u krijua në Shqipëri në vitin 1967; thanë se i kishte vënë një “fletë rrufe” drejtorit të institutit, gjuhëtarit të njohur, prof. A. Kostallarit. Riza u dërgua me dënim në Berat si drejtor muzeu. Kujtoj kolegët e mi më të mëdhenj në institut që bënin fjalë kohë pas kohe për të kur dilnim për kafe; flisnin mirë për aftësitë dhe zotësitë si studiues. Mbaj mend, për fat të keq, edhe një shprehje të rëndë të thënë nga një koleg i vjetër që më mbeti në kokë. “Tani, tha ai, – prof. Riza vjen vërdallë i vetëm në Berat në brigjet e Osumit duke folur me veten e tij”. “O Zot”, – thashë me vete, i tronditur për këtë kolos që koha e kishte marrë tragjikisht përpara.

Si student kam pasur rast të njoh nga afër kolegun e tij të madh, prof. Çabejn. Për të më kishte folur im vëlla që kur isha në gjimnaz; Çabejn e shihja thuajse përditë kur isha student. Atë kam pasur rast ta dëgjoj nga afër në një sesion shkencor të organizuar në Muzeun Arkeologjik në Tiranë në 1967. Çabej mbajti aty një kumtesë për vendin e ilirëve në historinë evropiane. Profesorin e njoha nga afër në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë. Atëherë mbledhjet vjetore bëheshin në një sallë të madhe të institutit. Profesori, vinte nga zyra “me pallto hedhur mbi supe”. E shihja shpesh kur dilte nga ora 10:00 për kafe me prof. Domin, prof. Lirak Dodbibën dhe gjuhëtarë të tjerë të vjetër duke biseduar. Atëherë isha i ri dhe më pëlqenin njerëzit “modernë”. Këtë mendim kisha edhe për Çabejn; më vinte mirë kur e shihja në verë të vinte në institut me “sandale gjermane”. Në institut prof. Çabej gëzonte autoritet absolut. Në zyrën ku punonte me disa gjuhëtarë të tjerë kishte qetësi të plotë. Ne të rinjtë, kur na binte rasti të kalonim në korridorin e katit të dytë (ku ndodhej zyra e tij), ecnim me shumë kujdes dhe gati pa marrë frymë.

“Në Institut kam njohur edhe prof. Budën. Profesorin e kisha pasur pedagog në fakultet; atëherë na dha disa leksione për Lidhjen e Prizrenit. Më bënte shumë përshtypje kur shpjegonte; Buda nuk mbante para leksione të shkruara; sytë i mbante gjysmë të mbyllur gjatë gjithë leksionit dhe shkruante në dërrasë emra të pafund albanologësh të huaj. Për ne studentët Buda ishte profesori më i mirë; “ka kryer studimet në Austri” thoshim ne dhe “di shumë gjuhë të huaja”. Kujtimet për profesorin janë të shumta. Kujtoj diskutimet që bënim në sektor për artikujt e përgatitur për botim nga shokë të sektorit. Buda ishte i fundit që diskutonte. Në diskutim ishte i ngadalshëm. Për të gjithë ne, diskutimi i Budës kishte rëndësi; nga diskutimi i tij kuptonim nëse artikulli ynë vlente apo jo për botim. Buda mbante atëherë një beretë blu në kokë; bereta në Shqipëri ato vite nuk kishte; ajo i jepte “pamje” të veçantë profesorit; mua të paktën më pëlqente jashtëzakonisht shumë. Në Akademi, ku kishte edhe zyrën, profesori mbante fotografinë e Çabejt në tavolinë. Për Çabejn kishte një nderim të veçantë. Them kështu nga përvoja ime. Më kujtohet për shembull kur Çabej humbi tragjikisht djalin e tij. Buda erdhi shumë i tronditur në sektor dhe kërkojë të ishim të gjithë pranë prof. Çabejt atë ditë të rëndë.

Në Arkivin Qendror të Shtetit këto ditë, takova të bijën e Çabejt, Brikenën. Brikena ka qenë një vajzë e shkathët kur ne punonim në institut. Biseda kuptohet se ra menjëherë për të atin. “Me Leksin, – tha ajo për Budën, – babai ka qenë shumë shok; Leksi, thoshte babai në shtëpi, ishte socialist që kur ishte në Austri”. Spartak Ngjela, që e kam pasur në vitin 1973-‘74 në sektor, në një bisedë nën zë, më kishte thënë se Sigurimi desh e gëlltiti edhe prof. Çabejn por e kishte shpëtuar Enveri. “E dini ju ç’kokë është ai apo jo” u kishte thënë ai atëherë njerëzve të Sigurimit. Ngjela thoshte se e dinte këtë nga i ati, “Kiço”, që “kishte qenë me Enverin gjatë luftës”. Në bisedë Brikena më tregoi se i ati nuk u la asnjëherë i qetë nga Sigurimi. “Ndjekjet dhe përgjimet, – tha ajo, – vazhduan deri në fund të jetës”. Pse, nuk e dinit ju? – tha kur ra fjala për këtë problem. – Kastriot Dervishi, ka botuar në disa numra të gazetës ‘55’ të gjithë dosjen e Sigurimit të Shtetit për babain”. U trondita kur e dëgjova. por nuk e dija. sepse kam qenë një kohë të gjatë në spital. “O Zot, – thashë me vete, – por edhe me Çabejn xhanëm?”

Kur kujtoj këto gjëra të rinisë sime, them me vete se kam qenë një njeri me fat që kam njohur njerëz të tillë të mëdhenj.

Kujtoj me këtë rast prof. Skënder Luarasin. Për këtë kisha dëgjuar shumë gjëra të pabesueshme që kur isha student. Profesori ishte një kolos në kulturën shqiptare; ai ishte përkthyes i talentuar i veprave të Shekspirit. Ai ishte i biri i Mësuesit të Popullit Petro Ninit, dhe kishte qenë edhe ishte “luftëtar i lirisë” në luftën e Spanjës. E dija se ishte mik i kryeministrit Mehmet Shehu, bashkë me shkrimtarin Petro Marko dhe dy luftëtarë të tjerë të Luftës së Spanjës. Kisha mendimin se prof. Luarasi ishte një enverist i fortë, por ndryshova mendim kur njoha të birin e tij pas viteve ‘90. Një mik që ma prezantoi më tha “Djali i Skënder Luarasit”. E takova me shumë kënaqësi. “Ç’punë bëni?” – e pyeta në bibliotekë, ku po kërkonte libra. “Jam hidraulik”, – më tha. “Si, nuk keni kryer studime të larta? – e pyeta i habitur”. “Jo. – tha, – Babai më tha atëherë kur isha i ri: biro, bën mirë të marrësh një zanat, se nuk i dihet punës sime!” Duket se profesori jetonte nën presionin ideologjik të kohës, “enverizmin”, të përhapur si rrymë ato vite të diktaturës. Profesori, një patriot i shkëlqyer, ishte përplasur me Enver Hoxhën në vlerësimin e Haxhi Qamilit që po ngrinte koha. Të gjithë e dinin se Haxhi Qamili kishte qenë një fshatar kriminel që i vuri zjarrin Shqipërisë në vitet e vështira pas shpalljes së Pavarësisë. Këtë kishte thënë edhe prof. Luarasi, duke përmendur pikëpamjet e tij për Perandorinë Osmane.

Enver Hoxha doli atëherë me mendimet e veta të kundërta dhe kritikoi drejtpërdrejt prof. Luarasin. Profesor Skënderin e kujtoj në ngjarjet e vitit 1967; në fakultet kishin plasur fletërrufe. Shqipëria po ndiqte ato vite revolucionin kulturor kinez. Organizata e Rinisë më kishte vënë edhe mua një fletërrufe se i bija kitarës dhe “më pëlqente muzika e huaj”. Fletërrufeja ishte tendencioze; kujtoj mbrëmjet që bënim në aksionet verore të rinisë ku këndonim me aq gëzim e hare këngët korçare, shkodrane e kështu me radhë. Fletërrufetë ishin vënë në katin e parë. Aty erdhi në mëngjes edhe prof. Luarasi dhe po lexonte ato; kur lexoi fletërrufenë time, pyeti: “Kush është ky studenti Malltezi?” Unë isha aty afër dhe i thashë “Unë, profesor”. “Të lumtë, djalë, – tha ai me zë të lartë. – Ta duash muzikën; muzika të edukon, të formosh një karakter të sinqertë, të duash njerëzit dhe vendin tënd”. Pas kësaj vërejtjeje, fletërrufeja u hoq. Prof. Luarasin e kujtoj një pasdite në Institutin e Historisë; isha vetëm në zyrë kur u hap dera. Ngrita kokën dhe pashë profesor Luarasin. “Këtu punon Spartak Ngjela?” – pyeti ai. Unë u ngrita menjëherë në këmbë dhe i thashë: “Po, profesor, këtu punon, por sot nuk është këtu”. Profesori mbylli derën dhe u largua. Nuk e kisha marrë veten akoma kur ai hapi derën përsëri dhe më pyeti: “Me se merresh ti këtu more djalë?” Unë, për t’i dhënë pak rëndësi vetes, i thashë me gjysmë zëri: “Merrem me sundimin e Venedikut në Shqipëri, profesor”. Përgjigjja duket se nuk i bëri asnjë përshtypje. “Merru me Kosovën, mor djalë, se i kemi shumë borxh Kosovës”, – tha dhe nxori shaminë. Kam përshtypjen se shaminë e nxori se i kishin dalë lot në sy.

Kujtoj po kështu me nderim të veçantë edhe prof. Stefanaq Pollon, drejtorin e Institutit të Historisë. Për të flas gjithmonë me mikun tim prof. Ferit Dukën. Pollo dallonte nga të gjithë historianët në institut. Ai ishte serioz nga natyra; kishte një kujdes të jashtëzakonshëm për botimin me nivel të lartë shkencor të revistës së institutit “Studime Shqiptare”. Mua më pëlqente veçanërisht se ishte njeri elegant në gjithçka; vishej bukur, me këpucë dhe pardesy nga “Perëndimi”. Prof. Pollo ishte shumë dashamirës me të rinjtë, dhe ne e donim shumë. Mua personalisht më erdhi shumë keq kur disa komunistë të organizatës bazë të Partisë e vunë përpara në vitin 1978 për një “gabim të rëndë ideologjik” që kishte bërë duke botuar Bibliografinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Instituti ishte përfshirë atë vit në organizimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Për të përkujtuar këtë ngjarje të madhe historike, prof. Stefanaqi dhe Instituti i Historisë kishin përgatitur për botim disa vëllime me dokumente të Lidhjes së Prizrenit si dokumente osmane, franceze, anlgleze. Pollo kishte përgatitur me këtë rast edhe bibliografinë për periudhën e luftës së Prizrenit. Ndërkohë, kur historianët po përgatisnin kumtesat e tyre, “magazinieri” i institutit, “një komunist injorant” nisi një “letër lart drejtuar” K.Q të PPSH dhe shokut Enver. “Drejtori i Institutit të historisë, prof. Stefanaq Pollo – shkruante ai, ka bërë një gabim të rëndë ideologjik duke përmendur në një bibliografi të periudhës së Lidhjes së Prizrenit armikun e popullit Mithat Frashëri dhe shkrimet e tij”. Kaq u desh.

Organizata bazë e Partisë bëri disa mbledhje me radhë pasdite me të deleguar nga organizata e Partisë e Universitetit, duke kritikuar “pikëpamjet e mykura” ideologjike të Stefanaq Pollos. Individë të caktuar të organizatës u përpoqën atëherë t’i zinin vendin, por nuk mundën, sepse prof. Stefanaqi gëzonte mbështetje të plotë nga Akademia e Shkencave dhe kryetari i saj prof. Buda.

Në institut kujtoj me nderim historianin e njohur Injac Zamputin. Prof. Njaci, siç i thoshim ne, kishte kryer studimet në Trieste dhe njihte mirë italishten dhe latinishten. Ai ka botuar shqip disa vëllimeve me dokumente të historisë së periudhës së Mesjetës. E dinim se regjimi nuk e shihte me sy të mirë. Me prof. Njacin kisha lidhje pune të drejtpërdrejta. Ishte i vjetër dhe punonte në shtëpi me një banjë të përbashkët me familje të tjera. Shkoja gjithmonë në mëngjes aty nga ora 10:00 për konsultime dhe kontroll në leximin e teksteve latine që përpiqeshim t’i përkthenim dhe botonim në shqip. Dhomën ku punonte e gjeja gjithmonë të rregullt. E shoqja, Roza, nga Prelajt e Shkodrës, ishte mikpritëse. Me profesorin flisja shumë; kam përshtypjen se më besonte. “Prof Aleksit, – më tha një herë në bisedë e sipër në shumë konfidencë, – i kam borxh jetën”. Këtë e dija pa më thënë ai. Prof. Buda ishte një dijetar dhe patriot i madh; ai besonte plotësisht në ndershmërinë e zotit Zamputti si dhe të të gjithë kolegëve të tjerë që kishte mbledhur rreth vetes në institut.

Ne ishim të rinj, kishim kryer studimet në Fakultetin e Historisë; Buda, Pollo dhe Zamputi qenë profesorët tanë të parë që u përpoqën të na drejtonin në studimet tona.

Tani jeta ka kaluar; profesorët tanë të nderuar nuk janë më; dhe ne vetë nuk jemi më të rinj.

“Kështu e ka jeta – them me vete. – Njerëzit shkojnë e vijnë si valët e detit dhe harrohen, por njerëzit e shquar duhet të mbahen gjallë për brezat që vijnë”. Më vjen mirë që në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në korridorin e katit II qëndrojnë dy fotografi të mëdha të Budës dhe Çabejt. Cilido që ngjit shkallët, i sheh me nderim fotot e këtyre dy pedagogëve të mëdhenj. Po kështu ndalem gjithmonë para Akademisë së Shkencave për të parë me nderim dhe mall bustin e derdhur në bronz të prof. Budës. Por a mjaftojnë këto? Akademia e Shkencave ka kujdes të organizojë sesione shkencore me rastin e përvjetorëve të njerëzve tanë të shquar të shkencës dhe kulturës. Por shumë mund të bëjë në këtë drejtim edhe Muzeu Historik Kombëtar.

Ata kanë qenë njerëz të shquar dhe kanë pasur sende personale, si kapele, syze, lapsa, blloqe shënimesh, dhe shumë e shumë gjëra të tjera me vlerë që mund të qëndrojnë në stendat e muzeut. Kujtoj gjithnjë me nderim një zotëri në Korfuz që ruante në studion e tij syzet dhe stilografin e gjyshit të tij, që kishte qenë Kryeministër i Greqisë. Një problem të tillë ngriti në bisedë edhe e shoqja e Shuteriqit që përmenda më lart. “Zoti Malltezi, – tha ajo. – Ju pashë në mbledhje dhe desha t’ju pyesja sepse keni qenë drejtor i Muzeut Kombëtar. Im shoq, Dhimitri, përdorte një makinë shkrimi; me të ka shkruar studimet, romanet, poezitë e tij. Unë dëshiroj ta ruaj, por sa do ta ruaj tani? A mund ta çoj në Muzeun Kombëtar; e pranojnë ata makinën e Dhimitrit dhe a e ruajnë atë?”

Me këtë pyetje zonja Shuteriqi më kujtoi një mbledhje të veçantë që kam bërë me shefat e sektorëve në muze sapo mora detyrën. Në këtë mbledhje ngrita nevojën për të rënë në kontakt me familjet e personaliteteve të shquara të historisë sonë kombëtare. “T’u bëjmë thirrje atyre, – u thashë kolegëve të mi – të sjellin në muze sende personale, si syze, stilografë, libra të njerëzve të shquar, sepse aty është vendi ku duhen ruajtur dhe ekspozuar ato. Për fat të keq, si drejtor nuk e realizova këtë detyrë, por zonja Shuteriqi më kujton t’i bëj thirrje pasuesit tim, drejtuesit e ri dhe kolegëve të tij ta nisin me nxitim këtë punë. Mblidhini këto vlera të jashtëzakonshme në muze, pasurojeni muzeun me objekte personale të figurave tona të shquara, pasi këto kanë vlerë emocionale të jashtëzakonshme për vizitorët.

"Gazeta Shqiptare"

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Te gjithe emra studjuesisht te nderuar! Fatkeqesisht, disa prej tyre (Cabej, Buda) te formuar ne shkollat metafizike gjermane, ndonje me "patriot" se sa studjues (S.Riza), e keshtu -deshen s'deshen- iu pershtaten kategorive racionale dhe parimore te sistemit. Veprat e tyre (mendim personal), megjithe vlerat e pamohueshme, kane kufizime te tepruara metafizike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.