Si ta kuptojmë devizën "Shtet - Punë - Mirëqenie"?
Logoja e PS-së në fushatë përçon një devizë ndaj së cilës duhet thënë se qeveria po i qëndron si filozofi me aktet e veta. Ajo përputhet me idenë tradicionale etatiste të socialistëve shqiptarë, por thotë me gërma të mëdha edhe se mirëqenia e shqiptarëve vjen e fundit në renditje. Për krahasim, deviza e PD-së “Ekonomi e fortë, e ardhme e sigurtë” i mëshon mirëqenies së individit dhe këtë fakt Basha kërkoi ta theksonte duke përmendur premtime konkrete të cilat nuk ia dëgjoi kush. Dhe kjo është pjesë e fatkeqësisë sonë që lidhet me kulturën politike.
Nëse i bëjmë një lexim përmes veprave dhe jo fjalëve, motoja elektorale e PS-së zbulon një qasje që në rastin më të mirë është një vizion i ngushtë që edhe i tillë nuk i përgjigjet nivelit të ekipit që e përçon dhe në rastin më të keq është kuptuar si një gjetje që godet ndonëse aktet e qeverisë janë të kundërta.
Motoja nis me fjalën Shtet. Dhe sapo kanë mbaruar zgjedhjet na vijnë dy lajme me Kryefjalë fjalën Gjobë. Një nga Ministria e Ekonomisë dhe tjetra nga Bashkia e Tiranës. Njëra për guidat turistike pa certifikatë, tjetra për shpërdorimin e ujit të pijshëm. A tingëllon cinike nëse pyesim se përse pas zgjedhjeve kjo ndërhyrje? Vallë nuk kishte kohë të bëheshin më herët, apo mos vallë vapa filloi tani. Me këtë përparësi që ka gjoba në mendjen e pushtetarëve aktualë, miqësisht sugjeroj që edhe lulet në ballkon mos i ujitni, sepse siç tha kryebashkiaku “do përfundoni në komisariat”.
Po spoti i kryeministrit që nuk falte atë çunin e ri për gjobën e makinës bashkë me moralin që me gjoba bëhet shteti e mbani mend? Këto dy momente na bëjnë të kuptojmë se shteti këtu kuptohet si instrumenti i sanksionit, më keq i represionit, pavarësisht se thuhet se jemi për një shtet shërbimesh. Me fjalën burg u nis çdo aksion, për dritat, për ndërtimet pa leje etj., ndonëse rrugës shkelja e syrit u profesua si zanat i ri. Pra shqiptarët votuan për Shtetin që po bëhet duke nisur nga gjobat, të cilat më tej afër zgjedhjeve edhe mund të falen, por të drejtat dhe standardet askush nuk i kujton. Shteti është një nocion më i gjerë, por në Shqipëri ai kristalizohet politikisht përmes fjalës së urtë: Qiji nënën të të thotë baba.
Kalojmë te fjala Punë. Kjo e punës nënkupton një lidhje sekuenciale, logjike me shtetin. Pra kemi shtetin e fortë që krijon kushtet për punësim. Mbani parasysh se Shteti këtu është ende duke u bërë, siç na thonë të paktën në televizor, pas 25 vitesh rrumpalle. Shifrat janë aty: u quajtën të punësuar ata që u formalizuan në zyrat e tatimeve, por që ishin në punë. 300 mijë vende pune? Mos e përfshini këtu sektorin bujqësor, pasi është më vete. Plus çe do të zgjatemi se nuk marrim edhe aq shumë vesh. Fakt është se punësimi, apo puna, është, por nuk ka profesionistë. Edhe ata që janë shteti i ndihmon të ikin në Gjermani. Që nuk ka profesionistë kjo është e vërtetë, por edhe që punësimi mund të vijë duke u shtuar për shkak të ikjeve dhe plakjes së popullsisë edhe kjo është e vërtetë. Por këtu po flasim për punësimin si pjesë e politikës së zhvillimit, investimeve etj.. Rritja ekonomike do të jetë 5%, kaq synohet, por si mund të arrihet kjo mbetet për t’u parë.
Me t’u bërë Shteti dhe arritur Punësimi natyrshëm vjen Mirëqenia. Kjo është fjalë e gjerë, ka shumë brendi dhe nuk reduktohet në një kuptim. "Mirë jemi", kështu themi përditë. Themi edhe shtyhet, por themi Mirë sepse “ka edhe më keq”. Mirëqenia është në fund, por për njeriun e shkretë, atë që edhe komentet në Facebook i shkruan me gabime, ajo vjen e para. Ose më saktë për disa, se nuk kemi të drejtë për përgjthësojmë. Mirëqenia do na vijë sapo të bëhet shteti, që do sjellë punësimin, edhe pse në fakt Punë ka por duhen profesionistët. Çka dua të them me këtë? Asgjë. Thjesht kuptohet se Mirëqenia është çështje e brezave të ardhshëm dhe këtu më kujtohet ajo formula e pagëzimit të takimeve me freshistë ekselentë: Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.
Ndaj kur nesër të kërkohet na premtove këtë, apo atë, shpjegimin e keni këtu gati. Një nga kuptohet. Pa harruar se tani premtimi edhe për gjëra konkrete, ato si puna e tksave konkrete që janë çështje vullneti, paraqiten në fushatë si Projeksione!!!
Mendimi modest është që këto devizat që hidhen në fushatë duhen parë pak me më shumë kujdes, sepse për ato paguhen lekë dhe thuhet se ata që i sugjerojnë janë ustallarë të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun. Aty ku ka publik kuptohet. D.m.th edhe liderin duhet të mos ja ndajmë sytë, por ato librushkat me ngjyra ndonjëherë edhe mund të lexohen, se ndoshta, po ndoshta ndodh, që të lindë ndonjë pyetje.
Shaptilografisti
Add new comment